Ja hapat për të krijuar një brand të fortë dhe një marketing efektiv » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 16/01/2019

Ja hapat për të krijuar një brand të fortë dhe një marketing efektiv

Share
nga Renato Civili
Jan 16, 2019
Ekspert në fushën e marketingut, zhvillimit dhe menaxhimit të biznesit. Ka eksperiencë pune mbi 12 vjet në kompani të nd
lexo me teper >

Rritja e konkurrencës dhe zhvillimi me hapa të shpejtë i botës dixhitale po bën që edhe marketingu të jetë një sfidë interesante, dinamike, e me risi. Kanalet e komunikimit, mesazhet, përmbajtja e tyre, historia e kompanive e deri te fushatat që marrin përmasa politiko-sociale globale, janë përbërësit me të cilët gatuajnë produktin agjencitë e marketingut.

Por, çfarë po ndodh me marketingun në Shqipëri? Cilat janë sfidat e kompanive shqiptare sot? Cili është roli i agjencive në këtë drejtim dhe ku pritet të jetë marketingu global e ai shqiptar pas dhjetë vitesh. Përfaqësues të disa prej agjencive më të mëdha të marketingut në vend shprehen për BusinessMag, përmes intervistave të zhvilluara nga Renato Civili.

Intervista e 3-të rreth marketingut me Gerti Boshnjaku, CEO i New Media Communications dhe me Enea Dokun , ekspert  i marketingut dixhital i New Media Communications 

Pyetjet drejtuar Gerti Boshnjakut:

Gert, cilat janë brandet që ju inspirojnë në punën tuaj?

Gerti: Ndjek me kërshëri dhe interes artikuj për një sërë brandesh globale dhe sigurisht që mund të përmend mes tyre, veçanërisht për mënyrën e menaxhimit të kompanive Virgin, Starbucks, Apple, Amazon dhe Startup Grind.

Nëse do t’ju kërkoja që të krijoni një brand të fortë nga zeroja, si do ta bëni këtë?

Do ta përmblidhja në 3 hapa:

1 – Njih klientin deri në detaje

Për mendimin tim, një brand i fortë është ai që krijon një marrëdhënie të fortë besimi me konsumatorin. Çdo përpjekje e kompanisë për të arritur këtë qëllim duhet të jetë e fokusuar në njohjen deri në detaje të klientit që synon. Këtu mund të përmendim përveç të dhënave bazë, si mosha, gjinia, vendodhja, arsimi apo profesioni, ashtu edhe zakonet e tij të përditshme, stilin e jetesës, miqtë me të cilët kalon kohën, mediat që konsumon, librat që lexon apo dëgjon, cilët influencer ndjek në rrjete sociale, si dhe kur ushqehet etj. Të dhëna këto, të cilat në kohën që jetojmë po kthehen në domosdoshmëri për të mbajtur një lidhje të qëndrueshme me konsumatorët potencialë.

2-Bashkëbisedo me klientin me transparencë

Në të njëjtën kohë, brandi/marka duhet të jetë po aq e gatshme të ofrojë transparencë mbi profilin e saj dhe e gatshme të futet në komunikim të ndershëm me personat që synon t’u shërbejë. Nëpërmjet kontaktit të vazhdueshëm dhe bashkëbisedimeve dhe më pas nëpërmjet veprimeve brandet mund të shfaqin para klientëve të tyre premtimin e markës apo USP-të (unique selling propositions) e tyre. Komunikimi duhet të jetë sa më Human-to-Human jo si institucion kundrejt njerëzve dhe në terma të barabarta.

3 – Qëndroju premtimeve që jep

Çfarë është më e rëndësishme, duhet t’i mbajnë premtimet që bëjnë, sepse një brand i fortë ndërtohet vetëm mbi baza besimi. Një marrëdhënie e gjatë dhe e qëndrueshme i mban njerëzit dhe markat bashkë në çdo rrugëtim dhe një brand që bashkë-udhëton me konsumatorët e saj mund të quhet një brand i fortë.

A mund të më tregoni për një strategji të markës që keni zhvilluar?

Aktualisht ne kemi zhvilluar 2 marka, njëra është New Media Communications dhe tjetra Business Magazine Albania. Nisur nga kushtet dhe situatat në të cilat janë nisur kompanitë në fjalë edhe strategjitë e zhvillimit të këtyre markave kanë qenë paksa të ndryshme.

Po flas pak për Business Magazine dhe strategjinë që realizuam për ta zhvilluar në vitin 2015.

–  Identifikuam një target audiencë, të cilës nuk po i shërbehej dhe u përqëndruam tek early adopters që përfaqësonin këtë target. Kuptuam kush ishin dhe si mund t’i arrinim ata.

–  Komunikuam me ta personalisht nëpërmjet LinkedIn dhe shkëmbyem biseda për t’u shërbyer sa më mirë atyre.

–  Zhvilluam një mision dhe vizion për kompaninë.

–  Krijuam partneritete me organizata/komunitete të ngjashme në mision, të cilat ju flisnin audiencave të ngjashme me ato që ne donim të arrinim për t’iu afruar sa më pranë audiencës së synuar.

