Strategjia dhe përmbajtja e mesazhit, faktorët kryesor për sukses në marketing

Strategjia dhe përmbajtja e mesazhit, faktorët kryesor për sukses në marketing


Intervista e Parë me Alma Gerxhanin, bashkëthemeluesen e Manderina Promotions & Visit Tirana

“JEPINI RËNDËSI FJALËS”

Reklama duhet të ketë një fabul, një histori të treguar për atë biznes. E para është fjala. Fjala dhe mesazhi mbeten më gjatë në kujtesë. Nuk mjafton vetëm përzgjedhja e fjalëve, por dhe lidhja e fortë dhe kuptimplotë mes asaj që thuhet dhe asaj që biznesi ofron. Për të krijuar një marrëdhënie efektive me audiencën duhen komunikuar në mënyrë realiste vlerat e biznesit.

Çfarë duhet të kenë parasysh sipërmarrjet gjatë komunikimit me klientin. Sa rëndësi i japin bizneset shqiptare përmbajtjes dhe mënyrës së të shprehurit në marketing?

Bizneset shqiptare, por edhe agjencitë e marketingut u japin më shumë rëndësi anës vizuale, efekteve dhe më pak përmbajtjes. Të krijohet përshtypja që reklamat që shohim bëhen nga persona teknikë që përdorin efektet, montazhet, shpesh duke kopjuar reklama të huaja, pa ide dhe krijim të ri dhe pa e përshtatur me tregun. Shpesh rastis të shohim tekste të shkruara keq, pa ndonjë target të caktuar, me gabime dhe ç’është më kryesorja që nuk nxjerrin në pah një veçanti të biznesit. Pra, nuk ka një fabul, një histori të treguar për atë biznes.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Pse kompanitë duhet të përdorin Content Marketing (marketingun e përmbajtjes) dhe cilat janë përfitimet e tij?

“Content is the king”- thotë Bill Gates. Përmbajtja është mbreti. Sado të bukura të jenë vizualisht krijimet, ato harrohen shpejt nëse nuk shoqërohen me fjalë të zgjedhura me kujdes. E para është fjala. Fjala dhe mesazhi ngelen më gjatë në kujtesë. Na ndodh rëndom të përsërisim në të folurën tonë të përditshme një slogan, apo një batutë të bukur nga një film apo program televiziv. Ky është efekti i fjalës edhe pas shumë vitesh. Nëpërmjet fjalës ke mundësi të tregosh më mirë, më bukur dhe me detaje historinë e biznesit apo brandit tënd, duke krijuar kështu me shumë lidhje me klientët. Këtë mundohemi të bëjmë në punën e përditshme me klientët, duke e njohur mirë secilin prej tyre, të hartojmë mesazhe komunikimi që nxjerr vlerën e tyre unike, atë që i bën të dallojnë nga konkurrentët. Këtë kemi patur parasysh dhe kur krijuam www.visit-tirana.com, një portal që ka përmbajtjen më të plotë për qytetin e Tiranës me infomacione të pasura e të detajuara që u përgjigjet më së miri nevojave të turistëve të huaj, por edhe vendas që duan të vizitojnë qytetin dhe rrethinat.

A i ndihmon kjo strategji marketingu bizneset që të rrisin shitjet dhe përmirësojnë brandin e tyre?

Sigurisht dhe për këtë nuk mjafton vetëm përzgjedhja e fjalëve, por dhe lidhja e fortë dhe kuptimplotë mes asaj që thuhet dhe asaj që biznesi ofron, me produktin apo shërbimin e tij. Shpesh biznese të fuqishme paguajnë shumë reklama në TV, ndërkohë cilësia e produktit nuk është ajo e premtuar. Një produkt apo brand mund të hyjë me vonesë në treg, por nëse ofron një cilësi të mirë dhe e marketon siç duhet këtë produkt, atëherë ai do të vazhdojë të ekzistojë për një kohë të gjatë.

Cilat janë mënyrat më të mira për të ndërtuar marrëdhënie efektive me audiencën, me një strategji të mirë marketingu të tillë?

