Coworking dhe COVID-19, nëpër botë dhe në Shqipëri - Business Magazine Albania

Coworking dhe COVID-19, nëpër botë dhe në Shqipëri

Coworking dhe COVID-19 (nëpër botë dhe në Shqipëri)

Autore:Lindita Komani

Prej shumë vitesh nëpër botë dhe prej disa vitesh në Shqipëri, Coworking është shndërruar në një sinonim për një pikëtakim që krijon mundësi për kontakt njerëzor, njohje, bashkëpunim, inovacion, prani në rajone e pika strategjike, mundësi për rekrutim talentesh, kursim kostosh. Ndër kompanitë e mirënjohura ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, ka të tilla që e cilësojnë veten pikërisht si kompani digjitale, kompani inovacioni, duke iu referuar pikërisht këtij pikëtakimi strategjik.

E nisur me përpjekjet e para për zyra të bashkëndara që në vitet 1980, Coworking është rritur sidomos me rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit dhe në krizën dot-com pati edhe goditjen e saj të parë. Kjo lloj industrie është veçanërisht e prekur nga shkaqet globale, sikurse kanë qenë edhe 9/11, SARS, gripi i derrave, vullkanet, tërmetet, ciklonet dhe vrasjet masive. Rasti i kompanisë më të madhe globale në këtë industri, IWG, njohur më herët me emërtimin Regus, tregon më së miri sesi mund të rritet në mënyrë të qëndrueshme një kompani e tillë, por edhe sesi mund të goditet ajo. Që prej fillimit, basti i Mark Dixon, themelues dhe drejtor ekzekutiv i IWG, sikurse ai tregon për Forbes.com ishte që kompanitë do të ishin të gatshme të paguanin për të pasur akses në hapësira pune anembanë nëpër botë nëse dikush do të merrej me organizimin e kësaj gjëje.

Sipas Entrepreneur.com, aktualisht nëpër botë veprojnë mbi 19 000 hapësira coworking, ndër të cilat mbi 5000 ndodhen vetëm në SHBA. Sipas një raporti të Coworking Resources, pritet që ky numër të shkojë në 40 000 në vitin 2024, ndërsa sipas një studimi nga Zion Market pritet që industria të katërfishohet në përmasa në vitin 2027. Por sa e mundur do te jetë kjo në kushtet dhe perceptimet e reja të krijuara nga pandemia e COVID-19 dhe ç’mund të vijë pas saj? Përsëri duke iu referuar Entrepreneur.com, sipas një ankete të marsit 2020 që përfshiu mbi 14 000 hapësira coworking nëpër botë, 72% kishin përjetuar një rënie domethënëse të numrit të personave që shfrytëzonin mjediset e tyre dhe 41% e tyre kishin pasur rënie të numrit të anëtarëve. Vlera e aksioneve të IWG në kohën e mbylljes prej pandemisë ra me 75%, ngjashëm me rënien që pësuan operatoret e kroçerave dhe linjat e fluturimit. Megjithatë, biznesi coworking vazhdon të shihet si thelbësor por aktualisht në gjendje të vështirë, me hapësira thuajse të boshatisura ose që po rimbushen në mënyrë të ngadalshme. Sipas BusinessWire, pritshmëria është që biznesi global të bjerë me 12.9%.

Forbes.com, në një artikull kushtuar WeWork, kompanisë më të promovuar në botë në fushën e coworking, që u godit nga humbje të mëdha financiare që nisën që në vitin e kaluar me një IPO të dështuar dhe që është kthyer edhe në objekt trajtimi të thelluar kritik nga mediat, sjell disa perspektiva interesante se si do të zhvillohet coworking në të ardhmen. Ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mënyrën sesi pritet të ndryshojë perceptimi për punën. Edhe brenda së njëjtës kompani do të ketë shumëllojshmëri vendndodhjesh. Do të parapëlqehet prezenca në më shumë qytete sesa prani e përqendruar në ndërtesa të larta në vetëm një të tillë.