–  Ndërtuam një prezencë të fortë me përmbajtje të unifikuar online si në Website, në publikime online, newsletters dhe në rrjete sociale.

–   Zgjerojmë prezencën online dhe e ndërthurim me evente offline për të përcjellë pjesëza të misionit tonë si Media e Fokusuar tek Sipërmarrja e Lirë dhe Inovacioni.

–   Bashkëbisedojmë në vazhdimësi me përdoruesit aktualë dhe ata të rinj.

Lexoni: Strategjia dhe përmbajtja e mesazhit, faktorët kryesor për sukses në marketing

 

Çfarë hulumtimi bëni para se të zhvilloni një strategji marketingu?

Për të shmangur përsëritjet në përgjigje pasi fola pak për këtë më lart, do të thoja që momentalisht ekziston një pafundësi informacioni online. Me përdorimin e mjeteve të duhura, mund të gjenerosh materiale të vlefshme për të zhvilluar strategji marketingu pa shumë vështirësi. Megjithatë, shumë informacion i gjeneruar online ka nevojë për përpunim, për të analizuar burimet dhe për të përzgjedhur atë që është real dhe autentik. Jo gjithçka që shohim online është ashtu siç duket.

Sipas mendimit tuaj, si do të jetë marketingu pas 5-10 vitesh?

Mua më pëlqen të mendoj se nuk do të ndryshojë mënyra se si marketerët planifikojnë, analizojnë dhe realizojnë fushatat e marketingut. Por, ajo që shohim është se kemi ndryshim konstant në kanalet e komunikimit marketing. Pra, kemi gjithmonë e më shumë ndryshime që përcillen nga teknologjitë e reja për të arritur më efektivisht dhe me efiçencë tek konsumatori final.

Marketingu në thelb apo në nivel strategjie besoj se nuk do të ndryshojë shumë. Por, ky ritëm i shpejtë ndryshimesh do të kërkojë nga marketerët të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve, të shpejtë në reagime dhe për të qenë të tillë duhet të automatizojnë sa më shumë proceset. Pa harruar që të mbajnë një kontakt human me konsumatorët.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 43 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Pyetjet drejtuar Enea Dokut:

Enea, sipas mendimit tënd, cila është mënyra me kosto më efektive për të rritur ndërgjegjësimin e brandit?

Enea: Mënyra më mirë është PR (Press Releases). Në fillim do të krijojmë disa artikuj për biznesin që do t’i publikojmë në burime të besueshme. Burime të besueshme janë portalet e lajmeve që kanë autoritet. Kjo për 2 arsye:

E para, kur ke një burim të besueshëm që flet për ty, njerëzit e marrin më seriozisht emrin tënd.

Kjo u shkatërron frikën dhe pasiguritë që njerëzit kanë për ty si një biznes i ri. Nëse del në një edicion lajmesh është akoma më mirë.

E dyta. Kur publikon një artikull në një media të besueshme, ajo që ndjek më pas është se shumë portale dhe media të tjera e kopjojnë këtë material për ta publikuar në portalet e tyre. Për shembull, nëse publikon një artikull në BusinessMag, do të dalin dhe 4-5 media të tjera që do të duan të shkruajnë për të njëjtin material ose ta kopjojnë atë siç është në portalin e tyre. Ky është efekti i PR dhe prandaj ia vlen të paguash pak më shumë për publikim në burime të besueshme. Sepse do të lindin media të tjera, të cilat do të të publikojnë pa pagesë.

Disavantazhi është që kjo gjë kushton shumë.

Në rast se nuk kemi buxhet. Mënyra tjetër më e mirë është video. Online ka shumë mjete që mund të të ndihmojnë për krijim video-sh psh: veeroll ose slide.ly. Sponsorizimi i videove online në facebook, instagram ose youtube është mënyra me më pak kosto. Pak njerëz bëjnë video, sepse kostoja e bërjes së videove është e lartë.

Pas disa testimesh, në momentin që ke një video që funksionon, mund të paguash pak më shumë për të bërë një produksion profesional.

Lexoni: Si mund të krijosh një strategji marketingu dhe një brand të suksesshëm

 

Mund të tregoni për një plan marketingu online që keni zhvilluar? Cilat janë hapat kryesorë që keni ndjekur?

Çuditërisht shumica e bizneseve nuk e planifikojnë marketingun e tyre. Thjesht provojnë taktika të ndryshme marketingu dhe nuk marrin kohën për të menduar mirë një strategji për të arritur rezultatet që dëshirojnë. Mungesa e planifikimit është kosto kohe dhe parash, dy gjëra, të cilat nuk ju leverdis t’i humbisni kot.

Plani i Marketingut duhet të mbulojë 2 pika. Objektivat dhe Parametrat e Performancës.

Objektivat mund të jenë: rritje të shitjeve, rritje e MarketShare, rritje të interesimit.

Kurse parametrat e performancës na ndihmojnë të masim progresin drejt objektivave. Këto mund të jenë numri i likes, vizitat në website, regjistrimet, telefonatat apo blerjet online.