Duhen komunikuar në mënyrë realiste vlerat e biznesit, pa e tepruar dhe nga ana tjetër duke u përpjekur maksimalisht që të ruhet cilësia, të ofrohet më e mira edhe në marrëdhëniet me klientin. Besnikëria ndaj brandit është ajo që vlen në një kohë afatgjatë. Dhe kjo është ajo ç’ka synojnë bizneset dhe brandet. Mënyra më e mirë për të ruajtur komunikimin me audiencën është që t’i kthehet përgjigje klientit dhe çdo ankesë të trajtohet me përparësi. Një biznes mund të bëjë reklama të mëdha në media, por mund të ndodhë që askush nuk i përgjigjet klientit në telefon, apo në mediat sociale. Duke qenë pranë klientit dhe duke adresuar shqetësimet apo kërkesat e tyre, biznesi fiton reputacion dhe emër të mirë në treg.

Sa kohë do të duhet për të parë rezultate pozitive nga kjo strategji marketingu?

Koha është në varësi të produktit/shërbimit dhe tregut. Nëse një produkt i ri do të hyjë në një treg pak a shumë të stabilizuar, do të duhen vite që të hyjë në treg ose investim të madh fillestar në promovim. Por, ajo që ka rëndësi më shumë është se çfarë historie ka për të treguar ky biznes, çfarë vlere unike ofron, çfarë vlerash dhe avantazhesh ka në lidhje me konkurentët. Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje nëse bëhet një studim i thelluar i biznesit, i konkurrentëve dhe i tregut.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Si mund ta masin bizneset efektivitetin e marketingut të përmbajtjes?

Ka një ndarje midis asaj që kërkojnë bizneset dhe asaj që bëjnë agjencitë e reklamave. Bizneset kërkojnë shitje direkte, ndërkohë që qëllimet e fushatave janë të shumëllojshme: rritje e ndërgjegjësimit për brandin, rritje e vizitorëve në faqe, rritje e numrit të pëlqimeve/ndjekësve dhe rritje të konvertimit dhe shitjeve. Që të arrihet kjo e fundit, duhet që biznesi të ketë kaluar fazat e para, pra klientët duhet ta njohin brandin dhe kanalet e promovimit të kenë një audiencë të caktuar aktive që më pas të kovertohet në shitje.

Nga ana tjetër, agjencitë e reklamave apo mediat ofrojnë kryesisht indikatorë sasiorë, pra kam kaq vizitorë në muaj/vit pa dhënë detaje çfarë audience është kjo dhe a mund të jetë e interesuar për këtë apo atë produkt. Shpesh ndodh që bizneset nuk janë të kënaqura nga rezultatet e këtij marketingu.

Përveç matësve sasiorë që ne i shohim rëndom, që janë numri i likes, apo followers, platforma të ndryshme ofrojnë dhe matës cilësorë dhe masin atë që quhet sentiment, ndjenjën emocionale ndaj brandit, pra si ka reaguar audienca nëpërmjet ikonave emoji. Një tregues tjetër janë komentet që shprehin qartë reagimin e audiencës.

Çfarë këshillash do t’u jepnit bizneseve të reja/startupeve për marketingun e përmbajtjes – ku duhet ta fillojnë ata?

Çdo gjë fillon nga vetja. Secili biznes duhet të shohë brenda vetes se çfarë ofron ndryshe dhe sa hapësirë ka për këtë. Pastaj duhet ta shkruajë historinë e tij bukur dhe t’ia komunikojë audiencës që targeton. Bizneset duhet të dinë në pak rreshta të tregojnë historinë e tyre. Kjo duhet dhe në komunikimet e tyre të drejtpërdrejta me audiencën, por dhe në komunikimet me agjencitë e marketingut që këto më pas ta shumëfishojnë mesazhin për të mbërritur në një audiencë më të madhe. Çdo kanal komunikimi duhet të reflektojë imazhin dhe reputacionin e brandit dhe biznesit. Një biznes me emër të mirë nuk duhet të lërë pas dore as faqen e internetit, (faqe e vjetër me linqe gabim me imazhe të turbullt) as mediat sociale (të pa përditësuara) dhe komunikimi me klientët nuk duhet të jetë formal i ftohtë, por i shpejtë dhe miqësor. Pra, në çdo komunikim imazhi duhet të jetë serioz dhe konsistent. Startup-et duhet të lexojnë shumë mbi teknikat e marketingun online dhe të përmbajtjes me qëllim që të krijojnë mundësi për biznesin e tyre dhe për sponsorat e mundshëm.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0