Ismail Hoxha: Një bankier eksplorator, në zbulim të Shqipërisë - Business Magazine Albania

Ismail Hoxha: Një bankier eksplorator, në zbulim të Shqipërisë


Nga bankat e shkollës, drejt e në bankë, dhe nga banka drejt e në prehër të natyrës. Ky është Ismail Hoxha, djaloshi që gjithkush mund ta ketë zili, sepse si pak të tjerë i ka rënë Shqipërisë cep më cep, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke eksploruar shtigjet e pafundme natyrore, por edhe fortesat kulturore të vendit me djemtë dhe vajzat e Klubit të tij Discover Albania. Dhe ndonëse ka filluar ta bëjë këtë që në vitin 2007, thotë se ky është vetëm fillimi. Çfarë do t`i mbetet për të zbuluar në dekadën e ardhshme? Zbulojeni vetë…

1. Kur ka filluar aktiviteti i Klubit Discover Albania?

Klubi Discover Albania në fillim është hapur me emrin Klubi Kampistave, pastaj më vonë u transformua në Klubi Kampistave Discover Albania dhe pastaj vendosëm që përfundimisht ta quajmë Klubi Discover Albania. Arsyeja është e thjeshtë dhe e pranueshme, për faktin që në fillimet tona ne kemi filluar me udhëtime një ditore të cilat kishin të bënin me kampingun, ku kryesisht ishin mosha më të vogla që udhëtonin me ne, përmendim këtu kampin e Jalës ose të Jalit siç quhet në gjuhën autoktone të vendasve dhe më vonë vendosëm që duke qënë se kaluam tek udhëtime pak më të mirë organizuara, pak me më shumë komoditet siç ishin hotelet, vendosëm ta quajmë thjesht Klubi Discover Albania. Udhëtimi i parë që kemi bërë ka qenë më 14 Mars 2007.

2. Ti je një djalë që gjithë javën punon në bankë dhe fundjavën tënde e mbush me një aktivitet krejtësisht të ndryshëm, siç është natyra me aventurat e saj. Pse?

Kuptohet që në kohën kur kam filluam të merrem me themelimin e Klubit kam qenë akoma student në vitin e dytë në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ndërkohë kam qenë një ndër personat më aktivë duke u marrë me strukturat studentore dhe kjo më bënte që të isha i mësuar tashmë me dy angazhime njëherësh. Më vonë isha në kërkim të një pune që më plotësonte gjithë kuadrin e studimit të kryer, jo se te Klubi nuk e gjej këtë sepse edhe Klubi tashmë kërkon shumë aftësi menaxhuese, mund të duken dy gjëra që janë të ndryshme, por janë shumë të pranueshme. Unë kam më shumë se dy vjet e gjysmë që punoj te Alpha Bank dhe realisht është një kombinim shumë i mirë për faktin që banka të jep nje javë punë ku ti mund të rritesh profesionalisht në drejtimin tënd sipas profilit që ke studiuar dhe nga ana tjetër pikërisht aty ku mbaron pjesa e të qenit gjatë gjithë javës në një zyrë përpara kompjuterit duke punuar të duhet pjesa tjetër e relaksit. Pjesë e cila ndoshta për shumë persona kur e dëgjojnë nga unë u duket si punë gjatë javës dhe punë gjatë fundjavës u them që nuk është kështu, unë vetë e shoh fundjavën më shumë si dëshirë dhe kënaqësi timen se sa e ndjej si çështje pune.

3. Cili ka qenë udhëtimi i parë që organizuat me Klubin dhe sa persona kishit në grup?

Udhëtimi i parë që kemi organizuar me klubin ka qenë në Malin e Dajtit. Siç e thashë udhëtimi i parë ka qenë me 14 Mars 2007, ishte dita e verës dhe një ditë me diell në Tiranë. Grupi ishte i këndshëm dhe i plotë. Kemi qenë rreth 18 persona dhe pjesa më e madhe ishin të njohur, miqtë e mi ose miqtë e miqve të mi. Me një pjesë prej tyre ishim larguar edhe herë të tjera nga Tirana, por ajo ka qenë hera e parë kur u idetifikuam si klub, dhe vendosem që këtë gjë ta bëjme të mundur për të gjithë ata që kanë dëshirë. Në atë kohë i kemi vendosur emrin Klubi i Kampistave, e më pas e transformuam në klubi i Kampistave “Discover Albania”, që tashmë është pjekur në Klubi “Discover Albania”.

4. Çfarë nënkupton të jesh anëtar i një klubi me aktivitete në natyrë?

