Turqia, Kosta Rika dhe Meksika janë vendet ku punohet më shumë orë në javë, sipas të dhënave të reja të OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim), mesatarisht mbi 44 orë. Në vendet e Bashkimit Europian, shteti me më shumë orë pune në javë është Greqia, me 42 orë.
Shqipëria, edhe pse nuk është pjesë e këtyre statistikave, renditet ndër vendet me më shumë orë pune në botë dhe e para në Europë. Zyrtarisht, bazuar në Kodin e Punës, në vendin tonë punohet rreth 40 orë në javë. Ndërsa sipas një vrojtimi të publikuar nga INSTAT në vitin 2015 (Anketa e Kostos së Punës 2013), numri mesatar vjetor i orëve reale të punës në vit është 2,102 ose mesatarisht rreth 44 orë pune në javë. Kjo është më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së prej 36.8 orë në javë.
Me më shumë orë pune pune vlerësohen vende si: Greqia (22) Izraeli (40.4), Polonia dhe Portugalia me secila 39.9 orë në javë, Sllovakia me 39.7 orë.
Bie në sy fakti se Gjermania është një nga vendet ku punohet më pak në javë, me një mesatare prej 26.37 orësh.
Fqinji ynë, Italia, renditet ndër vendet ku punohet rreth 33.7 orë në javë. Australia gjithashtu është një parajsë për punëtorët, pasi aty punohet mesatarisht 31.5 orë në javë. Austria është po në këto nivele, me rreth 31.25 orë në javë. Holanda dhe Norvegjia llogarisin mesatarisht 27 orë në javë, ndërsa Danimarka dhe Franca, rreth 28 orë. Në Shqipëri, sipas një vrojtimi të publikuar në vitin 2015 (Anketa e Kostos së Punës 2013) nga INSTAT, numri mesatar vjetor i orëve reale të punës në vit është 2,102 ose 43.79 orë pune mesatare në javë.
Kjo shifër është më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së e cila për vitin 2015 është llogaritur në 1,770. Ajo ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2012.
Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë llogarit kohën reale më të lartë të punës me 2,171 e ndjekur nga aktiviteti i menaxhimit të mbeturinave me 2,153, për të vazhduar me informacionin dhe komunikacionin me 2,132, akomodimin dhe ushqimin me 2,128, me industrinë përpunuese 2,126 etj. Më pak orë pune (por jo nën 2,000 orë) llogarit sektori i furnizimit me gaz dhe energji me 2,059 orë pune në vit.
Në Shqipëri, dita standarde e punës llogaritet në 8 orë, koha minimale mes ditëve të punës është 11 orë, ndërsa pushimet javore janë 36 orë.
Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, për vitin 2015, cenimi i marrëdhënies së punës (ku përfshihet mosrespektimi i dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj.) llogariti numrin më të lartë të ankesave, rreth 36%. Kjo tregon për një nivel të lartë të cenimit të kësaj marrëdhënieje. Por, edhe pse punojnë më shumë, shqiptarët paguhen më pak.
Sipas anketës së INSTAT, kostoja orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë në vendin tonë është 2,2 euro. Më pas renditen shtete si Bullgaria dhe Maqedonia, me kosto orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë, përkatësisht 3.4 dhe 3.5 euro.
Shqiptarët s’kanë teknologji
Raporti i Konkurrueshmërisë 2015-2016 i realizuar nga Forumi Botëror Ekonomik e rendit Shqipërinë në vendin e 97 (3.97 pikë) nga 120 në total për sa i përket eficiencës së tregut të punës. Hong Kongu, Kanadaja, Danimarka janë vendet që renditen në krye të këtij klasifikimi.
Në Shqipëri, ekspertët thonë se orët e gjata në punë nuk e justifikojnë gjithmonë nivelin e produktivitetit. Sipas tyre baza e krahasimit është struktura e kapitalit dhe burimet njerëzore të kualifikuara. Sa më të trajnuar dhe profesionale të jenë burimet njerëzore dhe sa më e përparuar të jetë teknologjia, aq më eficient është tregu i punës.
“Vërtet një grek apo shqiptar punon më shumë se një gjerman, por rezultati në punë nuk është i njëjtë dhe kjo matet me produktin. Teknologjia nuk është e njëjtë e po kështu aq forca e punës”, thonë ekspertët shqiptarë.
Sipas tyre, investimet në të dy këto aspekte do të rrisnin produktivitetin në vendin e punës.
Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është e nevojshme që qeveritë të adresojnë çështje që mbështesin punën me orare fleksibël. Sa më shumë njerëzit të punojnë, aq më pak kohë u dedikojnë ata aktiviteteve të tjera dhe kjo cenon raportin mes punës dhe cilësisë së jetës, që vlerësohet si faktor që ndikon në produktivitet.
Ruajta e balancës mes punës dhe jetës po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Studimet tregojnë se rreth 46% e menaxherëve në botë punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe 4 në 10 thonë se orët janë shtuar përgjatë pesë viteve të fundit.
Orët e gjata të punës, mjediset që nuk inkurajojnë rritjen në karrierë, mungesa e fleksibilitetit janë ndër shkaqet që studimet rendisin, për dorëheqjet nga puna.
burimi: standard
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.