Përshëndetje Jori. Cilat janë markat që ju inspirojnë në punën tuaj?
Ajo që më ka frymëzuar dhe drejtuar në punën time, nuk kanë qenë brande, por ekipe pune apo profesionistë. Njerëz me të cilët kam punuar dhe që kanë qenë të parët që kanë ndërtuar bazat e Marketingut në Shqipëri në një terren të ri e të vështirë. Flasim për një marketing shpesh pa strategji dhe të dhëna studimesh, ku intuita ka qenë drejtimi, por që ka arritur të jetë i suksesshëm edhe pse duke përdorur mjete primitive.
Më frymëzojnë njerëz dhe ekipe që kanë ditur të mirëpresin brande ndërkombëtare dhe me histori shumë vjeçare marketingu dhe i kanë drejtuar në mënyrën e duhur në tregun lokal duke i prezantuar me kanalet e duhura të komunikimit si dhe duke i prezantuar me blerësin shqiptar shpesh shumë veçorik.
Nëse do t’ju kërkoja që të krijoni një markë të fortë nga zero, si do ta bëni këtë?
Duhet t’u besosh pasioneve të tua dhe të ndërtosh me mendje idetë origjinale për të krijuar një markë të re në treg. Janë disa pyetje, të cilave duhet t’u japësh përgjigje përpara se të ndërmarrësh hapa konkretë për ndërtimin e markës:
- Kush do të jenë blerësit? Cila është natyra demografike, ekonomike dhe sociale e konsumatorit që do t’i drejtohet marka juaj?
- Kush është e reja dhe identiteti i markës tuaj? Çfarë po sjell marka juaj ndryshe?
- Kush është konkurrenca? Jepi kohë njohjes së konkurrencës dhe mënyrës se si komunikon. Studio kanalet e komunikimit dhe të shitjes që konkurrenca përdor.
- Krijo misionin dhe vizionin e markës tënde.
- Ndërto një business plan të përmbledhur dhe objektiv.
- Krijo fytyrën e markës tënde. Personalizoje duke e bërë të përfaqësojë unitetin që synon të sjellësh përmes tij.
- Kërko kanalet e komunikimit që do të arrijnë konsumatorin tënd.
- Fillo komuniko.
Si e shihni një strategji marketingu?
Mund të jetë një plan veprimi me një objektiv kryesor apo shumë plane veprimi me disa objektiva për t’u arritur. Ajo që unë kam pasur parasysh para hartimit të një strategjie ka qenë fillmisht synimi – objektivi dhe përqasja paraprake e mjeteve. Strategjitë për të cilat kam punuar në grup ose vetëm janë nisur të punohen duke marrë kohë për njohjen e brandit apo kompanisë dhe sigurisht të targetit të synuar. Është shumë e rëndësishme ndërmarrja paraprakisht e një studimi për të njohur më mirë target grupin e synuar si dhe mbledhja e informacionit të nevojshëm për përdorimin e kanaleve të duhura për të arritur këtë grup.
Shumë shpesh më është dashur të punoj mbi zbatimin e strategjive të hartuara nga departamentet e marketingut të klientëve dhe ky është një pozicion shumë interesant dhe sfidues në të cilin njerëzit që punojnë në agjenci marketingu ndodhen shpesh.
Lexoni: Ja hapat për të krijuar një brand të fortë dhe një marketing efektiv
Cila është mënyra me kosto më efektive për të rritur ndërgjegjësimin e brandit?
Të mos bësh marketing fare :-).
Word of mouth dhe guerrila marketing janë kanalet më klasike të komunikimit me buxhet të vogël, por me target të mirëpërcaktuar dhe me një arritje shumë të lartë nëse përdoren në mënyrën e duhur. Marketingu i drejtpërdrejtë, apo komunikimet përballë kanë kosto efektive që arrijnë tek target-grupi i caktuar dhe japin informacionin në mënyrë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë.
Kanalet do të variojnë në varësi të brandit dhe klientit të synuar.
Tashmë po shtohet përdorimi i marketingut online dhe sidomos marketingu në mediat sociale. Ai mund të jetë me kosto efektive, por nëse përdoret në mënyra të gabuara, mund të ketë riskun që të humbasë në rrjet.
Çfarë hulumtimi bëni para se të zhvilloni një strategji marketingu?
Analizimi i gjendjes aktuale dhe nevojës për përmirësim apo ndryshim. Njohja e situatës së target grupit, zgjedhja e kanaleve që do të përdoren, përcaktimi i buxhetit maksimal dhe gjetja e mënyrave për të qënë efiçient në kohë e në kosto. Këto janë hapat që më janë dashur të ndjek gjatë përgatitjes së një strategjie apo plani marketingu.
Pse klientët bëhen avokatë të markës? Si e inkurajoni këtë?
Advokacia e brandit mund të arrihet vetëm nëpërmjet vërtetësisë dhe autenticitetit të produktit apo shërbimit të ofruar. Advokacia nuk mund të blihet, por mund të krijohen mënyra për ta lënë atë të zhvillohet. Përveç punës me brandin, kanalet e marketingut, etj. duhen bërë disa pyetje për të kuptuar nëse i është lënë terreni i duhur advokacisë së brandit:
- a e lejoni konsumatorin të krijojë një eksperiencë me brandin tuaj?
- a është e lehtë për konsumatorin t’ju gjejë dhe rekomandojë në kanalet e duhura?
- a e keni dhënë gjithë informacionin e duhur për brandin, veçoritë që ka dhe përfitimet në krahasim me konkurrencën?
Nëse pergjigjet e këtyre pyetjeve janë Po, atëherë bëhuni gati për të krijuar grupin tuaj të avokatëve.
Kur është marketing efektiv marketingu i mediave sociale?
Atëherë kur ka arritur të krijojë avokatë të brandit dhe kur ka ndikuar në rritjen e trafikut për brandin e marketuar. Marketingu në kohën e duhur dhe me targetin e duhur do të ishte gjithashtu çelësi i suksesit për një marketing të suksesshëm në mediat sociale.
Si do të jetë marketingu i ndryshëm 5-10 vjet nga tani?
Marketingu i së ardhmes do të jetë i orientuar në ndërtimin e eksperiencës dhe në matësit në kohë reale. Do të jetë më dinamik dhe i ndryshueshëm dhe nuk besoj se do të jetë lehtësisht i planifikueshëm duke pasur parasysh që kanalet e komunikimit dhe burimet e informacionit vijnë vetëm duke u shtuar dhe jeta e konsumatorit është më e pa parashikuar dhe interesat e tij do të jenë drejt standardeve të larta dhe mirëqenies duke qenë shumë më përzgjedhës se sa konsumatorët e sotshëm.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 46 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.