Walmart bëhet kompania e parë e shitjes me pakicë që arrin vlerën e tregut 1 trilion dollarë - Business Magazine Albania

Walmart bëhet kompania e parë e shitjes me pakicë që arrin vlerën e tregut 1 trilion dollarë

Walmart bëhet kompania e parë tradicionale e shitjes me pakicë që arrin vlerën e tregut 1 trilion dollarë
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Walmart është bërë kompania e parë tradicionale e shitjes me pakicë në botë që arrin një vlerë tregu prej 1 trilion dollarësh (rreth 730 miliardë paund), duke hyrë kështu në një “klub elitar” të dominuar kryesisht nga kompani teknologjie.

Ky moment historik reflekton rritjen e fortë të biznesit online të gjigantit amerikan të retail-it, suksesin në tërheqjen e konsumatorëve të ndjeshëm ndaj çmimeve, si edhe besimin e Wall Street në investimet e Walmart në inteligjencën artificiale (AI).

Me këtë arritje, Walmart i bashkohet kompanive me kapitalizim mbi 1 trilion dollarë, ku dominojnë emra të teknologjisë si Nvidia dhe Alphabet (Google). Aksionet e kompanisë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit dhe vetëm të martën shënuan një rritje mbi 3%.

Walmart mbetet rrjeti më i madh fizik i shitjes me pakicë në SHBA dhe është i njohur për politikat e çmimeve të ulëta. Kompania ka përfituar nga tendenca e konsumatorëve me të ardhura më të larta që po kalojnë drejt produkteve më të lira, në një kohë kur tregu i punës po ftohet dhe inflacioni vijon të ushtrojë presion mbi buxhetet familjare. Paralelisht, shërbimet e shpejta të dërgesës në shtëpi kanë tërhequr klientë nga pothuajse të gjitha kategoritë e të ardhurave.

Në raportin e fundit financiar të publikuar në nëntor, Walmart raportoi rritje të fortë të shitjeve në sektorë kyç si ushqimet dhe veshjet.

Lexo edhe: Nga Kosova dhe Shqipëria drejt Silicon Valley: Plug and Play, shtëpia e hershme e Google dhe PayPal, investon në kidsday

“Walmart është më i mbrojtur se pothuajse çdo kompani tjetër, falë ofertës sonë të fortë të vlerës për konsumatorin,” është shprehur drejtori financiar i kompanisë, John David Rainey.

Drejtuesit e Walmart kanë deklaruar gjithashtu se ndikimi i tarifave tregtare të vendosura nga administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, ka qenë më i kufizuar nga sa pritej fillimisht. Edhe pse tarifat kanë rritur çmimet e disa produkteve si elektronika dhe lodrat, përmasat dhe fuqia negociuese e Walmart e kanë ndihmuar kompaninë ta përballojë këtë presion më mirë se rivalët e saj. Biznesi online i Walmart e ka pozicionuar kompaninë si një konkurrent serioz të Amazon. Shitjet online në SHBA u rritën me 28% në tre muajt deri më 31 tetor, të nxitura nga porositë online dhe reklamat digjitale. Megjithatë, Amazon mbetet shumë përpara në vlerë tregu, me rreth 2.6 trilion dollarë.

Entuziazmi i investitorëve në Wall Street është ushqyer edhe nga adoptimi i inteligjencës artificiale nga Walmart. Kompania njoftoi në tetor një partneritet me OpenAI, që u mundëson klientëve dhe anëtarëve të Sam’s Club të planifikojnë vakte, të rimbushin furnizimet ose të zbulojnë produkte të reja përmes një bisede të thjeshtë në chat. Arritja e pragut prej 1 trilion dollarësh përkoi me javën e parë të John Furner si CEO i ri i kompanisë, i cili është shprehur hapur në mbështetje të investimeve në AI dhe transformimin digjital të Walmart. Vendimi i Walmart për të transferuar aksionet nga Bursa e Nju Jorkut (NYSE) në Nasdaq, bursë e njohur për kompanitë e teknologjisë, e ka përforcuar më tej mesazhin se kompania synon të pozicionohet si një aktor i fortë digjital, jo thjesht si një retailer tradicional.

Edhe pse Walmart është kompania e parë tradicionale e retail-it që hyn në “klubin e 1 trilion dollarëve”, kjo listë vijon të dominohet nga gjigantët e teknologjisë. Ndërkohë, Berkshire Hathaway e kaloi këtë prag në vitin 2024, ndërsa kompania farmaceutike Eli Lilly e tejkaloi përkohësisht vlerën 1 trilion dollarë vitin e kaluar, përpara se të binte sërish nën këtë nivel.

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Kurdoherë që shihni një person të suksesshëm, ju shihni vetëm lavditë publike dhe asnjëherë sakrificat private që janë bërë për t’i arritur ato.”
— Vaibvah Shah
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0