Ministria e Inovacionit nuk i dha grant biznesit me potencial ndërkombëtar në inovacion

Ministria e Inovacionit nuk i dha grant biznesit me potencial ndërkombëtar në inovacion

Ministria e Inovacionit

Në thirrjen e Ministrisë së Inovacionit për mbështetjen e bizneseve inovative, përfituan grante sallone ondulimi e kafiteri, por jo edhe “Happy Feet”, njëra nga idetë më inovative në Kosovë.

Mirjeta Shabani

Në vitin 2019, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë kishte mbështetur me grante dhjetëra “sallone ondulimi” e kafiteri, ani pse të drejtë aplikimi kishin vetëm bizneset nga fusha e inovacionit. Por, edhe ato pak biznese që aplikuan me ide kreative nuk u mbështetën financiarisht.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar rastin e biznesit “Happy Feet” që nuk mori përkrahje financiare, përkundër faktit se bëhet fjalë për njërën nga idetë më inovative në Kosovë.

Në fund të vitit 2018, Ministria përgjegjëse për inovacion në Kosovë atëkohë, Ministria e Inovacionit, kishte hapur një thirrje për mbështetje financiare përmes skemës së granteve, në të cilën mund të aplikonin kosovarët e rinj, të cilët kishin ide të reja inovative për t’i ofruar tregut vendas. Në mesin e shumë aplikantëve ishte edhe biznesi “Happy Feet”, një ide inovative me potencial ndërkombëtar.

“Happy Feet” është një aplikacion celular që ofron përshtatjen e këpucëve me këmbë gjatë blerjeve online në internet të qytetarëve. Me “Happy Feet” ju mund të skanoni këmbët tuaja (duke bërë një fotografi nga një kënd i caktuar) dhe të merrni sugjerime në kohë reale për madhësinë dhe stilet e këpucëve që janë të përshtatshme për formën tuaj të këmbës.

Sipas drejtueses së “Happy Feet”, Dhurata Kamberit, e gjithë ideja e këtij Start Up-i kishte filluar prej garës “Start Up Weekend Prishtina”, ku kishin dalë fitues dhe pas kësaj kishin vazhduar zhvillimin e idesë si një biznes i mundshëm.

Kërkesa kryesore e “Happy Feet” ndaj Ministrisë së Inovacionit, me rastin e aplikimit për grant kishte qenë për mbulimin e shpenzimeve për pajisje teknologjike që iu janë nevojitur për përfundimin e zhvillimit të aplikacionit, shpenzimet e qirasë si dhe për shpenzimet e marketingut në rastin e lansimit të aplikacionit.

Mirëpo, MIN kishte vendosur që grantet për thirrjen e publikuar t’i adresonte tek disa përfitues të tjerë, në mesin e të cilëve edhe sallone ondulimi dhe kafiteri, ndonëse thirrja ishte e dizajnuar vetëm për biznese me ide inovative, që këto të fundit nuk është se e posedonin. Kjo gjë kishte bërë që ekipi i Happy Feet të zhgënjehej tej mase, duke çuar në një demotivim total të stafit.

Madje, kjo ministri nuk kishte bërë as edhe një njoftim zyrtar për arsyet e mospërzgjedhjes së biznesit “Happy Feet” për grantin. Ata ishin mjaftuar me vetëm një publikim të listës së përfituesve.

“E-mail direkt për refuzim të granitit nuk kemi marrë. Sepse rezultatet janë shpallur në listë. Nga MIN nuk kemi marrë asnjë arsyetim përse projekti ynë nuk është përzgjedhur”, thotë Kamberi. Happy Feet kishte bërë përpjekje që ta prezantojë idenë e saj edhe jashtë Kosovës. Si projekt, ai është prezantuar edhe nëpër konferenca, forume si dhe gara të ndryshme të ndërmarrësisë jashtë vendit.

Duke filluar nga Tirana ku Happy Feet kishte qenë pjesë e garës “Get in the ring”, pastaj forumit të investitorëve në Beograd, e përkrahur nga EU4Tech, konferencën më të madhe rajonale PODIM, si dhe në konferencën më të madhe në botë në fushën e ‘Software as a service Saastr’ në Paris të Francës. Por në Kosovë, nuk kishte vend për këtë biznes të ri.

Buletini Ekonomik përmes Kërkesës për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar informata për këtë rast nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila tani funksionon si department në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Nga kjo ministri nuk janë përgjigjur edhe pas kalimit të afatit ligjor prej 7 ditësh. Në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike, është kërkuar raporti vlerësues i Komisionit mbi refuzimin e kërkesës së Happy Feet për mbështetje financiare.

Përveç MIN, Happy Feet kishte aplikuar për grant edhe në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, me po të njëjtat kërkesa, por që prapë ishte refuzuar mbështetja për projektin inovativ.

“Kjo ka qenë ministria e parë shtetërore që kemi aplikuar për grant me të njëjtat kërkesa sikurse tek MIN. Përvoja ka qenë e njëjtë pa ndonjë dallim prej MIN. Këtu vetëm një refuzim i thjeshtë ku tregonte se nuk ishte përzgjedhur projekti ynë dhe asgjë më shumë”, u shpreh Dhurata.

Sipas saj, idetë inovative në Kosovë nuk përkrahen sa duhet, ose nëse përkrahen, ato përkrahen shumë pak. Ajo thotë se më shumë ndihmë profesionale e financiare kanë marrë nga organizatat si: GIZ Kosovo, Kosova Women 4 Women, Global Mentoring Kosova dhe G7, si dhe nga ICK-ja për mentorim, se sa nga ministritë përkatëse, të cilat duhet ta kenë primare përkrahjen e bizneseve të reja, e sidomos atyre me ide inovative.

Ndryshe, raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019 për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka evidentuar një sërë shkeljesh në procesin e dhënies së granteve. Në dhjetëra raste, përfituesve iu dolën mjetet në llogari, por bizneset nuk ishin hapur kurrë.

Në bazë të nenit 8 të marrëveshjeve të lidhura ndërmjet MIN dhe përfituesve të granteve Startup, hapja e bizneseve si shoqëri tregtare është dashur të bëhet brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Kontratat ndërmjet MIN dhe përfituesve ishin nënshkruar me datë 04.09.2019 dhe ishin realizuar pagesat në llogari private të përfituesve. Sipas kontratës periudha e hapjes së bizneseve ishte gjashtë 6 muaj (deri në mars 2020). “Nga 48 mostrat e testuara, në 10 raste përfituesit e granteve Start-up nuk kishin hapur fare bizneset.” Kjo situatë është vlerësuar në kohën e procesit të auditimit në korrik të vitit 2020.

Sipas ministrisë, shkaqet e ngecjes së këtij projekti ishin si pasojë e riformatimit të Qeverisë dhe mos përcaktimit të qartë të vendimmarrjes në këtë proces. Kjo çështje mbetet të përcillet edhe në auditimin në vijim”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Inovacionit, për vitin 2019.

Mos hapja e bizneseve Start-up, sipas Auditorit, ndikon në mos përmbushjen e objektivave të ministrisë, e njëkohësisht kjo ka ndikim në shpenzimin e mjeteve të paarsyeshme dhe të paarsyetuara.

“Ministri duhet të siguroj monitorim adekuat të projektit Start-up, me qëllim të vlerësimit të objektivave të ministrisë. Kjo situatë kërkon një vlerësim rigoroz në këtë vit, të përcaktohen qartë përgjegjësitë në vendimmarrje, në mënyrë që të përmbyllet procesi i krijimit të bizneseve nga përfituesit, apo në të kundërtën të kthimit të mjeteve”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0