Marin Camaj, me mision për ta kthyer fitnesin në një proces të thjeshtë e të aplikueshëm nga të gjithë - Business Magazine Albania

Marin Camaj, me mision për ta kthyer fitnesin në një proces të thjeshtë e të aplikueshëm nga të gjithë

Instagram është kthyer në një platformë ku gjeni shumë këshilla për suksesin, gatimin, mirëqenien. Përceptimi për to mund të jetë i ndryshëm. Këshillat shpesh mund të jenë sipërfaqësore, të paarritshme, ose vijnë nga njerëz jo plotësisht të bindur për mesazhet e tyre. Mes trajnerëve të fitnesit dhe mirëqënies, ne na ka tërhequr vëmendje Marin Camaj. Dikush që nuk e njeh, shumë shpejt e kupton se këshillat dhe mësimet që ndan rreth stërvitjes dhe angazhimeve për një jetë më të shëndetshme janë plotësisht të vlefshme, të thella dhe të transmetuara me qëllim për t’ju mundësuar një rezultat. Marini është diplomuar si fizioterapist.  Në faqen e tij marin.camaj, ai ju tregon ushtrime që mund të bëni në shtëpi apo në natyrë. Ato, të kombinuara më këshillat për mirëushqyerjen dhe stilin e jetesës, do t’ju japin patjetër rezultat. Por, nëse kjo nuk ju mjafton, palestra e tij dhe kolegut të tij, me pamjen më të mirë të palestrave në vend (tek Liqeni), ju mirëpret. Mbi të gjitha, ju mirëpresin dy djem profesionistë dhe humanë, me të cilët do ta keni të lehtë rrugëtimin drejt një trupi dhe mendje fit.

Në profilin tuaj jepni këshilla, të cilat duken seriozisht të orientuara drejt mirëqënies dhe, jo vetëm një forme për të tërhequr ndjekës/klientë? Si e keni ndërtuar punën tuaj në fitness mes biznesit fizik dhe atij online?

Prej rreth 7 vitesh tashmë operoj si trajner personal me kohë të plotë. Kjo më ka mundësuar të punoj me persona të ndryshëm, me problematika dhe nevoja nga më të ndryshmet. Por, i vetmi disavantazh i kësaj lloj pune është kapaciteti i vogël që ke për të trajnuar apo informuar persona gjatë seancave që bën. Prandaj, vendosa të investoj kohën dhe eksperiencën time në profilin online, nga ku mund të prek e të informoj një numër të madh njerëzish. Patjetër, më merr tepër kohë, por mundohem t’i balancoj të dyja dhe përpiqem të jap 100% në çdo kontakt fizik apo online që kam me klientë/ndjekës.



Cilat janë sfidat tuaja për të siguruar rezultate me personat që drejtohen tek ju? Nga çfarë varet kryesisht rezultati?

Sfida ime është të njoh anën psikologjike të personit që stërvis. Përpiqem t’u shkoj në thelb problematikave apo nevojave dhe t’i jap një drejtim të saktë të procesit që ai duhet të ndjekë. Njerëzit janë tepër emotivë. Zgjedhjet tona shpesh ndikohen nga gjendjet e ndryshme mendore dhe emocionale. Në gjithë këto vite kam vënë re që sa më e lartë është inteligjenca emocionale tek një person, aq më i aftë është ai individ të ndjekë një rutinë fitnesi të shëndetshme (kryesisht stërvitje, ushqim, regjim gjumi) me disiplinë dhe duke patur kështu vërtetë rezultat të dukshëm fizik. Gjithashtu, dëshpërimi luan shumë rol. Pra, kur një person nuk e duron dot më gjendjen e tij aktuale dhe kërkon patjetër ndryshim, atëherë transformimi është më i thjeshtë.

 

A po zhvillohet në drejtimin e duhur fusha e shëndetit dhe mirëqenies, apo diçka kemi bërë gabim?

Po, kjo fushë po zhvillohet, por si çdo sektor tjetër krijon hapësira për abuzim. Me raste mund të keqpërdoret dëshpërimi dhe nevoja e njerëzve për ndryshim, duke promovuar shërbime apo produkte që mund të jenë dhe të dëmshme. Por, çdo ditë e më tepër njerëzit po informohen e po ndërgjegjësohen dhe kjo është shumë pozitive.

Ju jepni shumë këshilla në Instagram, ndaj nuk po ju kërkojmë këshilla. Por, duke u ndalur tek ju, për ccfarë ju ka ndihmuar më së shumti fitnesi?

Fitnesi është një mundësi për t’u lidhur me trupin, për të njohur më mirë aspektet fizike dhe mendore tonat. Është një sistem global që shkon përtej muskujve dhe dhjamit. Trupi ndikon tek mendja, mendja tek trupi. Kjo është puna e vazhdueshme që bëj me veten. Përpiqem ccdo ditë të ndërtoj trupin e mendjen, të jem në më të mirën time.

Si ka qenë trendi i frekuentimit të palestrës tuaj? Pozicionimi i saj afër liqenit mund t’ju mundësojë të shrytëzoni edhe liqenin, a e bëni këtë? Pra, a i nxirrni klientët tuaj edhe për aktivitet fizik jashtë?

Frekuentimi i palestrës tonë ka qenë i lartë, për shkak të ajrit të pastër dhe pamjes së parkut. Personalisht e përdor shumë pjesën e jashte të palestrës. Ka raste që stërvitemi zbathur në bar për të krijuar më tepër kontakt me tokën, gjë kjo jashtë mase e shëndetshme dhe për gjymtyrët dhe trupin në përgjithësi. Secili nga klientët e pëlqen shumë këtë pjesë të stërvitjes, pasi është diçka që mungon në përditshmërinë tonë. Sa më tepër natyrë, aq më mirë ndihet kushdo.

A jepni konsulenca dhe trajnim online, (të personalizuar ose në grup?)

Konsulenca bëj shpesh, por trajnime online akoma jo. Ndërkohë, po pres me padurim të vë në funksion një platformë për të cilën kam shumë kohë që po punoj dhe që do u vijë në ndihmë shumë personave, në mënyrë specifike dhe të detajuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0