Të jesh anëtar i Klubit “Discover Albania”, mendoj dhe besoj që është privilegj dhe kërkon shumë përkushtim. Që në fillim, jemi kujdesur që ta quajmë Klub dhe jo Agjensi ose emra të tjerë me efekt biznesi. Të jesh anëtar i klubit duhet që të kesh pasion për aventurat, duhet të duash Shqipërinë, duhet ta mbash pastër atë, duhet që të jesh gjithmonë i buzëqeshur dhe mbi të gjitha të kënaqesh. Të jesh anëtar i Klubit do të thotë të kesh privilegjin e madh që çdo fundjavë të shohësh diçka të re, të njohësh se sa e bukur është Shqipëria jonë. Thethi, Valbona, Lura, Razma, Lëpusha, Kelmendi, Dhërmiu, Gjiri i Gramës, Karaburuni, Gjiri i Shën Andreas, Gjiri i Dafinës, Krorëzi, Kakomeja, Ksamili, Dardha, Voskopoja e shumë të tjera perla të Shqipërisë, duke qenë pjesë e klubit ke mundësine t`i shohësh të gjitha dhe me pak shpenzime… Jo vetëm këto, por edhe udhëtimet që janë pak më me ritëm siç janë guidat ditore duke filluar nga mali i Dajtit, Shëngjergji, Qafshtama, Kepi i Rodonit, Rana e hedhun, Veleçiku, Mali i Korabit, Jezerca, Shishtaveci e shumë e shumë të tjera… në fund kur shikon se sa e ke eksploruar Shqipërinë, ndjen që je i privilegjuar, jo vetëm nga përvoja e përfituar, por edhe nga të mirat që i ke dhënë shëndetit tënd duke e mbajtur trupin aktiv dhe duke bërë një jetë plot adrenalinë, e mbi të gjitha dhe sa miq të rinj ke fituar gjatë kësaj kohe që ndajnë të njëjtin pasion me ty. A nuk është Privilegj?

5. Ka një moshë mesatare të pjesëmarrësve në udhëtimet tuaja apo mosha nuk ka kufi?

Në një udhëtim në Theth ishte një pjesëmarrës rreth 80 vjeç, ishtë në krye të grupit në pjesën më të madhe të udhëtimit, duke i bërë karshillëk të gjithë grupit. Nga aty kemi kuptuar që mosha kë rëndësi, por ajo e shpirtit dhe jo mosha e viteve. Në fillimet tona ka patur një moshë që ishte nga 20-25 vjeç, ndërsa sot mosha është rritur nga 25-40 është grupi mesatar i pjesëmarrësve, ose rreth 60% e pjesëmarrësve. Por gjithmonë nuk mungojnë në udhëtimet tona edhe moshat e tjera. Ekstremet janë nga 1 vjeç deri në 86 vjeç. Dhe duhet të themi që fëmijët janë ata që kënaqen më shumë në udhëtimet tona.

Këtu do të ndalem pak dhe do të marr pak më shumë kohë, sepse dua të vë theksin që ne kemi një kriter tjetër për pjesëmarrjen që është me shumë rëndësi:

Vështirësia e Guidës
Udhëtimet e fundjavës në pjesën më të madhe janë për të gjithë, ndërsa udhëtimet ditore janë të niveleve të ndryshme dhe pjesëmarrja nuk është e lirë. Kemi 5 Nivele që janë: Niveli i lehtë, i Moderuar, Sfidues, i Vështirë, Shumë i Vështirë dhe Extrem. Secili nga këto nivele ka përshkrimet përkatëse që kanë të bëjnë me lartësinë maksimale, gjendja e shtegut, kilometrat e përshkuar, largësia nga qendra shëndetsore më e afërt etj etj. Sa për të krijuar një ide, Mali i Dajtit është i Moderuar, Ndërsa Jezerca është Shumë i Vështirë, dhe këtu ne nuk marrim çdo person që ka dëshirë, por ata që kanë përgatitjen fizike dhe psikologjike.

6. Ku janë të përqendruara turet ose udhëtimet tuaja?

Udhëtimet tona janë të shtrira në të gjithë Shqipërinë duke filluar rreth e qark Tiranës e deri në pjesën më ekstreme në Vermosh dhe në Jug, ku kemi pasur edhe udhëtime në Konispol, jo thjesht si rastësi pikash gjeorafike ekstreme po sepse janë zona që kanë interes, sidomos Vermoshi, që është vërtet i kërkuar. Nga ana tjetër nëse flasim për ture dua të theksoj që Klubi është i pari që ka krijuar ture enkas për shqiptarët brenda Shqipërisë, të Jugut dhe të Veriut veçanërisht i Jugut që është një tur që përfshin të gjithë Rivierën, përfshirë Sazanin që më në fund u hap. Të shëtisëshë me skaf apo edhe me këmbë pjesërisht në plazhet dhe gjiret më të bukura të Karaburunit, Gramën, Shpellën e Haxhi Alisë, gjithë Rivierën, deri në Krorëz e Ksamil, me një çmim të pranueshëm, besoj ishte një ofertë e mirë prandaj u përqafua. Po kështu turi i Veriut ishte vërtet interesant sepse kishte pjesët më të bukura duke filluar nga Lura, Razma, Thethi, Valbona, dhe duke pasur një kombinim shumë të bukur të tyre, nëpërmjet menaxhimit të mirë të kohës, zbulon Alpet dhe gjithë Veriun. Po kështu edhe Juglindja është pjesë e tureve tona me përqëndrim Dardhën ,Voskopojën etj. kurse, nëse marrim brigjet, kemi pjesën e Kepit të Rodonit, Plazhin e Gjeneralit, Spillenë, Kallmin, Ranën e Hedhun, e shumë destinacione të tjera. Discover Albania është në të gjithë Shqipërinë.

