Miliarderi i pasurive të paluajtshme, David Walentas, njeriu që transformoi një pjesë të braktisur të bregut të Brooklyn-it në lagjen e sotme të njohur Dumbo, nuk e nisi jetën me privilegje. Përkundrazi, fëmijëria e tij ishte e mbushur me vështirësi që do ta formësonin përjetë.
Ai u rrit në Rochester, New York, gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Kur ishte vetëm pesë vjeç, babai i tij pësoi një goditje në tru dhe mbeti i paralizuar. Nëna e tij punonte pa pushim për të mbajtur familjen, por kjo nuk mjaftonte. Për këtë arsye, ai dhe vëllai i tij u dërguan të jetonin dhe punonin në ferma.Aty, jeta ishte e ashpër: zgjoheshin në orën pesë të mëngjesit, milnin lopët, pastronin stallat, shkonin në shkollë dhe më pas ktheheshin për të punuar sërish. Dimrat ishin të ftohtë, verat të nxehta, por kjo përvojë e vështirë i dha një shtysë të fortë për të kërkuar një jetë më të mirë. “Gjëja më e madhe që mësova ishte se doja të isha më i suksesshëm,” thotë ai.
Problemi ishte se nuk kishte një model apo mentor. Ai duhej ta ndërtonte vetë rrugën e tij. Një moment kyç erdhi kur, në shkollë të mesme, pa një poster për një bursë ushtarake dhe aplikoi. U pranua në Universitetin e Virginias – një hap që ai e konsideron transformues për jetën e tij. Rruga e tij drejt suksesit nuk ishte e drejtë: ai ka pastruar depozita septike për ushtrinë, madje ka shitur edhe gjakun për të siguruar një vakt. Por më pas arriti të marrë një MBA dhe të hyjë në botën e pasurive të paluajtshme.
Sot, pasuria e tij vlerësohet rreth 2 miliardë dollarë, falë kompanisë Two Trees Management dhe investimeve të shumta në Brooklyn dhe Manhattan.
Nga kjo rrugë e gjatë, Walentas ndan gjashtë mësime kryesore:
1. Bëj punët që të tjerët i shmangin
Që në moshë të re, ai nuk kishte paragjykime për asnjë punë. Madje kërkonte pikërisht ato që të tjerët nuk donin t’i bënin. Kjo e ndihmoi të krijonte një avantazh: ai shkonte drejt mundësive që të tjerët i anashkalonin.
2. Ekspozimi ndaj botëve të reja të ndryshon jetën
Në universitet, ai u njoh me njerëz nga background-e më të privilegjuara. Kjo i hapi horizontin dhe i ndryshoi mënyrën e të menduarit. Pikërisht aty krijoi edhe lidhje që do të ndikonin në karrierën e tij.
3. Mos zotëro diçka që nuk e kontrollon
Investimi i tij i parë ishte një shtëpi që e dha me qira, por menaxhimi i dobët e dëmtoi financiarisht. Mësimi ishte i qartë: nëse nuk mund ta kontrollosh një aset, më mirë mos e zotëro.
Lexo edhe: OpenAI inkurajon kompanitë të testojnë javën 4-ditore për t’u përshtatur me epokën e AI
4. Ndiq instinktin tënd
Walentas beson se secili duhet të ndjekë atë që e tërheq. Kur ishte i ri, ai e ndjeu se donte të ishte zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe e ndoqi këtë rrugë pa hezitim.
5. Merr rreziqe të mëdha
Investimi në Dumbo ishte një bast i madh. Bankat nuk besonin tek ideja e tij dhe refuzuan ta financonin. Ai gjeti mënyra alternative dhe vazhdoi përpara, edhe kur gjithçka dukej kundër tij.
6. Zgjidh partnerin e duhur të jetës
Ai e konsideron martesën me bashkëshorten e tij si “marrëveshjen më të mirë” që ka bërë ndonjëherë. Ajo luajti një rol kyç në rrugëtimin e tij, duke e lidhur me njerëz dhe mundësi të rëndësishme.
Në fund, historia e Walentas është një kujtesë e fortë: suksesi nuk vjen gjithmonë nga kushtet e mira në fillim, por nga këmbëngulja, guximi për të marrë rreziqe dhe aftësia për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin vetëm vështirësi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto