Inovacioni dhe burimet njerëzore, çelës për sukses - Business Magazine Albania

Inovacioni dhe burimet njerëzore, çelës për sukses

Inovacioni, i ndërthurur me burimet më të mira njerëzore mundëson suksesin e padiskutueshëm të kompanisë. Në një intervistë për Businessmag flet Erion Serti, anëtar bordi për TI&Operacionet në Raiffeisen Bank Shqipëri. Një histori rritjeje, që kalon të gjitha shkallët e karrierës duke marrë kohën e duhur dhe duke qenë konsistent në arritjet hap pas hapi.

A mund të na flisni pak për karrierën tuaj profesionale dhe cili është rrugëtimi juaj në Raiffeisen Bank Albania?

Më duket larg dhe afër dita kur kam filluar. E kam nisur si ai djali që rregullon printerat, lidh pak tastierën. Ndonjëherë më kanë pyetur: “po instalime elektrike a bën”?

Dhe ja ku jemi sot, duke drejtuar atë që e quaj shtëpi, ku kam qenë dëshmitar për çdo gozhdë që është vendosur. Që nga dita e parë deri më tani, e përbashkëta ka qenë pasioni për teknologjinë, dëshira për t’ua bërë jetën njerëzve më të lehtë. Ka qenë një rrugëtim i natyrshëm, asnjëherë i mërzitshëm dhe gjithmonë me vizionin për të qenë me hapin e teknologjisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Udhëtim në të cilin çdo ditë, ndryshimi duket i vogël, por kur kthej kokën pas ka qenë marramendës dhe kuptimplotë.

Së fundi ju jeni edhe anëtar bordi. Cilat janë sfidat që shikoni si anëtar bordi i seksionit tuaj, si brenda bankës, ashtu edhe në industrinë bankare? Cili është vizioni juaj?

Njerëzit pa dyshim. Nuk mund të bësh asgjë pa ekipin e duhur.

Teknologjia është gjithmonë në funksion të lehtësimit të punës, por pa njerëzit me vizionin e duhur dhe guximin për të ndryshuar, inovacioni është i pamundur. Kjo sjell dhe sfidën për inovacion. Çdo gjë që bëhet në Raiffeisen Grup dhe Shqipëri mund ta konceptoni si startupe të vogla që inovojnë çdo ditë, mbi shpatullat e një gjigandi që operon prej mbi 100 vitesh në Europë dhe kudo njihet për besimin që klientët i kanë dhënë.

Inovacioni për ne nuk është thjesht një fjalë, por mënyrë jetese. Pyetja është, si do përmirësohemi çdo ditë?! Në një botë ku teknologjia është bërë jetike, është gjithashtu sfidë për ne të operojmë me të njëjtën siguri, duke garantuar që çfarë ndodh sot në botë lidhur me luftën kibernetike, bankat, të jenë gjithmonë të sigurta. Këto sfida, më tepër se një qëllim final, janë kthyer për ne në një mënyrë jetese.

Si do të angazhoheni në arritjen e misionit dhe vizionit të RBAL, si pjesë e Raiffeisen Bank International?

Objektivi ynë primar është kënaqësia e klientit. Kjo, duke përmirësuar eksperiencën tonë digjitale në funksion të lehtësimit të jetës së përditshme, por edhe të së ardhmes. Në Raiffeisen, ne jemi duke thyer barrierat e departamentizimit, kur IT është po aq Biznes dhe Biznesi është njësoj edhe IT.

Vizioni im është që teknologjia të jetë në ADN-në e çdo inciative të biznesit, duke synuar mbështetjen maksimale për shpejtësi në krijimin e produkteve të reja, cilësi, siguri dhe aftësi për të reaguar shpejt në rast se tregu dhe klienti e kërkon.

Çfarë ju motivon në këtë sipërmarrje të re?

