Bizneset shqiptare që shitën dhe blenë aksione gjatë 2 viteve të fundit - Business Magazine Albania

Bizneset shqiptare që shitën dhe blenë aksione gjatë 2 viteve të fundit

aksione

Bizneset shqiptare, në pjesën më të madhe të tyre, janë familjare. Mbiemrat e njëjtë mbizotërojnë në strukturën e pronësisë së kompanive të mëdha dhe të Bordeve të Këshillave Mbikëqyrës për shoqëritë aksionere. Si rrjedhojë, edhe lëvizjet për shitblerjet e aksioneve janë të ulëta. Kryesisht ato janë kalime aksionesh mes bashkëshortësh, apo nga prindërit te fëmijët.

  • Transaksioni më i madh në 2020-n ishte kalimi i koncesionit të aeroportit të vetëm në vend, atij të Rinasit te grupi më i madh në vend “Kastrati Group” në dhjetor 2020. “Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. më 18 dhjetor. Sipas kontratës, vlera e transaksionit ishte 71 milionë euro.
  • Në prill 2021, aksionet e Kastrati sh.p.k., operatorit të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve kanë kaluar nga Shefqet Kastrati te Kastrati Group (që është në pronësi po të Shefqet Kastrati).
  • Në dhjetor 2020, “Balfin – Balkan Finance Investment Group” u bë aksioner i 100% të Tirana Bank, pas largimit të ortakut të “KOMERCIJALNA BANKA AD SKOPJE”, i cili zotëronte 9.88% të aksioneve. Transaksioni kishte vlerë 2.7 milionë euro, sipas marrëveshjes së shitblerjes së aksioneve të depozituar në QKB. Balfin dhe “KOMERCIJALNA BANKA AD SKOPJE” i blenë përkatësisht 88.95% dhe 9.88% të aksioneve të Tirana Bank nga Banka e Pireut (me bazë në Greqi) në mars të vitit 2019.
  • “SINGAPORE EUROPE REAL ESTATE” ka përthithur në korrik 2020 shoqërinë “BFI Invest”. Të dyja janë pjesë e grupit Balfin, me aktivitet në pasuritë e paluajtshme.
  • Në mars 2021, operatori me shumicë i tregtimit të naftës, “Genklaudis” përthithi me bashkim “Gega Oil”, me të njëjtin aktivitet dhe pjesë e të njëjtit grup. Sipas aktit të bashkimit me përthithje, motivi kryesor është grupimi i forcave dhe mjeteve të punës për mbarëvajtjen e aktivitetit, në funksion të rritjes së përfitueshmërisë, uljes së kostos, përballimit të konkurrencës. Pas realizimit të përthithjes, “Genklaudis” ka ndryshuar emrin në Gega Oil.
  • Kompania austriake “Strabag AG” ka marrë kontrollin e plotë të “Trema Engineering 2”, duke u bërë zotëruese e 100% të aksioneve, pasi në nëntor 2020 bleu edhe 49% të aksioneve nga Ilir Trebicka. Çmimi i shitjes nuk bëhet i ditur.
  • “Farmacom” bleu në prill 2020, 33.3% të aksioneve të shoqërisë farmaceutike “Pharmaone”, duke reduktuar në mënyrë të njëjtë pjesën e Ben Petani dhe “Evita”, me një vlerë në total prej rreth 33.3 milionë lekësh, sipas kontratës së shitblerjes. Në vitin 2018, “Evita” kishte hyrë si aksioneve në “Pharmaone”, duke blerë 50% të aksioneve. “Farmacom” u krijua në shkurt të vitit 2020, me aksioner Ertel Kërçuku, i cili ka dhe 27.5% të aksioneve të “Evita”.
  • “G.P.G Company”, me aktivitet në ndërtime industriale dhe civile ka përthithur në dhjetor 2020 shoqërinë “Vëllezërit Tola”, ku ajo ishte 100% aksionere. Sipas marrëveshjes së bashkimit, ortakët presin të realizojnë përfitime më të mëdha ekonomike nga përqëndrimi i burimeve financiare, përmirësimi i menaxhimit, ulja e kostove të administrimit. Vëllezërit Tola kishte aktivitet në transmetimin, prodhimin, shpërndarjen, shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, por nuk ka raportuar të ardhura vitet e fundit, sipas bilanceve zyrtare.
  • Në prill të vitit 2021, Mimoza Çobo, aksionere e 100% të sipërmarrjes “Denisa”, me aktivitet në shitje me shumicë dhe pakicë dhe përpunimin e materialeve të ndryshme të drurit u ka kaluar tre vajzave nga 10% të aksioneve, duke zbritur në kuotën e 70%.
  • Në dhjetor 2020, Tefide Aliaj ka shitur 90% të kuotave të zotëruara në shoqërinë farmaceutike “ILMA”, në favor të Agron Gjini për 900 mijë lekë. Gjini ishte administrator i kompanisë deri në vitin 2009.

Lexoni: Milioner para të tridhjetave

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0