Punë apo biznes jashtë vendit? Rigers Rusi zgjedh mes emigracionit dhe mundësive brenda vendit - Business Magazine Albania

Punë apo biznes jashtë vendit? Rigers Rusi zgjedh mes emigracionit dhe mundësive brenda vendit


Mjafton të ulemi në kafenenë më të afërt, apo të bisedojmë me klientët, kolegët apo të afërmit tanë dhe të shohim interesin e lartë të të rinjve për t’u larguar nga vendi. Nëse ti që po lexon këtë artikull, ende nuk ke menduar të emigrosh, me siguri dikush afër teje është duke e bërë këtë.

Vlerësime dhe analiza të fundit e konfirmojnë këtë. Kompanitë po e vuajnë. Të dhënat e INSTAT, por edhe një studim i fundit i SME Albania në bashkëpunim me Businessmag, tregon se mbi 60% e kompanive në vend po përballen me ikje të punëtorëve në emigracion. Për këtë arsye, ne kemi zgjedhur të flasim dhe t’ju sjellim një këndvështrim alternativ.

Në Shqipëri, ka edhe të rinj që kanë ardhur nga jashtë dhe po zhvillojnë sipërmarrjet apo janë angazhuar në karrierën e tyre. Një prej tyre është Rigers Rusi. Ai edhe pse është rritur në Greqi, ka zgjedhur të jetojë dhe të bëjë biznes në Shqipëri. Ai është Administrator i Albpastrim, kompanisë me mbi 100 të punësuar dhe me potencial të lartë të ekspozimit ndaj plagës së emigracionit të punonnjësve. Por, si po lufton Gersi në kompaninë e tij me fenomenin e emigracionin dhe si e sheh mundësinë e zhvillimit të biznesit në vend?

Ai vlerëson se, edhe pse emigracioni ka përfshirë të gjitha  grupmoshat e popullsisë, fenomeni nuk është i dukshëm tek Albpastrim. “Mendoj që një kompani me vlera duhet të ketë një staf të mirëkualifikuar. Kjo do të thotë ta nisësh nga të drejtat e tyre, trajnimet që ata kanë nevojë të zhvillojnë, sigurisht të mbuluara nga vetë kompania, motivimi dhe mundësitë për t’u zhvilluar në pozicione, bazuar në aftësitë e secilit. Në këtë mënyrë, duke bashkëpunuar rriten vlerat e të dyja palëve”.

Shqetësim sipas tij, është që pjesë e largimit po bëhen të rinj të kualifikuar, ndonëse Gersi shikon edhe anën pozitive të kësaj medaljeje.

“Disa janë pesimistë, disa e mendojnë ndryshe për arsye të tjera. Por, mendoj se edhe nëse ikin, ata fitojnë një eksperiencë të re. Kjo i ndihmon të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të mund të kthehen t’i vënë në zbatim. Mundësia për punësim këtu ekziston”, thotë Gersi.

Duke u nisur nga përvoja e tij dhe qëndrueshmëria e punësimit në kompaninë e tij, ai thekson se, të rinjtë duhet të mendojnë vërtetë të zhvillojnë aftësitë e tyre të fituara, përmes trajnimeve dhe formimeve të vazhdueshme që kompania duhet të bëjë”. Megjithatë, një pjesë e madhe e detyrës për vetëzhvillim, i takon vetë punonjësit, menaxherit, ashtu si edhe sipërmarrësit.

Lexo: I huaj në vendin tënd. Drama e emigrantit shqiptar

“Unë kam punuar fort, kam studiuar, kam ndjekur trajnime, jam këshilluar me mentorë që më kanë ndihmuar. Në këtë mënyrë mësova ide të reja që të arrija qëllimet e mia. Këtë gjë u sygjeroj edhe të rinjve, që duan të nisin apo janë në fillimin e hapave të tyre”, thotë  Rigers Rusi.

Ai sugjeron që çdo punonjës të bëjë realisht atë që do. Ky do të ishte një fillim i mbarë. Duke patur vetëbesim dhe duke ndërmarrë nisma në kërkim të mundësive të reja si dhe duke kërkuar të mësojnë nga mentorë apo trajnerë, do të arrijnë aty ku duan.

Ka disa cilësi që duhet të zhvillohen për të mundësuar rrugën drejt sukesit, sipas Gersit.

“Unë po ju them tre angazhime që më kanë vlejtur dhe vijojnë të jenë të dobishme për mua në punën time të përditshme”:

  • Një planifikim i qartë dhe i mirëstrukturuar i ditës, javës dhe muajit.
  • Vendosje e prioriteteve po ashtu për ditën, javën, muajin.
  • Entuziazëm për çdo punë që bëj. Imangjinoni nëse ngriheni në mëngjes pa entuziazëm. Ju punën do ta bëni gjithsesi. Zgjidhni ta udhëheqni ju ditën tuaj. Përdryshe, disa edhe mund t’ju tërheqë zvarrë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0