Konferenca Rajonale “Balkanomics” mbështet rritjen ekonomike dhe integrimin e ballkanit perëndimor - Business Magazine Albania

Konferenca Rajonale “Balkanomics” mbështet rritjen ekonomike dhe integrimin e ballkanit perëndimor

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata Creative Business Solutions (CBS) organizuan Konferencën “Balkanomics”, një konferencë rajonale që synon të mbështesë dhe nxisë mundësitë e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Për herë të parë, konferenca bashkoi ekspertë ndërkombëtarë, biznese, institucione financiare, partnerë zhvillimi dhe politikëbërës për të eksploruar zgjidhje inovative dhe për të ndërtuar partneritete që nxisin progresin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.

Konferenca dyditore u hap nga Mischere Kawas, Përfaqësuese e USAID për Shqipërinë, e ndjekur nga një panel diskutimi me David Wisner, të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, dhe Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri.

Duke theksuar se partneritetet e forta politike mund të përshpejtojnë nismat e zhvillimit të USAID-it dhe përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, David Wisner tha: “Ne besojmë në një integrim më të madh rajonal, i cili padyshim do të nxisë prosperitetin dhe rritjen në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri në veçanti, ne themi gjithmonë se fokusohemi në tre çështje madhore: mbrojtjen, demokracinë dhe biznesin. Në secilën prej këtyre fushave, ne po punojmë edhe me Bashkimin Evropian edhe me vendet anëtare për të parë llojin e ndryshimit dhe për të ndihmuar në nxitjen e ndryshimit që duam të shohim në rajon dhe në Shqipëri”.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, shpjegoi se si Bashkimi Evropian po ndihmon Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë të adresojnë sfidat strukturore ekonomike në kontekstin e procesit të integrimit në BE. Ai theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për konvergjencën ekonomike të rajonit dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE dhe zgjerimet e mëparshme të BE-së treguan ndikimin pozitiv që ka në konvergjencën ekonomike anëtarësimi në tregun e përbashkët të BE-së, i kombinuar me solidaritetin financiar. Plani ynë i Rritjes synon të nxisë rritjen ekonomike duke ofruar stimuj për reformat e nevojshme, përfshirë fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, duke ofruar njëkohësisht mundësi të rëndësishme për investime dhe duke nxitur integrimin ekonomik rajonal,” tha Gonzato.

Gjatë ditës së parë, konferenca u fokusua në tema thelbësore të USAID CATALYZE EoG në Ballkanin Perëndimor, si mobilizimi i aksesit në kapital për SME-të, rëndësia e financimit të tregjeve të kapitalit, inovacionet financiare dhe fuqia transformuese e dixhitalizimit dhe e-commerce.

Konferenca “Balkanomics” trajtoi gjithashtu standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse (ESG), financat e qëndrueshme dhe rolin e partneritetit publik dhe privat në nxitjen e progresit të politikave ESG.

Konferenca njoftoi gjithashtu takimin e ardhshëm të rrjetit ESG në Shqipëri, i cili do të zhvillohet më 16 shtator 2024. Në ditën e dytë të konferencës foli edhe Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Partneri strategjik i konferencës, Mario Bracci, Drejtor i Përgjithshëm i Titan Albania dhe President i ESG Albania, prezantoi praktikat më të mira që mbështesin përshtatjen e bizneseve me politikat e ESG në Shqipëri.

Konferenca debatoi gjithashtu tema të tilla si perspektivat e kapitalit privat në rajon, standardet bankare për projektet e gjelbra, iniciativat e Dhomës Amerikane të Tregtisë për përqafimin e ESG dhe shfrytëzimin e FinTech dhe Inteligjencës Artificiale (AI) për inovacionin e biznesit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0