Një pjesë e punonjësve do të punojnë në një zyrë qendrore. Një pjesë do të lëvizin në këmbë, me biçikletë ose makinë në hapësirën më të afërt lokale coworking prej nga ku do të punojnë nga distanca për kompaninë ku janë të angazhuar. Të tjerët, në shumicën e ditëve do të punojnë nga shtëpia. Sipas Entrepreneur, para pandemisë rreth 17% e njerëzve në SHBA punonin nga shtëpia, ndërkohë që me nisjen e pandemisë ky numër është rritur në 44%.

Lexo:3 mënyra se si udhëheqësit e mëdhenj kanë evoluar gjatë Covid-19

Kompani si Twitter kanë shpallur punën nga shtëpia si praktikë për punonjësit e tyre që në muajin maj, ndërsa kompania japoneze Fujitsu ka shpallur nismën për përgjysmimin e hapësirave të zyrave në kuadër të programit “Work Life Shift” që pritet të japë një fleksibilitet të paprecedentë për 80 000 punonjësit e saj. Ndërkohë, duke vijuar me perceptimin për të ardhmen e coworking, takimet një herë në javë dhe puna në grup do të vazhdojnë të praktikohen si edhe më parë, por për bizneset që e kanë hapësirën një kosto të rëndësishme, do të jetë me vend arsyetimi nëse mbajtja dhe pagesa e vazhdueshme për një hapësirë të dedikuar ka kuptim ose jo. Përse kjo hapësirë në ditët e tjera mos të shfrytëzohet nga të tjera kompani? Nuk është çudi që një pjesë e mirë e kompanive të kthehen vetë në ofrues hapësire për coworking pikërisht bazuar në këtë logjikë.

Një trend që parashikohet për të ardhmen e afërt si pasojë e pandemisë është ai i ridizenjimit të hapësirave coworking në mënyrë të tillë që të ofrojnë më shumë distancë sociale, më shumë zyra private, më shumë ambiente të ndara qoftë edhe vetëm me pleksiglas. Masat e higjienës pritet që do të vijojnë të kërkohen të zbatohen nga ana e atyre që i shfrytëzojnë këto hapësira, për të pasur më shumë siguri dhe arsye për të lëvizur nga shtëpia në drejtim të këtyre hapësirave.

Lexo:Po rihapni biznesin tuaj? 3 mënyra për të lulëzuar

Në Shqipëri, bizneset që ofrojnë hapësira coworking janë shumë të pakta në numër. Tek ne trendi ndërkombëtar ka hyrë që prej vitit 2015, por nuk ka gjetur aq shumë hapësirë për zhvillim. Arsyet janë të ndryshme, por nga një studim i tregut, ndër të tjera mund të theksohet fakti që numri i profesionistëve të lirë në kërkim të hapësirave të kësaj natyre është i ulët. E njëjta gjë mund të thuhet për numrin e startup-eve që në vende të tjera janë ndër shfrytëzuesit kryesorë të të tilla hapësirave. Dhe po kështu, nuk është e praktikuar që biznese ekzistuese, të cilësdo përmasë, të zgjedhin me qëllim që të vendosen në hapësira coworking për të pasur më shumë shkëmbim me startup-e dhe profesionistë të lirë.

Ajo që ka funksionuar mirë ka qenë sistemimi në këto lloj hapësirash dhe për një periudhë kohe disa mujore deri në disa vjeçare i kompanive të huaja që kanë hapur aktivitet në Shqipëri. Rasti i Daisy, që në periudhën 2015 – 2020 është njohur nën emërtimin Talent Garden Tirana, e dëshmon këtë qartësisht dhe mund të cilësohet si një eksperiment i parë i rëndësishëm në këtë fushë. Për rastin e saj meriton të shkuhet në një tjetër herë më gjerësisht. Vështirësive të konstatuara në vite lidhur me mungesën e kërkesës së mjaftueshme për të siguruar stabilitet financiar dhe rritje, në mars 2020 iu shtua edhe pandemia e COVID-19.

