"Një njeri me dy pare mend në kokë nuk investon aty ku rrezikon burgun”, Opinion nga Lutfi Dervishi

“Një njeri me dy pare mend në kokë nuk investon aty ku rrezikon burgun”, Opinion nga Lutfi Dervishi


*Nga Lutfi Dervishi

Qeveria vijon të këmbëngulë në marrëzinë për t’i treguar derën e burgut bizneseve që “nuk janë në rregull me ligjin” duke vënë veten përballë të gjithë aktorëve. Në këtë nismë ligjore të çartur, qeveria ka kundër, të paktën, biznesin, median, madje edhe partnerin e koalicionit!

Avokati i Popullit është zëri më i fundit që shpreh shqetësim për masën drastike që pritet të kalojë në Kuvend. Nëse qeveria dhe kryeministri është futur në hullinë që nuk dëgjon të tjerët, të paktën të dëgjojë deputetët e vet. Në këtë rast deputetin më të ri të listës së Lezhës. Deputeti Eduard Ndocaj, biznesmen ndërtimi me aktivitet në Itali i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, dha një mësim të thjeshtë, por mjaft të vlefshëm për ata që kanë veshë për të dëgjuar.

I pyetur se ç’këshillë kishte për ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj, biznesmeni i konvertuar në ligjvënës dha një përgjigje të shkoqur. “Si biznesmen, – tha ai- unë nuk investoj aty ku rrezikoj të futem në burg. Për gjobat? Biznesi gabon dhe kur gabon ndëshkohesh, por gjobat duhet të jenë proporcionale. Nëse unë kam një firmë që xhiron e ka 30 mijë euro, gjoba nuk më vjen më shumë se 3 mijë euro, nëse bëj xhiro 30 milionë euro, gjoba do të rritet deri në 30 mijë euro. Kam bërë gabime si biznes dhe kam paguar gjoba”.

Ja një leksion falas për proporcionalitetin-dhënë aq bujarisht për ministrin e Ekonomisë nga z. Ndocaj. Njerëzit nga bota e biznesit mund të jenë me 100 vese, por nuk janë naivë. Duhen dëgjuar se kanë mësuar nga praktika dhe nga gabimet që kanë bërë. Arsyetimi qeverisë është të mos shqetësohet ai që është në rregull me ligjin. Prezumimi se biznesi nuk gabon është naivitet që për nga guximi mund ta marrë përsipër vetëm një qeveri që fjalët më të përdorura ka “gjobë”, “luftë” dhe “burg”.

Nuk ka ditë që të mos kesh lajme për gabimet/krimet e bëra nga korporatat në botë, – por burgu është fjala e fundit, jo e para. Ka edhe këtu korporata që akuzohen për evazion qindra milionë dollarë, por nuk u përmendet burgu. Qeveria ka marrë mandatin të hapë 300 mijë vende pune – sikundër ka premtuar në fushatë elektorale dhe jo të shtojë numrin e banorëve në burgje (gjë që e ka bërë).

Vendet e punës nuk i hap qeveria, por biznesi. Vendet e punës në administratë, megjithë përsheshin që krijon rotacioni dhe aleatët me oreks të madh janë të kufizuara. Por në një klimë ku kryefjala është “luftë…” biznesi do të vijë duke u tkurrur dhe qeveria do të krenohet me numrin në rritje të kuponave tatimorë. Vetë ministri Ekonomisë përmendi në një takim në Gjirokastër për zellin dhe pa aftësinë e inspektorëve tatimorë.

Qeveria bëri një tërheqje (shumë të vonuar) për tregtarët ambulantë dhe një kategori profesionesh, por fillimisht i ndëshkoi duke i detyruar të pajisen me kasë fiskale dhe me vizita vend e pa vend të inspektorëve. Beteja ndaj informalitetit nuk duhet parë si lufta e dikurshme ndaj shfaqjeve të huaja- “çdo ditë me furçë dhe jo një herë me aksion”. 200 mijë aplikime për lotarinë amerikane dhe 50 mijë (deri më tani) të regjistruar si azilkërkues në Gjermani, janë shifra të prodhuara edhe falë politikave dhe retorikës qeveritare që e kemi të pranishme edhe në fundjavë. Qeveria duhet të dëgjojë deputetin më të ri të Rilindjes, “një njeri me dy pare mend në kokë nuk investon aty ku rrezikon burgun”.

 

Në lidhje me ligjin e ri të “Procedurave Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, mund të lexoni edhe deklaratën e Avokatit të Popullit, Igli Totozani.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0