Për shembull, një klient i imi shet një program për të mësuar gjuhën e huaj. Objektivi i tij ishte të rrisë shitjet dhe parametri i performancës që përdorëm ishin telefonatat dhe vizitat në landing page ku i shpjegonim programin. Që në këtë moment të gjithë janë të qartë ku do të shkojmë dhe se çfarë na duhet për të shkuar aty. Kjo është faqja e parë e çdo plani marketingu. Në rast se diçka nuk ecën mund t’i kthehemi gjithmonë faqes së parë për të marrë një vendim.

Pse shumë kompani shqiptare bëjnë marketing në rrjete sociale në mënyrë të gabuar?

Flasin më shumë për veten sesa për klientin. Për momentin është një garë kush është më i madhi, më i zhurmshmi, më i famshmi. Çdo postim që bëjnë është një mburrje në sytë e konsumatorit. Që ta veçosh veten duhet të pushosh se foluri për veten dhe të fillosh të flasësh për klientin. Sepse klientit i bëhet vonë për një gjë dhe vetëm një gjë. Kjo gjë është vetja e tij. Për shembull, në vend që të postosh sa i mirë është shërbimi duke thënë “tek ne do të gjeni shërbimin më të mirë” mund të citoni një review që një klient ka dhënë për ju, pa u mburrur.

Review-të negative, të tuat ose të konkurrencës janë një material shumë i mirë për t’u frymëzuar.

Për shembull, më parë kam pasur klient një sallon bukurie. Filluam të kërkonin online çfarë komentesh apo reviews negative linin njerëzit në sallonet e bukurisë. Na del se shqetësimi kryesor që kanë femrat për një sallon bukurie është besimi. Komente të tipit: “Nuk ia besoj dot flokët asaj” ishin të shpeshta. Kështu që ne bëmë një postim me foton e pronares dhe me shkrimin lart “A do t’ia besonit këtij personi flokët tuaj?”.

 

Pse klientët bëhen avokatë të markës? Si e inkurajoni këtë?

Kjo ka të bëjë pak më shumë me produktin. Nëse produkti është superior, ose eksperienca që merr përdoruesi është superiore ai ua tregon miqve dhe sjell klientë.

Megjithatë ekziston edhe një mënyrë tjetër. Produkti përsëri duhet të jetë të paktën pak më superior se konkurrenca.

Gjate karrierës time ka pasur raste të çuditshme ku klientë të caktuar na referonin klientë pa e provuar fare produktin.

Nga eksperienca kjo ndodh vetëm në një rast specifik dhe pak biznese arrijnë ta bëjnë. Kur njerëzit e perceptojnë dikë apo një biznes si numrin #1 në industrinë e vet, nuk e kanë problem t’ia referojnë dikujt tjetër pa e blerë produktin. Ky quhet Marketingu i Autoritetit. Këtu ti e pozicionon veten si numrin #1 në treg dhe kur e bën këtë, konkurrentët e kanë shumë të vështirë të dalin para teje. Tani, kush është mënyra më e lehtë për t’u bërë Autoritet. Epo, mënyra më e mirë është të japësh mësim.

Për shembull, nëse jeni një restorant, krijoni një video për elementët e picës perfekte. Nëse jeni një firmë punimesh hidraulike tregoni sesi rregullohet një tub i prishur. Nëse jeni një qendër kursesh jepni orën e parë të mësimit falas.

Kur është marketing efektiv marketingu i mediave sociale?

Marketingu është efektiv kur sjell fitime. Sepse nëse sjell fitime t’i mund ta bësh atë lloj marketingu pa mbarim. Pra, nëse fitimi yt nga një produkt është 2000 Lekë dhe Kosto e reklamës për klient është 1500 Lekë, ti mund ta mbash këtë fushatë pambarimisht. Madje duke ditur që fitimi është 2000 Lekë, ti e di që kostja jote për të marrë një klient s’mund të jetë kurrë më shumë se 2000 Lekë në mëyrë që biznesi yt të dalë me fitime.

Edhe nëse kostoja për klient është e barabartë me fitimin përsëri ia vlen që të vazhdoj reklamën, sepse klientëve që grumbulloj mund t’u shes gjëra komplementare që e rrisin fitimin që marr nga një klient. Shitja e dytë është gjithmonë më lehtë se e para.

Nëse marketingu nuk sjell fitime atëherë ai nuk është efektiv, sepse ti mund të vazhdosh ta bësh atë deri në momentin që mbarohen lekët në bankë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 45 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

 

Oferta nga New Media CommunicationsNjë Konsulencë Falas për të përmirësuar marketingun e biznesit tuaj

Nëse jeni të interesuar për të krijuar një plan të suksesshëm marketingu dixhital për të rritur edhe më shumë prezencën e biznesit tuaj online, për ta pozicionuar më mirë se konkurentët si dhe për të gjeneruar me shumë shitje dhe klientë në mënyrë të vazhdueshme, na kontaktoni me email në: [email protected] ose në numrat  067 20 11 531 / 067 40 52 561.

 

 

 

 

 



Evente

Një hap drejt Suksesit!

Dhjetor 14, 2019
09:00 - 17:00