Fatjona Toska themelon NLP Albania, sjell një cikël trajnimesh në zhvillimin personal - Business Magazine Albania

Fatjona Toska themelon NLP Albania, sjell një cikël trajnimesh në zhvillimin personal

Fatjona Toska
Fatjona Toska udhëtoi drejt Greqisë, për të studiuar shkencën e Neuro Linguistic-Programming, për t’u bërë trajnere e zhvillimit personal me teknikat e NLP. Duke qenë se ajo ka ndjekur rrugën e edukimit si përkthyese dhe specialiste e gjuhës shqipe dhe ndërkohë menaxhonte edhe një biznes privat, NLP nuk ishte vetëm ura që lidhi biznesin me edukimin e saj, por e çoi jetën e saj në një nivel tjetër. Ajo ka themeluar NLP Albania, ku praktikon teknikat e NLP, e certifikuar në NLP Greece.

Fatjona gjithashtu ka krijuar DARE ALBANIA ACADEMY, një cikël fjalimesh për të rinj,  me mundësinë për të ndarë eksperiencat me të rinj të tjerë sipërmarrës dhe jo vetëm, për t’i motivuar që edhe ata të bëjnë realitet ëndrrat e tyre në atdheun e quajtur Shqipëri.

BusinessMag ka zhvilluar një intervistë me Fatjonën, ku na tregon më shumë rreth rrugëtimit të saj në shkencën e NLP, programet që po zhvillon aktualisht dhe planet për të ardhmen.

Cili është rrugëtimi juaj? Çfarë keni bërë deri tani në drejtim të zhvillimit personal?

Jeta jonë është një udhëtim edukues, ku gjithësecili nga ne krijon realitetin e tij. Në këtë realitet gjithësecili nga ne ‘i merr mësimet’ në klasa të ndryshme të shkollës së quajtur JETË. Ashtu si dikur, kur ishim të vegjël e në shkollë kishim teste e provime edhe në jetën tonë, tashmë, ndodh e njëjta gjë. Ndonjëherë ndodh të kemi ‘provime’ për të cilat jemi të përgatitur, e ndonjëherë tjetër ndodh të kemi teste që na kapin në befasi. E pra, edhe mua jeta, si shumë të tjerë, më testoi. Por gjërat në jetë nuk janë as të mira e as të këqija. Thjesht ndodhin, dhe për gjithçka ndodh, ekziston një arsye e fortë që fshihet pas.

Rrugëtimi drejt vetëzhvillimit filloi si një nevojë e imja e brendshme për të kuptuar më shumë veten, për të marrë përgjigje të shumë PSE-ve në kokën time, edhe si për të thënë, për të dalë nga errësira e thellë që kishte pushtuar jetën time ato kohë. E dhënë pas librave, trajnimeve të ndryshme, e gjej veten krejt rastësisht duke dëgjuar një video TedX në YouTube, e cila la gjurmë të thella në shpirtin tim, u bë pika e kthesës. Përgjegjësia për fëmijët që nuk arritëm të shpëtonim, fjalim i një mësuesi që jepte mësim për fëmijët në paraburgim, fëmijë që shumë herë i kishim përjashtuar dhe ndryshimi i tyre, ëndrrat që ata kishin, projektet e bukura etj, vetëm se dikush i pa ndryshe, po ata vazhdonin të ishin të njëjtët fëmijë, të cilët kësaj radhe thjesht nxorrën veten e tyre më të mirë. Me këtë emocion që tundi disi themelet e jetës sime, vendosa të krijoj DARE ALBANIA ACADEMY, një cikël fjalimesh për të rinj, t’u jepja mundësinë atyre të ndanin eksperiencat me të rinj të tjerë sipërmarrës dhe jo vetëm, për t’i motivuar që edhe ata të bënin realitet ëndrrat e tyre në atdheun e quajtur Shqipëri.

