Dave Birss: "Vlera e jashtëzakonshme e të qenit 5 vjeç"

Dave Birss: “Vlera e jashtëzakonshme e të qenit 5 vjeç”


Një artikull nga Dave Birss, folës në Konferencën e Marketingut Dixhital All Web Albania 2016 organizuar në Tirana Business Park nga New Media Communication në bashkëpunim me New Media MK. Fjalimet e tij në publik fokusohen që të ndihmojnë kompanitë të ndërthurin kreativitetin me kulturën e tyre dhe t’u tregojnë atyre se si ta aplikojnë atë për të zgjidhur problemet reale të biznesit.

Lexoni: Post AllWeb, Konferenca e parë e Marketingut Dixhital në Shqipëri

Në këtë artikull BusinessMag ju sjell një këndvështrim të Dave sesi ndrydhet kreativiteti në periudha të ndryshme të jetës.

“5 vjeçarët janë fantastikë. Nëse u jepni në dorë një shkumbës me ngjyrë dhe u kërkoni të vizatojnë shtëpinë e tyre të ëndrrave, ata shumë të lumtur do i futen punës dhe do t’ju japin diçka suprizuese. Ju do të merrni shtëpi shumë ngjyrëshe, kulla të larta, shilarëse pranë shtëpisë, pra të gjitha llojet e ideve. Është një stad i mahnitshëm i jetës. Dhjetëvjeçarët, nga ana tjetër, do të fillojnë të thonë gjëra të tilla si: “Unë nuk jam shumë i mirë në vizatim” dhe “çfarë kuptoni me ‘shtëpi të ëndërrave?” Dhe nëse do të bëja të njëjtën lojë me të rritur si puna juaj, do të kishte edhe më shumë ankesa dhe më pak imagjinatë.

Si dikush që i ndihmon organizatat të dalin me ide të fuqishme, më pyesin shpesh: “si i bën njerëzit të jenë më kreativë? Përgjigja ime e zakonshme është që unë në fakt bëj të kundërtën, i ndihmoj ata të jenë më pak jo kreativë.

Kjo tingëllon si një gjë qesharake për t’u thënë, por dëgjoni më shumë.

Si ne e humbasim magjinë?

Kam zbuluar se të gjithë kanë aftësinë për të gjetur ide. Por për shumë, këto aftësi ngelen të shurdhëta pas pengesave që janë ngritur me kalimin e kohës. Çdo pengesë është një shtresë frike.

Fillon në shkollë me frikën se mos bëjmë diçka të gabuar. Fëmijët qortohen nëse ata nuk ngjyrosin brenda linjave. Ata vlerësohen gjatë gjithë kohës me nota qoftë të mira apo të këqija për përgjigjet e tyre. Janë pikërisht këto pengesat e para që shuajnë kreativitetin tonë.

Fatkeqësisht, arsimi fokusohet në atë çfarë duhet të mendojnë më tepër se sa në mënyrën sesi duhet të mendojnë.

Dhe situata bëhet akoma më keq kur flasim për fuqinë punëtore. Ekziston një frikë legjitime që nëse nuk bëjnë gjënë e duhur, mund ta humbasin punën. Pra, njerëzit janë të frikësuar që të mos pajtohen me shefin e tyre ose të bëjnë sugjerime që nuk mbështeten me prova të forta. Çdo gjë bëhet më e rëndësishme sesa mendimi origjinal.

Kjo çon në nënshtrim. Ajo mbyt mendimin. Krijon një peizazh të shteruar ku idetë nuk janë në gjendje të mbijnë, të lulëzojnë apo të japin fryte.

Idetë janë e ardhmja juaj

Të gjitha organizatat po veprojnë tani në një ambient tjetër, i cili kërkon nga ata që të evoluojnë nëse dëshirojnë të mbeten të rëndësishëm.

Një studim i vitit 2010 nga IBM zbuloi se CEO-të në mbarë botën besonin se kreativiteti ishte aftësia më e rëndësishme për suksesin e ardhshëm të biznesit të tyre.

Inovacioni shihet si një funksion vital i biznesit. Në vitet e fundit janë investuar miliarda për të nga kompanitë më të mira në botë që shpresojnë të bëhen Uberi, Tesla apo Airbnb i ardhshëm.

Por një studim i fundit i McKinsey zbuloi se 94% e drejtuesve të biznesit janë të pakënaqur me përpjekjet e tyre drejt inovacionit.

Diçka është qartësisht e gabuar

Unë besoj se është efekti gjymtues i konformitetit. Unë besoj se janë shtresat e frikës që parandalojnë njerëzit nga të menduarit në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë besoj se është fokusi në produktivitetin dhe shfrytëzimin që përjetëson gënjeshtrën, që përsëritja e veprimit është më e rëndësishme sesa mendimi personal.

Gjithashtu besoj se është e mundur që këto mendime kufizuese të anashkalohen.

Të qenit metodik ndikon keq për biznesin

Ne të gjithë kemi një koncept për përkufizimin se çfarë është puna. Pak njerëz mendojnë se loja i takon vendit të punës. Loja është një gjendje shumë e vlefshme që na ndihmon të largohemi nga supozimet dhe frikërat kufizuese që parandalojnë të menduarit.

Le të shohim se çfarë ndodh kur luajmë një lojë Monopoly. Një grup njerëzish bien dakord të veprojnë sipas disa rregullave për një periudhë të kufizuar kohore. Caktojnë role, pajtohen me një proces, përshkruajnë atë që është sjellje e pranueshme dhe përcaktojnë qëllimin përfundimtar. Pasi arrihet qëllimi i vendosur, sesioni i lojës përfundon dhe të gjithë kthehen në normalitet.

Në vendin e punës, loja lejon që një grup njerëzish të marrin përkohësisht supozime të reja, të miratojnë perspektiva të ndryshme dhe të matin suksesin me kritere të reja. Kjo i ndihmon ata të gjenerojnë ide që normalisht nuk do të ishin në gjendje t’i gjeneronin më parë.

Në botën e biznesit, mund të përdorni lojën për të zbuluar informacion, për të kuptuar më mirë auditorin, për të zbuluar njohuri të vlefshme, për të testuar hipoteza, për të gjeneruar ide, për të gjykuar ide, për të gjetur rrugë përreth pengesave, për të zhvilluar strategji, për të eksploruar tregje të reja dhe shumë më tepër.

Bizneset priren të veprojnë brenda një mendimi të kufizuar. Me kalimin e kohës, mendimi i organizatës bëhet gjithnjë e më i fokusuar dhe më pak fleksibël pasi përpiqen për efikasitet dhe fitime më të larta. Loja i lejon një organizate të mendojë jashtë kufizimeve të tyre. Dhe, nga ana tjetër, u lejon atyre të dalin me ide që mund të kenë një ndikim radikal në biznesin e tyre.

E vetmja gjë që duhet marrë parasysh është që këto ide të ndodhin pa u shkatërruar nga personat e korporatave që ekzistojnë për të eleminuar çdo gjë që është jashtë normës.”

burimi: irishtechnews.ie

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0