Ka shumë gjëra që më motivojnë. Teknologjia po vendoset gjithmonë e më shumë në plan të parë edhe në institucionet financiare që ndoshta akoma konsiderohen si kompani klasike. Çfarë më pëlqen është që dikur teknologjia ka qenë një kuti e zezë dhe zhvilluesi ishte ai nerd-i tipik, ndërkohë sot është nevoja dhe trajtohet si e ti

llë. Sot çdo problem si dhe çdo mundësi e re në njëfarë mënyre lidhet me teknologjinë. Edhe nëse kanë mbetur sektorë në Shqipëri që nuk e mendojnë kështu, u këshilloj të ndryshojnë dhe të përshtaten. Të gjithë e dini fatin e dinozaurëve.

Cilat janë sfidat e sektorit bankar në fushën e burimeve njerëzore dhe si mund ta zhvillojmë këtë segment?

E nisa me përshkrimin e sfidave tona, me burimet njerëzore dhe ky është elementi kyç për çdo gjë që ndodh në një organizatë. Lajmi i mirë është që shumë njerëz po e shohin teknologjinë si një mundësi karriere dhe kodimi do të jetë pjesë e CV-ve të njerëzve edhe nëse nuk kanë studiuar informatikë. Jam i sigurt që në të ardhmen e afërt, aftësite koduese do të jenë siç janë sot aftësitë e paketës “Office”. Tani informacioni është kudo dhe kushdo me pak dëshirë mund të fillojë të kodojë. Gjithashtu, iniciativat si shkollat e kodimit për të rinj, të tipit ICT Lab apo Tumo, më bëjnë të shikoj shpresë për rritjen në mënyrë eksponenciale në tregun shqiptar me kodues.

Lexo: 3 vrasësit e heshtur të inovatorëve të mundshëm

Ne, në Raiffeisen po luajme rolin tonë në këtë nismë kombëtare. Në botëkuptimin tonë, koncepti junior nuk ekziston, por çdonjeri nga ne është duke gjetur veten profesionalisht. Shumë të rinj, nuk e dinë talentin që kanë dhe ne jemi aty për t’u dhënë një mundësi për të provuar dhe njohur veten. Prej disa vitesh kemi krijuar Akdeminë tonë, ku dhjetëra të rinj trajnohen prej profesionistësh në fushën e IT. Rrugës, Raiffeisen bëhet dhe shtëpia e shumë prej talenteve të kësaj akademie. Edhe nëse ndodh që nuk bëhen pjesë e bankës, jemi krenarë që kemi ndihmuar në zhvillimin e tyre personal dhe në zhvillimin e tregut në përgjithësi.

Cilat janë sfidat e sistemit bankar me inovacionin?

Iniciativat e reja i trajtojmë si startup-e brenda kompanisë, por kemi gjetur bashkëpunime fantastike edhe me fintech të tjerë. Besojmë tek konkurrenca e shëndetshme dhe tentojmë të përmirësohemi dhe të zgjerojmë bashkëpunimet.

Sistemi bankar është një “xhonglim” mes kërkesave të tregut, kërkesave ndërkombëtare të grupit në Vjenë, rregullatorëve, inovacionit dhe të qenurit i qëndrueshëm në shërbime.

Jetojmë në një botë, ku ka shumë zhurmë rreth çfarë quhet sukses dhe ne duhet të jemi përtej zhurmës si garanci për klientët tanë në Shqipëri dhe jo vetëm. Gjithësesi, në mes të kaosit ka edhe diamantë, ndaj në mënyrë të vazhdueshme jemi duke rikrijuar veten nga brenda dhe jashtë.

Cilat janë planet e ardhshme të Raiffeisen Bank Albania në zhvillimin strategjik për sektorin që mbuloni?

Raiffeisen Bank është një institucion që ka vetëm një mision: të jemi institucioni financiar më i rekomanduar në vend.

Investimi në njerëz dhe teknologji është mënyra më e mirë që dimë për ta bërë këtë. Trashëgimia teknologjike është një sfidë më vete, por me sfidën vjen edhe oportuniteti. Bashkë me grupin, në mënyrë të vazhdueshme mësojmë nga e shkuara dhe ngrihemi mbi të njëjtat parime të pandryshuara për më tepër se 100 vite.

Çfarë ndryshon, është që sot, duke përdorur teknologjinë dhe me njerëzit e duhur, mund të shërbejmë më mirë, më shpejt dhe pse jo, në të gjithë globin.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0