Startup Grind kishte kësaj radhe një të ftuar të veçantë dhe mbi të gjitha edhe një lajm të mirë për komunitetin e startup-eve, inovatore në fushën e teknologjisë.
Alda Shehu – Drejtoreshë e Strategjisë dhe Inovacionit pranë Raiffeisen Bank prezantoi Elevator Lab. Programi është ende i hapur edhe për pak ditë dhe aplikimet mbyllen me 26 Tetor.
Shehu tha se, Raiffeisen prej 3 vitesh organizon Elevator Lab, program në bashkëpunim me Raiffeisen International. “Ajo çfarë synojmë është të mbështesim të gjitha startup-et ose individët me ide novatore, duke mundësuar rrugëtimin e tyre përmes një boot camp. Pastaj, në bazë të njohurive të gatuajmë të gjitha idetë e tyre dhe të jenë në gjendje të prezantohen para një jurie”. Me interes, sipas saj, është çdo produk novator i shërbimeve bankare dhe që ka në fokus kujdesin ndaj klientit.
Duke ftuar pjesëmarrjen e startup-eve, ajo theksoi objektivin e bankës për bashkëpunime afatgjata.
Pas prezantimit të kësaj mundësie, komuniteti i startup-eve pati të ftuar kësaj radhe një person që ka kontribuar në Startup Grind, duke e drejtuat atë për disa vite. Gerti Boshnjaku është sipërmarrës i New Media Group. Baza e formimit të tij nis me Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, duke u diplomuar në fushën e marketingut. Ai punoi disa vite në kompani të ndryshme, ku fitoi përvoja e njohuri të reja. Rreth 12 vite më parë, Gerti vendos të lërë punën në një moment, kur të ardhurat e tij mujore ishin më të lartat. Shumë sipërmarrës në fakt e bëjnë këtë hap, nëse vijnë nga tregu i punës. Etja për biznes i tejkalon ambiciet e një të punësuari, qoftë edhe në pozicionet e tij më të mira.
Ende sot, dy milionët e parë të tij janë Bora dhe Enio, por Gerti ka ndërtuar dhe drejton një kompani me 28 të punësuar me mbi 10 vite në treg dhe me një menaxhim të kujdesshëm në periudha të vështira, përfshirë këtë të Covid.
Gjatë intervistës së Startup Grind, Gerti tha se një prej dështimeve të tij më të forta ishte media gjeneraliste online infoalbania.al. Dalja e trendeve të reja e zbehu rëndësinë e saj. Por, pas saj vjen një produkt që po rezulton i suksesshëm në treg, si Businessmag.al
Cili është sekreti i Gertit në krijimin e një komuniteti të mirë ndjekës të medias zhvilluese e motivuese?! Produkti me fokus klientin u ndërtua pikërisht në afërsi më të. Gerti nisi emaile të personalizuara me numrat e parë të revistës, duke kërkuar opinionin e lexuesit dhe duke i aplikuar ato në numrin e ardhshëm të revistës.
Po ecuria e punës për ndërtimin e New Medias, si ka qenë?! “Unë kam ndjekur rrugën tradicionale për hapjen e biznesit tim. Kam dashur gjithmonë të jem i lirë në zgjedhjet që bëj, kjo edhe nga koha që kemi jetuar. Duke e nisur me sipërmarrje të vogla, që kur isha fëmijë, filloi të brumosej mirë edhe shpirti i sipërmarrësit”, thotë Gerti gjatë intervistës. Ai tregon, “Kam qenë i punësuar disa herë në punë të ndryshme derisa një ditë kuptova që isha i mirë në atë që bëja dhe bashkë me një të afërmin tim, i cili punonte me pjesën kreative, vendosëm të krijonim New Media-n”.
Përtej kohës së gjatë në punë dhe shpenzimeve financiare, ku çdo e ardhur riinvestohej sërish në kompani, investimi më i madh që ai cilëson të ketë bërë dhe që vazhdon të bëjë, është investimi në besim.
Gerti e ka bashkëdrejtuar biznesin me Enton Mehmetin, i fokusuar në pjesën e zhvillimit të platformave online. I pyetur për drejtimin në ortakëri, Gerti sqaron se, “vendimarrja në ortakëri ka vështirësitë e veta, por ne e kemi gjetur gjuhën e përbashkët nëpërmjet tolerancës dhe mirëkuptimit. Nëse njëri prej nesh ka më shumë arsye për të marrë një vendim të caktuar, tjetri e respekton atë”.
Aseti më i rëndësishëm për të janë punonjësit. Rritja dhe fuqizimi i tyre është një sfidë dhe mundësi njëkohësisht. “Gjëja më e rëndësishme që ne bëjmë nuk është realizimi i produktit, por mënyra dhe njerëzit që e realizojnë atë produkt”.
Lexo: Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Shqipëri prezantojnë programin e përbashkët “Elevator Lab 2020”
Sipëmarrja të jep doza të mëdha emocionesh pozitive dhe negative. Dhe ndër momentet më emocionuese që ai rendit është realizimi i AllWEB-it të parë. “Është një nga ato nisma që ti e merr përsipër, por nuk e di se sa impenjim mund të ketë. Pas gjithë organizimit dhe realizimit, satisfaksioni më i madh ishte kur pjesëmarrësit na dhanë vlerësimet e tyre”.
Çfarë e emocionon më shumë Gertin?! Ai tha gjatë intervistës se e emocionon fakti që ka njerëz me të cilët punon, “të cilët japin përtej maksimumit të tyre”. Ndërsa theksoi se vrasësi i ëndrrave, ideve dhe përparimeve është të qenit i ndrojtur.
Edhe pse ka jetuar jashtë dhe e ka menduar disa herë të punojë e jetojë jashtë, Gerti mendon se në Shqipëri janë të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar, për të patur sukses dhe për të siguruar të ardhura të kënaqshme. Ai solli thënien e dy prej programuesve në New Media. Fitimi dhe Pëllumbi ftuan kolegët e tyre gjatë një prezantimi në fillim të këtij viti, duke u thënë “Don’t leave, level up”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.