Thomas Conner, ekspert i anglishtes për biznesin dhe rezident në Tiranë, e konsideron anglishten si gjuhën e dytë të biznesit. Në një kohë kur kompanitë shqiptare po rrisin dukshëm ekspozimin ndaj tregjeve rajonale dhe europiane, aftësia për të komunikuar qartë dhe me siguri në anglisht po shndërrohet në një avantazh real konkurrues. Sipas tij, sfida kryesore nuk lidhet me fjalorin apo gramatikën, por me mënyrën se si profesionistët përballojnë presionin dhe strukturojnë mendimin në situata vendimtare. Qartësia, thjeshtësia dhe vetëbesimi po bëhen faktorët që bëjnë diferencën në takime, intervista dhe negociata. Në këtë intervistë, ai ndan disa nga vëzhgimet dhe teknikat më praktike për të përmirësuar komunikimin profesional në anglisht.
Çfarë ju motivoi të zhvendoseshit në Tiranë dhe si ka ndikuar kjo në punën tuaj?
Vajza ime, Era, është gjysmë shqiptare dhe kaloj pjesën më të madhe të vitit këtu. Kjo më ka ekspozuar më shumë ndaj profesionistëve vendas dhe shpresoj t’i ndihmoj të përdorin anglishten më me vetëbesim.
Si e vlerësoni nivelin e anglishtes profesionale në Tiranë krahasuar me tregje të tjera?
Nivelet ndryshojnë shumë, por nëse një profesionist ka motivim dhe mundësi praktike, përparimi është i pashmangshëm. Ekspozimi ndaj anglishtes në Tiranë po rritet, dhe kjo është një prirje pozitive që duhet shfrytëzuar.
Ju shpesh theksoni se shumica e profesionistëve ndërkombëtarë nuk kanë një “problem me anglishten”, por një “problem me presionin”. Si e identifikoni dhe diagnostikoni këtë në praktikë kur punoni me klientët?
Skenarët simulues dhe kërkesa që klientët të shpjegojnë tema komplekse në terma të thjeshtë janë dy pika shumë të mira për të filluar. Vërej se, edhe pse është një skenar i simuluar, ai shton realisht presion dhe më lejon të diagnostikoj fushat që kanë nevojë për përmirësim në anglishten profesionale të një individi.
Cilat janë modelet më të zakonshme të komunikimit ose gabimet që vëreni në situata me rëndësi të lartë si takime, intervista apo diskutime për promovim?
Një nga modelet më të zakonshme të komunikimit në situata me rëndësi të lartë është vështirësia për të shprehur tema komplekse në mënyrë të thjeshtë. Për shembull: një profesionist i teknologjisë nuk është në gjendje të shpjegojë një proces në “gjuhë të kuptueshme për të gjithë” për një palë të interesuar që nuk ka të njëjtin nivel ekspertize. Në këto situata, praktikoj ndarjen e çështjeve komplekse në formulime të lehta për t’u kuptuar, të qarta, të drejtpërdrejta dhe koncize.
Si ndryshon struktura e të menduarit të një profesionisti kur kalon nga gjuha amtare në anglishten profesionale gjatë komunikimit në kohë reale?
Problemi më i zakonshëm që dëgjoj nga folësit jo-nativë është se ata e dinë çfarë të thonë në gjuhën e tyre amtare, por nuk arrijnë ta përkthejnë në anglisht. Kjo çon në ulje të vetëbesimit dhe në përpjekje për të përkthyer drejtpërdrejt, gjë që mund të rezultojë në gabime gramatikore, përdorim të pasaktë të shprehjeve idiomatike dhe të ngjashme.
Cilat janë komponentët thelbësorë të një përgjigjeje të qartë në nivel ekzekutiv në intervista apo diskutime për promovim?
Unë i përmbahem konceptit BLUF. Ai është huazuar nga ushtria dhe do të thotë “përfundimi kryesor, që në fillim”. Filloni me informacionin më të rëndësishëm, mbështeteni shkurtimisht dhe mos shtoni asgjë tjetër. Kur një klient ka nevojë për kohë për të formuluar një përgjigje, i mësoj të ndihen rehat me pauza të shkurtra dhe heshtje. Kjo tregon vetëbesim dhe seriozitet ndaj intervistës.
Lexo edhe: 10 libra që do të ndryshojnë mënyrën tuaj të të bërit biznes në 2026-ën
Si e matni progresin real te klientët; është kryesisht rrjedhshmëria, strukturimi kognitiv, vetëbesimi apo një kombinim i të trejave?
Të treja janë aspekte të rëndësishme të rrjedhshmërisë në anglisht. Progresi në një fushë ndihmon edhe të tjerat. Matësi kryesor për mua është feedback-u i klientëve. Është e rëndësishme që ata të shohin ndikim pozitiv në punën e tyre, si p.sh. performancë e mirë në një takim apo përdorim i saktë i një shprehjeje të re.
Sipas përvojës suaj, cili është faktori më i nënvlerësuar që ndikon komunikimin profesional në anglisht?
Leximi. Shumë studentë dëgjojnë podkaste apo lajme, por shumë më pak lexojnë rregullisht libra apo lajme biznesi. Ky është një mjet i nënvlerësuar që rrit memorien dhe ofron tema për biseda në punë.
Çfarë teknikash përdorni për të reduktuar hezitimin dhe fjalët mbushëse pa e bërë të folurin artificial?
Praktikojmë rehati me heshtjen. Pauzat e shkurtra tregojnë vetëbesim. Gjithashtu, punojmë për të reduktuar fjalët mbushëse si “uhh” apo “umm”, duke filluar me ndërgjegjësimin dhe më pas me teknika konkrete si sinjale vizuale gjatë bisedës.
Si i ndihmoni profesionistët të përkthejnë ekspertizën teknike në komunikim të qartë për vendimmarrësit?
Së pari, duhet të “lexosh dhomën”. Më pas, punoj për të ristrukturuar komunikimin: mesazhi kryesor në fillim, vetëm detajet më relevante dhe eliminimi i zhargonit. Kjo praktikohet derisa qartësia të bëhet automatike.
A ndryshon qasja juaj kur punoni me profile teknike krahasuar me menaxherë apo konsulentë?
Qasja ime ndryshon më shumë në bazë të objektivave të individit sesa rolit. Profesionistë të ndryshëm mund të kenë qëllime të ngjashme ose shumë të ndryshme, ndaj metoda përshtatet sipas nevojave.
Pas mbi 3,000 leksionesh me profesionistë globalë, cili është modeli universal që çon drejt suksesit?
Dy faktorë dallohen: motivimi personal dhe frekuenca e përdorimit të anglishtes. Praktika e vazhdueshme dhe dëshira për përmirësim janë kyçe për arritjen e rrjedhshmërisë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto