Avokati i Popullit, Igli Totozani ngre shqetësime serioze për ashpërsimin e penaliteteve për biznesin. Ai ndërhyn për rishikimin e neneve që parashikojnë burg pranë Komsionit të Ligjeve përmes një shkrese zyrtare.
Kjo lëvizje vjen pas konstatimeve në terren se masat e qeverisë kanë prekur shtresat vunerabël që biznesin kanë të vetmen mënyrë jetese.
Avokati i Popullit sugjeron që aksioni të shoqërohet me politika sociale dhe hapjen e vendeve të reja të punës, pasi penalitetet e parashikuara në kodin penal mund të rezultojnë fatale për këto shtresa në nevojë.
“Është një nismë që duhet diskutuar shoqëruar edhe me masa e politika të tjera, pasi ndryshe do të ishte e nxituar dhe e parakohshme. Kjo pasi në vlerësimin tonë shteti duhet të ketë si kryefjalë të tijën jo vetëm ashpërsimin e politikës penale, por edhe identifikimin dhe zbatimin e politikave sociale, pasi në të kundërtën rrezikohet të krijohen situata ekonomike shumë të vështira për kategori të caktuara shtetasish.
Në konsideratën tonë ky është një ashpërsim i panevojshëm duke mos i lënë asnjë mundësi gjykatës që në bazë të provave, rrezikshmërisë dhe dëmit të sjellë, të ketë mundësinë e zgjedhjes ndërmjet vendosjes së një gjobe, apo burgimit (në rastet me rrezikshmëri të lartë)”, u shpreh Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit gjithashtu kërkon rishikim edhe për nenin 15 të projektligjit, ku parashikohet dënim deri në 7 vjet për tatimorët që abuzojnë, duke hequr dënimin me gjobë.
“Gjithashtu heqja e dënimit me gjobë për këtë vepër penale, në vlerësimin tonë nuk është në harmoni me arsyet e përmendura më sipër, si dhe nuk ka një përshkallëzim të dënimit në proporcion me dëmin e shkaktuar. Me përfshirjen e këtyre dispozitave si vepra penale, nesër mund të gjendemi përpara faktit se një numër i lartë personash të varfër dhe që i përkasin grupeve vulnerabël do të gjenden në burgje, për të paguar dënimin e tyre për moslëshim fature tatimore apo mosdeklarim të punësuarish”, tha Totozani.
Avokati i Popullit është institucioni i dytë pas Bankës Botërore, i cili ka apeluar për krijimin e programeve të veçanta për grupet vunerabël. “Duhet menduar paralelisht edhe ana sociale, hapja e vendeve të punës dhe rritja ekonomike. Nga ankesat që kemi administruar në institucionin tonë gjatë këtij, ku veprimet kundra informalitetit janë rritur, kemi evidentuar që një pjesë e mirë e personave që kryejnë veprimtari tregtare janë shtresa në nevojë”, përfundoi Totozani. Propozimet Avokati i Popullit ja ka dërguar Komisionit të Ligjeve, të cilit i kërkon të ndërhyjë për të parandaluar miratimin e masave radikale që burgosin biznesin.
/Sot News/