OBSH: Shqipëria boshatiset nga mjekët, çdo vit largohet një brez i sapodiplomuar - Business Magazine Albania

OBSH: Shqipëria boshatiset nga mjekët, çdo vit largohet një brez i sapodiplomuar

Emigrimi i mjekëve shqiptarë po shndërrohet në kërcënimin kryesor për funksionimin e sistemit shëndetësor. Të dhënat e fundit në një publikim të Organizatës Botërore Shëndetësisë (OBSH) mbi sfidat e vendeve në zhvillim për forcën e punës në shëndetësi tregojnë se mesatarisht rreth 150 mjekë planifikojnë të largohen çdo vit nga Shqipëria, një shifër që pothuajse barazohet me numrin vjetor t të diplomuarve në universitetin e vetëm publik të mjekësisë në vend.

Praktikisht, çdo brez i sapodiplomuar rrezikon të emigrojë menjëherë pas marrjes së diplomës.

Sipas të dhënave të përbashkëta OBSH-së stoku i mjekëve të trajnuar në Shqipëri që punonin në 38 vende të huaja arriti në 1060 në vitin 2020, ndërsa vetëm Gjermania numëronte 988 mjekë shqiptarë në 2021, nga 149 në vitin 2013, një rritje mbi gjashtëfish.

Ky fluks lidhet me politikat gjermane pas vitit 2015, që njohën diplomat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ofruan procedura të shpejta punësimi.

Numri i Certifikatave të Mirëqenies Profesionale, dokumenti i domosdoshëm për punë jashtë që lëshohet nga urdhri i mjekut në Shqipëri është rritur vazhdimisht nga 2013 deri në 2023, thekson studimi i OBSH-së.

Një anketë online me mjekë shqiptarë jashtë vendit tregon se 73.6% janë 25–40 vjeç, me një shpërndarje pothuaj të barabartë gjinore. Pjesa më e madhe është e martuar, shpesh me jo-shqiptarë, duke e ulur mundësinë e rikthimit.

Lexo edhe: Tirana në hartën evropiane të inovacionit – Helga Mustafaraj në DLD Future Hub Munich

Sipas studimeve të Gëdeshi – King rreth 22% e mjekëve të trajnuar në Shqipëri punojnë sot jashtë, ndërsa emigracioni i infermierëve ka ndjekur një rrugë të ngjashme, ku mes 2010–2019 janë larguar 2246 profesionistë, kryesisht drejt Italisë e Gjermanisë.

Largimi i mjekëve po dobësojnë me tej kapacitetet për të ofruar shërbime shëndetësorë. Në vitin 2019, Shqipëria regjistronte numrin më të ulët të mjekëve për 1 000 banorë në Ballkanin Perëndimor dhe të dytin më të ulët për infermierë.

Migrimi i brendshëm drejt Tiranës e thellon mungesën e stafit në spitalet periferike, duke e bërë pothuajse të pamundur garantimin e shërbimeve në zonat rurale.

Qeveria ka aplikuar rritje pagash, ku për mjekët specialistë arrijnë 1 600 euro në muaj bruto, ndërsa mjekët e përgjithshëm përfituan 1200 euro në muaj në 2024 dhe infermieret gati 800 euro. Megjithatë, diferenca mbetet e thellë, pasi një infermier në Gjermani fiton rreth 2 900 euro bruto, më shumë se trefishi i Shqipërisë.

Me 45–50% të studentëve të mjekësisë ende të pavendosur për të ardhmen dhe Gjermaninë si destinacion kryesor, ekspertët paralajmërojnë se emigrimi do të vazhdojë. Përpjekjet për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të krijuar stimuj kthimi do të jenë vendimtare për të shmangur boshatisjen e mëtejshme të spitaleve shqiptare, vëren studimi i OBSH-së.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0