Dhe ja ku e gjej veten, pas disa eventesh, në një test tjetër. Kjo nismë aq sa e bukur, emocionuese dhe e qartë në vizionin e saj, ishte po aq edhe e vështirë të jetonte gjatë. E doja shumë misionin e DARE. Brenda meje një zë më thoshte ‘mos u dorëzo’ dhe kështu vendosa të udhëtoj drejt Greqisë, për të studiuar shkencën e Neuro Linguistic-Programming, për t’u bërë trajnere e zhvillimit personal me teknikat e NLP. Duke qenë se kam ndjekur rrugën e edukimit si përkthyese dhe specialiste e gjuhës shqipe dhe ndërkohë menaxhoja edhe një biznes privat, NLP nuk ishte vetëm ura që lidhi biznesin me edukimin tim, por e çoi jetën time në një nivel tjetër. Unë jam sot themeluesja e NLP Albania ku praktikojmë teknikat e NLP, e certifikuar në NLP Greece, në përkatësi të University of Santa Cruise në Kaliforni.

Çfarë po bëni aktualisht? Cilat janë programet që po zhvilloni/lançoni?

Doja të ndalesha pak tek epiteti “e certifikuar”, se për mua ka një rëndësi të madhe, për të kaluar tek përgjigja se çfarë trajnimesh jemi duke ofruar në akademinë tonë. Fjala “e certifikuar” mbart një kuptim të madh; ajo përmban brenda vetes shumë dije, emocione, teknika e praktika me të cilat kam provuar njëherësh të gabuarit, të dështuarit, të fituarit, të pasurit arritje e sukses. Si të them shkurt, është tabloja e gjithë jetës sime këto vite, sepse vetëzhvillimi fillon me veten. Gjatë kësaj kohe kam marrë shumë përgjigje, kam ndryshuar shumë besime kufizuese, por ky është një proces që zgjat sa vetë jeta jonë. Jam shumë e lumtur që e kam kaluar fazën e klientit të parë të vetëvetes.

Tashmë, ne kemi nisur grupet e para me trajnimin mbi komunikimin jo të dhunshëm, qasje e sjellë nga Marsel Rosernberg. Po ashtu, po vijojmë punën edhe me trajnimin “Zgjedh të krijoj jetën që meritoj”, gjithë dija e secilit është e mbështetur në shkencën e NLP dhe në tre shtylla kryesore: njohja, pranimi dhe ndryshimi.

Jam shumë e lumtur që, tashmë, kjo dije ekziston prej shumë viteve dhe ka dhënë rezultate e ka ndryshuar shumë jetë njerëzish. Për mua është sfidë më vete ta sjell e ta përshtas në një mënyrë të tillë që të ketë sa më shumë rezultate.

Nëse gjithësecili nga ju do të klikojë në Google këto tre shkronja, aty do të dalin shumë përkufizime, arritje të shumta teknika e praktike, që gjejnë përdorim të gjerë. Por, dua të ndaj me ju një pyetje ndryshe, të cilën ia kam bërë vetes dhe më bëri të reflektoj shumë. ‘Fatjona, çfarë është për ty personalisht NLP tani që je në këtë rrugëtim?’

NLP së pari është rezultat. Të dini ku doni të shkoni, pra të keni një ide e vizion të qartë. Nëse nuk e dimë ku do shkojmë është e vështirë të arrijmë atje. Thënë ndryshe, njohja. Së dyti, të jemi mendjehapur, të jemi vëzhgues të mirë të vetes, të pranojmë veten tonë me dështimet, sukseset etj. Së fundi, të jemi elastikë ndaj ndryshimit, ku me teknikat e NLP ndryshimi është më i arritshëm.

