Çfarë po e pengon pasurinë tuaj të mos shpërndahet? - Business Magazine Albania

Çfarë po e pengon pasurinë tuaj të mos shpërndahet?


Portreti i Shqipërisë së varfër dhe të pabarabartë në mirëqenie, i ekspozuar në shifra nga Banka Botërore dhe INSTAT, ishte i shpërfytyruar nga ekstremet dhe gati i pandryshuar në tipologji, si edhe shumë vite me parë.

Duke qenë një raport statistikor, ai nuk jep shkaqet e kësaj varfërie dhe as propozon sesi dilet prej saj, por nga ballafaqimi i të dhënave kupton dinamikën e varfërisë dhe pasurisë në Shqipëri.

Së pari, se varfëria lëviz më shpejt se pasuria, e cila ka aftësi të dobët të rikuperojë varfërinë. Megjithëse Tirana e Durrësi janë qendrat më të mëdha të zhvillimit ekonomik në vend, ato rezultojnë bashkë me Kamzën si zonat me pabarazinë më të madhe. Ky përfundim shpjegohet me lëvizjen e brendshme të popullatës, nga zonat më të varfra drejt zonave më të pasura.

Së dyti, pasuria në Shqipëri lëviz ngadalë, ka rreze të shkurtër veprimi dhe aftësi të dobët për të rikuperuar në të njëjtën masë varfërinë. Raporti tregon se në Lezhë apo zona e plazhit në Gjirin e Lalëzit janë më të pasura, por e gjithë zona rurale që e rrethon atë, mbetet ndër më të varfrat.

Së treti, punësimi numerik nuk zbut varfërinë, por aftësia për të krijuar vlerë të shtuar. Sipas të dhënave, në bujqësi është numri më i madh i të punësuarve, por se të ardhurat në fshat janë të ulëta dhe varfëria më e madhe për shkak të mekanizmit të ulët, mungesës së infrastrukturës mbështetëse dhe veçanërisht aksesit të ulët në tregje.

Së katërti, varfëria nuk është në periferi dhe pasuria në qendër (ndarja sipas zonave), por se është ende shkalla e emigracionit ajo që përcakton ende këtë status në Shqipëri. Zona me e varfër është Kukësi, në verilindje të vendit, por fshatrat më të pasur janë disa në zona të thella të Gjirokastrës që kanë emigrim dhe të ardhura të larta nga remitancat.

Së pesti, pasuria dhe mirëqenia janë të përkohshme ndërsa varfëria mbetet e përhershme. Shembull i këtij përfundimi është Ksamili, dhe disa zona të tjera turistike që arrijnë pikun gjatë sezonit të verës, por që popullata ka pak ose aspak aktivitet gjatë pjesës tjetër të vitit dhe se të ardhurat gjatë verës të mesatarizuara në muaj të një viti, nuk i nxjerrin banorët mbi kufirin e varfërisë.

Pra kemi një Shqipëri ku varfëria lëviz shpejt dhe pa barriera dhe pasuria që krijojmë nuk arrin të shpërndahet, nuk shërben si model për më të varfërit dhe as arrin të shumëfishohet më shpejt sa të mposhtë varfërinë që zbret drejt saj përmes lëvizjeve demografike.

Po a mund të ketë një zgjidhje që i përbashkon të gjitha këto shqetësime. Si mund t’i pritet rruga varfërisë, e si mund të shpërndahet pasuria, si mund të rritet shpejtësia e rikuperimit etj? Siç e kuptoni janë pyetje që lidhen të gjitha me lëvizjen, ndaj ndërtimi i rrugëve të reja dhe rritja e shpejtësisë së lëvizjes në ato, mbetet një opsion prioritar në Shqipëri. Sot, Shqipëria ka shumë pak kilometra rrugë nacionale të shpejtësisë së lartë, nuk janë të lidhura të gjitha zonat e zhvillimit, ka deficite të rënda me rrugët rurale dhe ende nuk është lidhur plotësisht me rrjetet e korridoreve ndërkombëtare të transportit duke demonstruar një mungesë të theksuar të aksesit në tregjet vendase edhe ato të huaja.

Paçka se nuk ia kanë arritur aq sa duhet, të gjitha qeveritë paraardhëse, e kishin ndërtimin e rrugëve prioritet pasi është provuar që ndërtimi i tyre ka efekte multiplikative pozitive në ekonominë makro por edhe në ato individuale, rritet punësimi, ulen kostot dhe lehtësohet komunikimi i të mirave dhe ideve. Shembulli i freskët është Thethi apo Korça, nga ndërtimi i tunelit të Elbasanit dhe nga ndërtimi i rrugës, të ardhurat në këto zona janë rritur ndjeshëm e veçanërisht Thethi ka dalë përfundimisht nga harta e varfërisë, ku strehohej prej shumë dekadash.

Varfëria është e shëmtuar. Edhe e bukura mund të rrisë vlerën e pronës e kapitalit, por a mund të jetë ajo një motorr i fuqishëm zhvillimi sa të zëvendësojë investimet në infrastrukturë? Për ta lehtësuar përgjigjen, e ndërtojmë pyetjen ndryshe: për të mundur varfërinë cilën zgjedh: dritat apo energjinë, sheshpushimet apo lëvizjen, rrugën apo pemën?

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0