OpenAI mund të jetë duke zhvilluar një telefon ku aplikacionet zëvendësohen nga agjentë AI - Business Magazine Albania

OpenAI mund të jetë duke zhvilluar një telefon ku aplikacionet zëvendësohen nga agjentë AI

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ka pasur prej kohësh zëra për planet e OpenAI në fushën e pajisjeve hardware, fillimisht të lidhura me lançimin e një palë kufjesh inteligjente. Por sipas një analize të re nga Ming-Chi Kuo, kompania mund të jetë duke punuar edhe për një smartphone të ri, në bashkëpunim me kompani si MediaTek, Qualcomm dhe Luxshare.

Kuo, i njohur për parashikimet e tij të sakta në industrinë e teknologjisë, sugjeron se OpenAI mund të zhvillojë një çip të dedikuar për këtë telefon, ndërsa Luxshare do të merret me dizajnin dhe prodhimin.

Ajo që e bën këtë ide edhe më interesante është fakti që ky telefon mund të mos funksionojë si telefonat që njohim sot. Në vend të aplikacioneve klasike, ai mund të përdorë agjentë të inteligjencës artificiale për të kryer detyra të ndryshme për përdoruesin. Aktualisht, kompani si Apple dhe Google kontrollojnë mënyrën se si aplikacionet funksionojnë dhe çfarë aksesesh kanë. Duke krijuar një pajisje të vetën, OpenAI do të kishte më shumë liri për të integruar AI në çdo funksion të telefonit.

Me ChatGPT që po i afrohet një miliard përdoruesve në javë, një pajisje e përditshme si telefoni mund ta ndihmojë kompaninë të zgjerojë edhe më shumë ndikimin e saj tek konsumatorët.

Lexo edhe:Google përshpejton garën në AI, drejt zhvillimit të çipave të rinj me Marvell

Kjo ide nuk është vetëm e OpenAI. Edhe figura të tjera në industri po flasin për një të ardhme pa aplikacione. Për shembull, Carl Pei, CEO i kompanisë Nothing, ka deklaruar se aplikacionet mund të zhduken me kalimin e kohës.

Sipas Kuo, telefoni i OpenAI do të jetë në gjendje të kuptojë vazhdimisht kontekstin e përdoruesit, duke analizuar mënyrën si ai e përdor pajisjen. Duke qenë vetë prodhues i telefonit, kompania mund të ketë akses në më shumë të dhëna për zakonet dhe sjelljen e përdoruesve sesa një aplikacion i thjeshtë.

Ky telefon pritet të përdorë një kombinim të modeleve të vogla të AI që funksionojnë direkt në pajisje dhe modele më të mëdha në cloud, për të përballuar lloje të ndryshme kërkesash.

Sa i përket afateve, specifikimet dhe partnerët e këtij projekti mund të finalizohen deri në fund të vitit ose në fillim të vitit 2027, ndërsa prodhimi në masë pritet të nisë në vitin 2028.

Më herët gjatë këtij viti, drejtuesi për çështjet globale në OpenAI, Chris Lehane, ka deklaruar se kompania është në rrugën e duhur për të prezantuar produktin e saj të parë hardware në gjysmën e dytë të vitit 2026. Disa raportime sugjerojnë se ky produkt i parë mund të jenë kufje inteligjente me një dizajn të veçantë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0