Brenda trajnimeve të NLP dhe vetë shkencës së saj nuk ka asgjë të re, sepse të gjitha dituritë janë përftuar duke vëzhguar me kujdes njeriun dhe jetën. NLP është një teknikë që përdor gjuhën në një kapacitet të lartë, fokusohet në procesin mendor dhe merr rezultate të shpejta. Në themelin e zgjidhjeve qëndrojnë etika dhe respekti për njeriun. Ajo, si çdo shkencë, ka parimet e veta: respekt për modelin e jetës që ka krijuar çdonjëri nga ne. Ajo është gjuha e jetës, e cila përpiqet të na tregojë se suksesi dhe dështimi, apo shëndeti dhe sëmundja, nuk janë të paracaktuara. Ajo është shkenca e aktivitetit mendor, që ka teknikat e praktikat e saj specifike. Ajo është art i krijimit të eksperiencave të ndërgjegjshme në ato momente që ne i quajmë ‘fat’, që na japin mundësinë t’i krijojmë aq shpesh në jetën tonë sa të mos quhen më një rastësi. Ky ishte dhe qëllimi im i krijimit të trajnimeve. Të krijoj një metodë që të sjellë rezultate, jo vetëm në momentin që do e marrin këtë trajnim, por edhe sa herë t’u rikthehen këtyre mësimeve; të gjejnë diçka me vlerë për të ndryshuar jetën e tyre. Është e vërtetë që ne ndryshojmë në çdo kohë. Nevojat, besimet, e më pak vlerat tona, janë të ndryshme. Kjo është edhe arsyeja që doja të ndalesha pak edhe te miti i krijuar për trajnerët e zhvillimit personal, përsa i përket lumturisë e suksesit, e mbi të gjitha të asaj që dëgjohet shpesh të thuhet, faktit që i kanë të gjitha problemet e zgjidhura. Përgjigja ime është se edhe ne jemi njerëz me sfidat e problemet tona. Ashtu si shprehen edhe trajnerët tani, është si ajo loja e playstation, sa mbaron një nivel, kalon tek një tjetër më i vështirë, nivele të cilat vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Ndaj, ju ftoj të mos luteni që të keni sa më pak probleme, por sa më shumë kalim nivelesh, që do t’ju çojnë drejt realizimit të ëndrrave tuaja.

Çfarë mendoni se ka nevojë tregu shqiptar dhe ballkani?

Sot zhvillimi personal në vendin tonë është në hapat e para, ku gjithësecili nga ne, në një mënyrë apo në një tjetër, me punën e vet është ‘duke shtruar rrugën’. Është pikërisht një ndryshim mendësie dhe ne si qënie njerëzore e kemi pak të vështirë të dalim nga zona e rehatisë dhe kjo shumë herë nuk ka të bëjë me dijen. Ka të bëjë me ato kundërshtitë tona, me të qenurit të sigurtë etj. Përgjegjësinë në jetë e kanë ata që kanë dijen. Ne si trajnerë jemi afër çdo njeriu t’i tregojmë rrugën, ta mbeshtësim, t’i japim dorën e më pas, është zgjedhje dhe përgjegjësi e çdonjërit nga ju ta përqafojë atë, të dëshirojë në të vërtetë të ngrihet e të marrë në dorë jetën e tij. Një shprehje thotë se, “mësuesi vjen kur nxënësi është gati”.

Zhvillimi personal është marrëdhënie, energji, dashuri, përkushtim. Sot, edhe pse një dije e re, është përqafuar shumë nga target-grupe të ndryshme në vendin tonë. Unë jam shumë e lumtur e optimiste që jam pjesë e udhëtimit të tyre. Qëllimi dhe vizioini im është i qartë. Çdo ditë përpiqem që të përditësoj çdo njeri që ka nevojë të ndryshojë jetën e tij. NLP Albania për mua është më shumë se një ndarje dije e informacioni, është një mënyrë e re mendimi për veten e jetën, një mendësi që do të çojë sa më afër plotësimit të dëshirave dhe ëndrrave të çdonjërit që bëhet pjesë e saj.

Çfarë do t’ju sugjeronit sipërmarrësve të rinj?

