Konflikti në Lindjen e Mesme paralizon linjat ajrore, çfarë duhet të dini si udhëtar - Business Magazine Albania

Konflikti në Lindjen e Mesme paralizon linjat ajrore, çfarë duhet të dini si udhëtar

Sektori i aviacionit komercial në Lindjen e Mesme vijon të jetë i paralizuar për të tretën ditë radhazi, me hapësira ajrore të mbyllura dhe operacione të pezulluara në aeroportet kryesore, pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit.

Që nga e hëna, 2 mars, Bahreini, Irani, Iraku, Izraeli, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite, Siria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar mbyllje të plotë ose të pjesshme të hapësirës së tyre ajrore. Situata ka detyruar pezullime, anulime dhe devijime masive fluturimesh, duke lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar në mbarë botën.

Sipas platformës së monitorimit të fluturimeve Flightradar24, vetëm të dielën u anuluan mbi 3,400 fluturime në shtatë aeroporte kryesore rajonale, përfshirë Dubai International Airport, Hamad International Airport dhe Zayed International Airport.

Pasagjerë në pritje: “Askush nuk e di çfarë po ndodh”

Paqartësia mbi kohëzgjatjen e krizës ka lënë udhëtarët në një situatë pezull. Jonathan Escott, i cili do të udhëtonte nga Anglia drejt Dubait me Emirates, zbuloi në aeroport se fluturimi i tij ishte anuluar.

“Askush nuk e di. As Emirates nuk ka informacion të qartë. Askush nuk e di çfarë po ndodh realisht me konfliktin,” tha ai.

Pamje nga Rafik Hariri International Airport në Bejrut tregojnë pasagjerë të grumbulluar në terminale, duke pritur zhvillime të reja.

Aeroportet kyçe nën goditje

Në kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite, Irani lëshoi një seri sulmesh ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahreinin, Kuvajtin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet në Dubai raportuan katër të plagosur pas një sulmi me raketa, ndërsa në Abu Dhabi u konfirmua një viktimë dhe shtatë të plagosur pas një sulmi me dron. Goditje u raportuan gjithashtu pranë Kuwait International Airport.

Lexo edhe: Sulmi i Trump ndaj Iranit dhe skenari i ndryshimit të regjimit. Sa i rrezikshëm është ky bast?

Tre linjat ajrore kryesore të Gjirit, Emirates, Etihad Airways dhe Qatar Airways  zakonisht transportojnë rreth 90 mijë pasagjerë në ditë përmes këtyre qendrave.

Operacionet e pezulluara, mijëra devijime

Dubai Airports konfirmoi pezullimin e të gjitha fluturimeve në Dubai International dhe Al Maktoum International deri në një njoftim të dytë. Edhe operacionet në Hamad International Airport janë ndalur përkohësisht.

Sipas FlightAware, të paktën 145 avionë që ishin nisur drejt qyteteve si Tel Avivi dhe Dubai u devijuan drejt Athinës, Stambollit apo Romës. Një fluturim nga Filadelfia qëndroi gati 15 orë në ajër përpara se të rikthehej në pikën e nisjes.

Korridori ajror mbi Irak bosh

Harta live e Flightradar24 të dielën tregonte korridorin kryesor lindje–perëndim mbi Irak, zakonisht një nga “autostradat ajrore” më të ngarkuara mes Azisë dhe Europës pothuajse plotësisht bosh, një tregues i qartë i shkallës së ndërprerjes së trafikut ajror.

Cilat kompani janë prekur?

Dhjetëra kompani ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar ose anuluar fluturimet drejt rajonit, përfshirë Turkish Airlines, Air France, KLM, British Airways, Lufthansa, Delta Air Lines dhe Air India, ndër të tjera.

Shumë prej tyre kanë pezulluar fluturimet drejt Tel Avivit, Dubait, Dohas, Riadit dhe qyteteve të tjera deri në fillim ose mes të marsit.

A kanë të drejtë pasagjerët për kompensim?

Sipas ekspertëve të konsumatorit në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë se situata konsiderohet rrethanë e jashtëzakonshme, pasagjerët nuk kanë të drejtë për kompensim financiar për vonesat apo anulimet. Megjithatë, kompanitë ajrore të BE-së ose Britanisë duhet të ofrojnë asistencë, si ushqim, pije dhe akomodim, si dhe rimbursim të plotë në rast anulimi.

Ndërkohë, nëse konflikti zgjatet, linjat ajrore do të detyrohen të devijojnë fluturimet përmes korridoreve më të gjata, duke rritur kostot e karburantit, një faktor që mund të përkthehet shpejt në rritje çmimesh për udhëtarët.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0