Lançohet zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore - Business Magazine Albania

Lançohet zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore

Ministria e Financave lançoi sot skemën e Garancisë Rinore që synon të mbështesë punësimin e rreth 18 mijë të rinjve të moshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë në punësim, arsim apo formim profesional, të regjistruar për jo më shumë se katër muaj në strukturat e punësimit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Olta Manjani, mori pjesë në eventin e lançimit të zbatimit të Skemës së Garancisë Rinore.

Garancia Rinore është një program që do të zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian, me synim integrimin e rinjve në tregun e punës dhe fillimisht do pilotohet në tri bashki të vendit: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Përmes saj synohet të mbështeten në total rreth 18 mijë të rinj.

Zv.Ministrja Manjani tha se punësimi i të rinjve është një sfidë jo vetëm e vendit tonë, por edhe e gjithë rajonit dhe vendeve të BE-së. Përmes zbatimit të Skemës së Garancisë Rinore synohet aftësimi dhe punësimi i të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk marrin një edukim apo trajnim.

“Një nga mekanizmat e rëndësishëm në rritjen e aftësive profesionale dhe që na siguron trajtimin e të rinjve NEET, pra që nuk punojnë dhe nuk ndjekin kurse kualifikimi është Skema e Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Ne jemi të bindur se Garancia Rinore do të mbështesë të rinjtë, të cilët përballen me pengesa në gjetjen e vendeve të punës dhe fitimin e aftësive të rëndësishme për tregun e punës, duke çuar në mungesën e perspektivës për të ardhmen, e reflektuar në rritjen e kërkesës për emigracion”, u shpreh zj. Manjani.

Zv.ministrja Manjani shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim nxitjen e zbatimit të mekanizmave të duhur dhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët: biznesin, zyrat e punësimit, shkollat dhe qendrat profesionale, pushtetin qendror e lokal.

Zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore parashikon që të rinjtë e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit brenda një periudhe 4-mujore duhet të marrin një ofertë punësimi, trajnimi apo mësimi profesioni. Gjatë fazës së pilotimit, parashikohet të nisë zbatimi i këtij programi duke u mbështetur në punëdhënës të cilët operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë, me fokus të veçantë Turizmin dhe Energjinë. Programi do të prezantojë gjithashtu elementë të sistemit të dyfishtë, ku roli i punëdhënësit është më proaktiv dhe i rëndësishëm në trajtimin dhe punësimin e të rinjve.

Për këtë qëllim AKPA ka dizenjuar edhe një portal të dedikuar për Garancinë Rinore, i cili do të funksionojë si portë hyrëse dhe informative për të gjithë të rinjtë.


Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0