7. Sa anëtarë ka Klubi sot dhe a janë ata të pranishëm në të gjitha udhëtimet apo jo?

Mbi 500 Grupe nga plazhet e Rivierës e deri te lartësite e Alpeve, duke i rënë cep më cep Shqipërisë, nga Toka, Deti, Ajri.

Më tepër se 20,000 pjesëmarrës në guidat tona, ku falë përkushtimit të stafit çdokush e ndjen veten si mik në udhëtimet e klubit. 720 Guida të organizura, në çdo drejtim të Shqipërisë. Pjesëmarrës nga 1 deri në 86 vjeç. Pjesëmarrës nga 45 shtete të ndryshme të botës, që kanë shpërndarë një copë të historisë dhe bukurisë shqiptare në botë. Më tepër se 120,000 ndjekës në faqen tonë në FB Klubi Discover Albania dhe rreth 400,000 klikime në faqen e internetit.

8. Sa mendon se e keni zbuluar Shqipërinë deri tani?

Shumë, por ndonjëherë sa më shumë e zbulon aq më shumë e kupton që ke akoma për të parë. Në të gjitha destinacionet që ne kemi shkuar, jemi munduar fillimisht të marrim miratimin e banorëve që jetojnë atje, duke u shpjeguar se çfarë të mirash sjell turizmi dhe lëvizja dhe si ata të mbrojnë vendet që kanë vërtet interes për turistët, dhe sa herë që shkojmë atje, gjejmë një mikpritje shumë të mirë dhe gjithmonë na rrëfejnë gjëra të ndryshme. Nëse ne shkojmë për të parë një burim a një ujëvarë, ata na sugjerojnë edhe një liqen ose diçka tjetër që s’e kemi parë. Në udhëtimet tona bukuria nuk gjendet vetëm te destinacioni final, tek ujëvara ku ti shkon, por gjatë të gjithë udhëtimit, peisazhet që të ofron Shqipëria në çdo lloj drejtimi janë vërtet mahnitëse. Dhe një zonë nuk është e bukur vetëm sepse ka natyrë apo histori, por edhe njerëz mikpritës që na e pasurojnë udhëtimin me gjëra të reja, që kanë filluar të mbrojnë vendin e tyre sepse e kuptojnë që ai vlen, vlen tashmë në shumë drejtime.

9. Ju keni filluar t’i shtrini udhëtimet tuaja dhe përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë, në trevat shqiptare përreth saj. A del kjo gjë jashtë filozofisë së Klubit?

Në një poezi të Fan Nolit, ai shprehet që Drini i madh dhe i bukur kalon mespërmes Shqipërisë, duket e çuditshme pasi Drini kalon në pjesën e Kukësit, Komanit, Shkodrës derisa derdhet në det. Por Fan noli, me këtë ka patur parasysh një Shqipëri më të madhe, aty ku ka treva shqiptare. Shtrirja jonë e deritashme ka qenë mjaft e kontrollueshme, nëpër zona ku flitet shqip dhe ka shqiptarë, dhe ne si klub kemi vendosur që s’do të ketë udhëtime në asnjë zonë ku nuk ka shqiptarë. Ne shkojmë vetëm ndër ato vende ku flitet shqip, jo sepse jemi të ngurtë, por sepse fillimisht mendojme të eksplorojmë vendin tonë, trevat tona dhe me pas të eksplorojmë botën.

Kryesisht udhëtimet tona janë të shtrira në Shqipëri dhe Kosovë, ku në Kosovë përfshihet i gjithë territori i saj, por gjithashtu edhe në disa zona të Maqedonisë ku kryesisht flitet shqip, siç është zona e Tetovës, dhe shumë shpejt kemi dëshirë të eksplorojmë Plavën dhe Gucinë që gjenden në Malin e Zi. Një ndër udhëtimet që ne bëjmë është “Majat e Ballkanit”, dhe është një udhëtim i cili bashkon Kosovën, Mali e Zi e Shqipërinë, dhe është një ndër udhëtimet më të bukura.