Së pari të jenë pozitivë, por jo vetëm. Dua të jem sa më e qartë, sepse janë krijuar shumë mite rreth mendimit pozitiv, optimizmit etj. Është e vërtetë tashmë që mendimet tona drejtojnë jetën tonë. Nëse kjo do ishte një pyetje për ta, atëherë do të kuptonim shumë në mënyrën se si do të përgjigjeshin. Kjo pyetje ka një ndikim në të gjitha fushat e jetës së tyre edhe atëherë kur ata nuk arrijnë të jenë të vetëdijshëm. Ndikon në mënyrën sesi e shohin botën, sa të përgjegjshëm janë për jetën e tyre, sa u vënë faj të tjerëve për jetën e tyre. Kjo pyetje ka të bëjë me një besim të rrënjosur brenda vetes. Nëse vijmë sërish te pyetja dhe ju përgjigjeni ‘PO’, atëherë ju keni mendësi rritëse, jeni të vetëdijshëm për vendimet tuaja, nuk fajësoni askënd dhe e dini shumë mirë që është në dorën tuaj të krijoni jetën që meritoni. Nëse përgjigja është ‘jo’, atëherë…

Ndaluni! Së pari, punoni me besimet tuaja kufizuese para se të merrni vendime për biznes, sepse të mendosh pozitiv, sipas këndvështrimit tim, është mënyrë jetese, është përgjegjësi personale, është vetëdisiplinë. Të kujdesemi për veten, për shëndetin mendor e fizik. Të fokusohemi tek zgjidhjet dhe jo te problemi. Është mençuri të pranojmë gjërat që nuk mund të ndryshojmë dhe të ecim para, të besojmë në vete, në qëllimin e vizionin tonë dhe të veprojmë me një plan e strategji të caktuar, të hedhim hapa të vegjël e të qëndrueshëm. Të gjitha këto janë pjesë e mendimit pozitiv, pra mendësisë së fitimtarit, që ia uroj çdo sipërrmarrësi këtu. Po ndaj sloganin e DARE: ‘Guxo të bësh realitet, atë që guxove të ëndërroje’, pra beso në vete e vepro. Në jetët e gjithësecilit që merr vendimin e sipërmarrjes, çfarëdo qoftë ajo, do të gabojmë, do të pësojmë e dështojmë, por jo të gjithë do të marrin mësimet. Mëso dhe ec përpara, mos justifiko vendin dhe veten. Çdo kohë e vend ka sfidat e vështirësitë e veta, ashtu si vendi ynë, ndaj është përgjegjësia e secilit prej nesh të krijojë jetën që meriton.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Pse vendosët të punonit në Shqipëri dhe jo aty ku emigruat?  

Tashmë që kam hedhur disa hapa në këtë udhëtim, çdo ditë e më shumë dua, me gjithë zemër, që të ofroj këtë dije. Qëllimi im është të mos i mungojë askujt që ka nevojë për të. Duke qenë se e kam të qartë vizionin e akademisë, NLP Albania nuk është për mua vetëm vendi ku shpërndajmë informacion e dije, për mua është marrëdhënie dashuri-përkushtim-mirënjohje, për çdo njeri që bëhet pjesë e jona. Për më shumë, është krijim i një mendësie të re për jetën. Mendimet tona drejtojnë jetën tonë dhe kjo praktikisht do të thotë që ne jemi përgjegjës për jetën tonë dhe çfarëdo që ndodh, jemi ne ata që do e ndryshojmë.

Pjesa më e vështirë e ndryshimit është vendimi. Nëse secili nga ne merr vendimin se dëshiron e meriton një jetë më të mirë, atëherë shiheni NLP Albania si një mundësi për të arritur qëllimet tuaja. Ju pres në botën e magjishme të NLP dhe le ta eksplorojmë magjinë së bashku, në NLP Albania, në vendin e ndryshimit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0