Në kushtet e pandemisë, Daisy qëndroi e mbyllur për një periudhë gati 2-mujore dhe në fund të muajit maj hapësira coworking hapi përsëri dyert per anëtarët e saj. Kushtet e aplikuara për biznesin mëmë, LocalEyes dhe komunikimet nga drejtoresha e kompanisë në Shqipëri, Eriona Spahija, kanë vlejtur edhe për Daisy. Masat e marra për të siguruar punonjësit, janë afishuar në të gjithë mjediset. Janë dërguar në mënyrë të përsëritur dhe janë përditësuar, siç ishte rasti në muajin gusht, kur pas sezonit të pushimeve të gjithëve iu kërkua që të qëndronin një javë në shtëpi para se të ktheheshin në punë normalisht. Në shumë pika janë vendosur dezinfektantë, maska dhe doreza. Për një periudhë të caktuar hyrja e përparme mbahej e mbyllur për të lejuar vetëm futjen me maskë të personave të interesuar.

Lexo:“Si do t’i vejë halli pandemisë?” Më mirë të jesh optimist apo pesimist?

Biznesi sigurisht që u dëmtua nga ana financiare nga kjo pandemi. Për periudhën prill-qershor nuk u mblodhën pagesa qerash nga anëtarët, por u konstatua se pas hapjes së tij anëtarët u kthyen menjëherë, madje pati edhe prurje të reja. Ja se si shprehet Redjan Ymeraj, profesionist i lirë në fushën e programimit, anëtar i Daisy prej më shumë se një viti:

– Pse është e mirë puna në një coworking?

Mendoj se të punuarit në një Coworking duhet parë në dy aspekte: si një kompani dhe si një freelancer. Secili prej atyre aspekteve trajton problematika specifike për nevoja specifike.

Për një Freelancer një Coworking mundëson komoditetin e të pasurit të një hapësire, ku të ushtrosh aktivitetin tënd duke ulur ndjeshëm proceset burokratike dhe koston e sigurimit të një zyre. Gjithashtu, të punuarit në një Coworking të jep mundësinë të ekspozohesh në një komunitet individësh të ngjashëm ose pjesë në të njëjtën industri, e cila të ndihmon qartazi në krijimin e kontakteve, shkëmbimin e ideve, zgjidhjen e problematikave, por dhe të jep mundësinë e krijimit të mënyrave të ndryshme të bashkëpunimit.  

 Për një kompani, hapësirat Coworking mundësojnë një nisje të shpejë të aktivitetit, reduktimin e stafit operacional dhe sigurimin e shpejtë të një ambienti komod pune dhe reduktimin e plotë të aktiviteteve të ndryshme të mirëmbajtjes së një zyre normale. Kompanitë e vogla, ato mesatare por sidomos ato të huaja mund të gjejnë lehtësisht haësirën e duhur dhe gjithashtu mund të përfitojnë akses në një komunitet profesionistësh që mund ta përdorim për rekrutim.

 – Sa i lehtë/vështirë ka qenë kthimi pas rinisjes së aktivitetit të bizneseve dhe Daisy në maj/qershor?

 Rikthimi ka qenë shumë i lehtë, stafi i Daisy ka qenë mirëkuptues për periudhën e karantinës dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm për mënyrat e përdorimit të hapësirave të përbashkëta dhe rikthimit normal të aktivitetit.

 – Cilat janë masat e higjienës që sheh të aplikuara tek Daisy?

 Hapësirat e zyrave janë pastruar në mënyrë konstante dhe na janë vënë në dispozicion masa mbrojtëse si maska, doreza, dezinfektues për duart dhe tavolinat. Pozicionimi në distancë dhe përmasat e mëdha të tavolinave kanë ndihmuar në ruajtjen e distancës ndërmjet bashkëpërdoruesve të ambienteve.                                                                                    

Raste dhe përshtypje të ndara si këto të Redjanit mund të ndeshësh tek shumë profesiostë të tjerë të cilët kanë pasur mundësinë të qëndrojnë dhe shfrytëzojnë shërbimet e hapësirave coworking. Në kushtet kur në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë po vazhdohet të ndërtohet me ritme të larta, ka shumë hapësirë të mendohet seriozisht për zhvillimin e kësaj industrie që mund të thuhet se sapo ka lindur dhe e cila padyshim do t’i mbijetojë me sukses pandemisë COVID-19.

Autore:Lindita Komani

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0