10. A janë guidat tuaja mjaftueshëm të përgatitura për të drejtuar grupet e të rinjve në shtigjet e panjohura të Shqipërisë?

Grupet tona nuk përbëhen vetëm nga mosha të reja, por nga të gjitha moshat, të cilët kanë dëshirën për të qenë pjesë e udhëtimeve tona.

Guidat tona janë të çertifikuara, si dhe janë vajza dhe djem të cilët kanë mbaruar universitetin e sporteve duke i shtuar një element edhe më të rëndësishëm guidave tona. Ata nuk janë vetëm të përgatitur fizikisht, por njohin edhe terrenin, si dhe në raste emergjence kanë njohuritë e duhura për të vepruar dhe për t’i dhënë zgjidhje situatës. Përvoja e gjatë e jona ka bërë që ne të vendosim dhe standarte të reja, ndonëse shpesh nuk janë të kërkuara, por ne mendojmë se janë masa të cilat duhen marrë për të shtuar sigurinë e grupeve tona, sikundër është njohja e terrenit, analizimi i tij, gjithashtu vijëzimi dhe shpesh kemi bërë selektim për njerëz të cilët mund të kishin deshirën, por e kishin të pamundur për shkak të ndonjë dëmtimi fizik për t’u bashkuar me grupet tona.

11. A është ky aktivitet një biznes apo pasion për ju? Në të dyja rastet pse?

Nëse do kishte qenë biznes, në fillimet e tij s’do të kishte funksionuar, mbi të gjitha, duhet të jesh guidë që të kuptosh që gjithçka është pasion, që komunikon me njerëz të ndryshëm, kur merr komplimenta për një udhëtim fantastik, kur gëzohesh se po promovon vendin tënd, por edhe kur ka lodhje, ngjitje në male, udhëtime të largëta, probleme që kërkojnë zgjidhje, nga të gjitha këto e kupton që është pasion.

Por nga ana tjetër është një kompani që tashmë është pozicionuar si lider në treg, për kategorinë e udhëtimeve që ofrojmë. Kjo sigurisht që ka ardhur me shumë punë, por mbi të gjitha, nga përkushtimi që është treguar nga ata që punojnë për Klubin. Nëse s’do të kishte pasion, do ishte shumë e vështirë, nuk do kishte zhvillim. Klubi, shquhet ndër të tjera sepse ka identitet, ka shpirt dhe ka risi. Çdo person që punon te Klubi, është shumë i dashuruar me të, dhe të gjithë jemi si një ekip që punon për të mirën e Klubit.

12. Ku e shikon ti veten në të ardhmen dhe sipas teje kjo e ardhme është e afërt apo e largët?

Të ardhmen,… këto janë ato pyetje që të bëjnë të reflektosh pak me veten, për të berë një planifikim. Planifikim ky që ndonjëherë varet edhe nga impulsiviteti që ke në ato momente. Unë shoh një rritje të turizmit, mbi të gjitha duke rritur shërbimet, duke zhvilluar infrastrukturën, duke ofruar kushte, duke ofruar dhe patur më shumë informacion.

Nga ana tjetër, duke e mbrojtur turizmin, duke mos e shkatërruar atë që në hapat e parë, të kemi jashtëzakonisht kujdes me sjelljet ndaj turistëve, të jemi sa më të dashur, sepse ata nuk vijnë vetëm për bukuritë e vendit, por edhe për bukurinë e sjelljes njerëzore. Mikpritja, duhet të jetë kryefjalë e çdo zone në Shqipëri.

Gjithashtu edhe ne vetë, operatorët e shërbimeve turistike, duhet të jemi më të ndërgjegjshëm, që përpara se të bëjmë programet, ta shohim veten si turist dhe jo të abuzojmë me itinerare, ture, guida që cungojnë qëllimin. Kujtoj këtu, se nëse një turist shkon në Valbonë dhe nuk kënaqet nga kushtet e shtëpisë, ai do mendojë që Valbona kishte kushte shume të këqija, por në fakt është krejt e kundërta, dhe për këtë, ne duhet të jemi më vigjilentë, që t’i orientojmë turistët në vendet e duhura, aty ku ka shërbim, mikpritje dhe vlera.

Klubi Discover Albania do të marrë pjesë në Panairin Ndërkombetar të Turizmit që zhvillohet në Berlin 9-13 Mars, i ftuar si një nga kompanitë që operon në Shqipëri në të gjithë territorin e saj. Ky është një tjetër stad dhe që tregon që ne po rritemi dita-ditës, tashmë na pret një pune e madhe dhe shpresojmë, edhe shume kënaqesi për të marrë, prej turistëve nga e gjithë bota, që do vizitojnë Shqipërinë e Bukur.

 

/Travel Magazine

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0