Kush është Toljan Papajorgji?
Toljan Papajorgji ka lindur në Vlorë në 1980-ën. Ka mbaruar gjimnazin në shkollën Ali Demi dhe ka kryer studimet e larta në Selanik te Greqisë, ku u diplomua për Marketing.
Në 2005-ën kthehet në Shqipëri duke filluar punë në një kompani lokale në pozicionin e Menaxherit të Shitjeve dhe të Marketingut.
Më pas në 2008-ën punësohet pranë kompanisë Praktiker ne pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Dyqanit ku për rreth 1 vit është trajnuar në Greqi të zyrat qëndrore të kësaj kompanie. Në vitin 2011 bëhet pjesë e një grupi të vogël personash të cilët kishin për detyrë projektin e hapjes së dyqanit të parë Jumbo në Tiranë.
Këtu iu besua roli i drejtuesit të këtij grupi, rol të cilin vazhdon e mban edhe sot por tashmë me një kompani rajonale e cila numëron shumë suksese të arritura në fushën e saj.
Profesioni / Fusha e Ekspertizës: Drejtor i një kompanie në fushën e shitjeve me pakicë për Shqipërine dhe Kosovën
Pozicioni aktual në kompani: Drejtor Ekzekutiv (C.E.O.)
Hobi: Udhëtimet, sportet ujore, volley.
1. Toljan Papajorgji dhe Jumbo, kur nisi kjo ‘marrëdhënie’ dhe cilat ishin hapat drejt pozicionit tuaj aktual?
Unë jam pjesë e kësaj kompanie prej me shumë se 4 vjet e gjysmë. Në Jumbo kam filluar si Drejtor i Dyqanit dhe shumë shpejt fillova të angazhohesha në të gjitha departamentet e kompanisë, duke kaluar në pozicionin e Menaxherit të gjithë Njësisë. Pas dyqanit të parë në TEG, u hap ai në QTU dhe unë u emërova në rolin e Drejtorit Ekzekutiv të Kompanisë.
2. Në sa vende operon Jumbo? Cili është misioni i kompanisë dhe vlerat e saj?
Jumbo është një Brand i ardhur nga Greqia, ku dyqanin e tij të parë e daton në vitin 1987. Në 2015 Jumbo numëron më shumë se 80 dyqane të shtrira në të gjitha vendet e Ballkanit si në Greqi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Qipro, Rumani dhe në Maqedoni. Në vendin tonë dyqani i parë Jumbo hapi dyert për konsumatorin shqiptar në Nëntor të vitit 2011 në Qendren TEG. Ky Brand vjen në vendin tonë, nëpërmjet grupit më të madh në Shqipëri, BALFIN. Kompania është në zgjerim të vazhdueshëm duke ardhur më pranë konsumatorëve me produkte të shumëllojshme dhe me çmime shumë konkurruese. Gama e gjerë e produkteve, me cilësi të lartë dhe çmimet konkurruese janë pikat tona të forta, ato të cilat na bëjnë të besueshëm dhe të suksesshëm njëkohësisht.
3. Si klient dhe baba i 2 fëmijëve, prania e Jumbos në Shqipëri më është dukur si prurja e duhur; Po ju si e konsideroni përvojën e Jumbo në Tregun shqiptar?
Mendoj se jo vetëm Jumbo por të gjitha kompanitë të cilat hyjnë në tregun Shqiptar me standardet e tregut Europian duhen përshëndetur. Të gjitha këto kompani sjellin në vendin tonë një standard të ri gjithëpërfshirës. Shqipëria konsiderohet si një treg i vogël, por qe kurrsesi nuk duhet anashkaluar. Edhe unë si prind i dy femijëve mendoj se Jumbo eshte kombinimi më i mirë i cilësisë, larmisë dhe çmimit. Produket jumbo janë të çertifikuara për vendet e Bashkimit Evropian.
4. Si e shikoni klimën e biznesit në Shqipëri në përgjithësi dhe në sektorin tuaj në veçanti? Po në Kosovë?
Në përgjithësi në Shqipëri, ashtu siç edhe dihet niveli i informalitetit është në nivele shumë të larta. Ky informalitet ndikon padyshim edhe në sektorin e shitjeve me pakicë, ku ne bëjmë pjesë. Këtu nje pikë e rëndësishme është kontrolli i cilësisë së produkteve p.sh. i lodrave, ku në treg mund të gjeni lodra të paçertifikuara dhe të dëmshme për shëndetin. Ndërkohe në Kosovë ekziston një klimë tjetër padyshim më favorizuese, ku informaliteti nuk është në këto nivele.
