Industria e veshjeve rritet mes vështirësish - Business Magazine Albania

Industria e veshjeve rritet mes vështirësish


Ndër vite, më shumë se një e treta e eksporteve nga Shqipëria janë fason, pra veshje-këpucë të punuara në Shqipëri. Vitin e kaluar, grupi i mallrave “veshje dhe këpucë” zuri 40% të totalit të eksporteve.

Me një vlerë prej gati 124 miliardë lekë, ato u rritën 5.3%. Kjo është ndër rritjet më të ulëta të shënuara ndër vite.

Edhe pse sektori më peshën më të lartë në eksporte e në punëzënie (mbi 100 mijë persona) ai vijon të përballet me sfida ekzistenciale.

Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.

Dhjetë vite më parë, kriza financiare ndërkombëtare ishte një goditje e fortë për fasonistët shqiptarë. Fabrika të ngritura vetëm për të kryer procese të pjesshme pune, u gjendën para krizës së furnitorëve dhe blerësve të tyre. Lindja e nevojës për të gjetur bashkëpunëtorë të tjerë, në tregje të tjera, shtyu fasonistët të shtojnë proceset e punës, e disa prej tyre arritën të bëhen edhe prodhues me cikël të plotë.

Sot dhjetë vite më vonë, prodhues e përpunues gjenden para sfidash kombëtare e ndërkombëtare. Dhe aktualisht, pjesës më të madhe të prodhuesve, fasonistëve, energjitë po ua marrin problemet në tregun e brendshëm.

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka zbehur ndjeshëm fitimet e tyre (euro u zhvlerësua 5% vitin e kaluar), ndërsa prodhuesit shprehen të shqetësuar edhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së.

Pas një konference të përbashkët për shtyp të prodhuesve këtë fillimviti, fasonistët zhvilluan një takim me Ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi. Florian Zekja kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, e cilëson si një takim me shpresë. Ndërkohë, ministrit iu prezantua një paketë për ndërhyrje emergjente, krahas kërkesës për të marrë pjesë në Këshillin Ekonomik Kombëtar.

Kërkesat për ndërhyrje emergjente të fasonistëve janë:

  1. Të subvencionohen pjesërisht ose tërësisht për një periudhë të caktuar pjesa e sigurimeve shoqërore që paguhet nga punëdhënësi, për të minimizuar efektet e faktorit “euro”.
  2. Të sigurohet ulja e menjëhershme e çmimit të energjisë elektrike për sektorin e regjimit të përpunimit aktiv (punëve fason).
  3. Të ulet, deri në përgjysmim, tatim-fitimi për kompanitë e këtij sektori.
  4. Të bëhet zero dividenti për kompanitë e rieksportit;
  5. Rritja e pagës së tatueshme për të gjithë të punësuarit të kuotohet në nivelin 40 mijë lekë.
  6. Rimbursimi i Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar të bëhet urgjentisht sipas ligjit dhe vendimeve në fuqi.

Në kushtet e pengesave të brendshme, ata nuk po arrijnë të fitojnë nga mundësitë e tregut të jashtëm. “Ndonëse oferta e klientëve më lejon të rris kontratat e porosisë, këtë nuk mund ta bëj për shkak të vështirësive finaciare,” thotë një prej fasonistëve të veshjeve që punon me tregun italian.

Alban Zusi, drejtues i Bashkimit të Eksportuesve tregon se vështirësitë financiare të kompanive janë bërë të dukshme së fundi, pasi për muaj të tërë ata kanë amortizuar humbjet nga kursi i këmbimit përmes fitimeve. Por, fitimet e ulëta, apo edhe mungesa e fitimit, nënkupton mungesë investimesh e rrjedhimisht edhe mungesë të vendeve të reja të punës. Albana Muçaj

Tregtia veshje-këpucë në 2018

124 miliardë lekë

40% e totalit të eksporteve

5.3% rritje ndaj 2017

Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 20 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0