5. Duke qenë se operoni si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, përdorni një strategji biznesi për të 2 tregjet apo operoni me strategji të diferencuara për secilën?
Shqipëria dhe Kosova janë një komb, por dy shtete dhe mund të them që sjellja e konsumatorit ndryshon shumë në këto dy vende. Patjetër që duke ndjekur të njëjtën linjë politike të kompanisë përdorim strategji të ndryshme biznesi të përshtatura sipas nevojave të secilit vend në veçanti. Kosova ka trashëguar një sistem të ish-Jugosllavisë, i cili ishte më i hapur drejt tregut dhe si rrjedhojë sektori i shitjeve me pakicë është më i strukturuar. Ndërsa në Shqipëri ky sektor është akoma në fazat e para, të mos harrojmë që vetëm para 10 vjetëve kemi parë të hapë dyert supermarketi i parë në Shqipëri.
6. Cilat janë planet e Jumbo-s për të ardhmen? Sfidat tuaja të ardhshme?
Jumbo është një kompani që është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja dhe që është gjithmonë në përmirësim. Një nga planet për vitin e ardhshëm është hapja e 3 dyqaneve në Shqipëri dhe 4 dyqaneve në Kosovë. Në këtë mënyrë i vijmë më afër konsumatorëve duke i ofruar shërbimin dhe cilësine tonë.
7. Sa e vështirë është të drejtosh një biznes të këtyre përmasave? Duke qenë dikush që i shërbeni me punën tuaj fëmijëve të Shqipërisë dhe Kosovës, gjeni kohë për fëmijët tuaj?
Mendoj se një nga mënyrat më efektive të drejtimit të një kompanie të çfarëdo përmase është menaxhimi i saktë i personelit. Aseti kryesor i një kompanie janë njerëzit që punojnë për të. Prandaj përzgjedhja e tyre, përcaktimi i saktë i përgjegjësive dhe detyrave të gjithësecilit dhe motivimi, janë pika të cilat bëjnë recetën e mirëfunksionimit të një biznesi shumë efektiv.
Për sa i përket familjes besoj kjo është një temë e madhe, ku pjesa më e madhe mendojnë se familja dhe puna janë në kahe të kundërta dhe nuk mund t’i përkushtohesh të dyjave me të njëjtin intensitet. Unë mendoj se ekziston gjithmonë një ekuilibër midis të dyjave, i cili te njerëz të ndryshëm është i ndryshëm dhe gjithashtu besoj se një menaxher i mirë do dijë te menaxhojë dhe këtë ekuilibër.
8. Në kuadrin personal, çfarë ju motivon në punë dhe në jetë? Keni ndonjë model të cilit i referoheni në punën tuaj?
Mendoj se një njeri duhet të përpiqet të bëjë në jetë ato gjëra të cilat kanë kuptim për të dhe i japin kënaqësi. Kjo si në aspektin personal ashtu dhe profesional, pra të krijojë familje se i pëlqen dhe jo se duhet, të bëjë një pune nga e cila ndjen kënaqësi dhe jo t’i ofrojë të kundërtën. Sidomos kjo e fundit pasi në pune kalojmë pjesën më të madhe të ditës. Mendoni një njeri i cili vjen në punë pa dëshirë dhe me detyrim, atëherë as puna nuk do të bëhet siç duhet, por as ai person nuk do të jetë i kënaqur me jetën e vet.
9. Së fundmi, meqënëse Business Mag Albania ka si synim frymëzimin e të rinjve në rrugën e tyre drejt sipërmarrjes, ju si drejtues me përvojë, çfarë këshille do të jepnit për ata që duan të fillojnë rrugën e Sipërmarrjes në Shqipëri?
Mendoj se çdo njeri i cili vendos një qëllim real dhe të caktuar në jetën e tij dhe e beson këtë, atëherë ai mund ta realizojë këtë qëllim.
Pra çdo njeri pa asnjë dallim mund të bëhet i suksesshëm, nëse ai vërtet e do këtë. Nëse je këmbëngulës, ambicioz, bashkëpunues, i drejtë, kërkues ndaj vetes, atëherë është e sigurt se pas një kohe jo të gjatë do ta vrojtosh veten duke ngjitur shkallët e karrierës në çfarëdo fushe bën pjesë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.