Besart Çopa, 19 vjeçari që po ndihmon studentët shqiptarë të marrin bursa ndërkombëtare - Business Magazine Albania

Besart Çopa, 19 vjeçari që po ndihmon studentët shqiptarë të marrin bursa ndërkombëtare


Besart Çopa 19 vjeçari nga Durrësi ka qenë shqiptari i parë që mori një bursë të plotë në një nga shkollat më të mira zviceriane në të gjithë botën, Leysin American School. Duke qenë se në Shqipëri ka shumë studentë të talentuar do të ishte e padrejtë të mos bëheshin pjesë e një arsimi cilësor për faktin se nuk janë në dijeni që ekzistojnë bursa ndërkombëtare. Me vendosmërinë e një të riu ai themeloi ASE (Albania Scholarship Efforts), ku ofrohen konsulta me studentët dhe prindërit për mundësitë e bursave në gjimnazet më prestigjoze në botë.

Në këtë intervistë për Business Magazine ai tregon më shumë për veten, mundësitë që ofron ASE, projektet në të cilat ka marrë pjesë dhe të ardhmen e tij.

BM: Kush është Besart Çopa për të gjithë ata që nuk ju njohin?

B: Unë jam një student shqiptar 19 vjeç nga Durrësi. Jam krijues dhe drejtues i Albanian Scholarships Effort, e cila është një iniciativë që ka si qëllim të ndihmojë studentë gjimnazi shqiptar për të ikur në shkollat më elitare në botë.

BM: Cila është historia juaj e suksesit nëpërmjet së cilës dëshironi të inspironi të gjithë studentët shqiptarë?

B: Kur isha në klasë të 9 mora bursë të plotë në Leysin në Zvicër, një nga gjimnazet më prestigjoze në botë dhe gjithashtu një nga më të shtrenjtat. Atje mora vesh se isha shqiptari i parë dhe më pas kur mora bursën takova të gjithë shokët dhe shoqet dhe pashë që shumë ishin dyshues ndaj këtyre mundësive, të cilët nuk besonin se mund të ketë gjimnaze apo shkolla ku çdo gjë është e përfshirë në bursë. Realiteti është që ka! Ky është një qëllim shumë i thjeshtë i ASE-së.

Kontaktova me të gjithë shqiptarët që ishin nëpër universitetet më të mira jashtë me bursa. Krijova një grup në Facebook dhe u thashë që të nisnim një iniciativë, me studentë të talentuar shqiptarë në mosha shumë të reja, duke filluar nga mosha 10 vjeç, pasi aplikimet nisin nga mosha 14 vjeç dhe në 4 vite ata mund të përgatiten shumë, në aspektin akademik dhe gjëra të tilla. Krijova këtë grupin e konsultuesve, hapëm një faqe në Facebook dhe deri tani janë rreth 1500 njerëz online dhe kemi bërë konsultime direkte me më shumë se 100 familje.

BM: Si funksionojnë konsultimet?

B: Ne na dërgojnë mesazhe në Facebook dhe përgjigjemi. Më pas unë apo konsultues të tjerë vijmë këtu në Shqipëri dhe i takojmë personalisht, ose në rastin kur nuk kemi mundësi të vijmë bëjmë konsulta me Skype. Këto janë të gjitha falas.

ASE është një organizatë  pa pagesë, më saktë një iniciativë e studentëve shqiptarë nëpër botë që flasin me studentë që kërkojnë bursa. Historia ime personale e suksesit është që ika në Leysin me bursë dhe ia dola shumë mirë, kalova tre vite shumë fantastike dhe fillova të punoja me Këshillin e Europës në moshën 18 vjeçare, ku u angazhova me projektet e Kombeve të Bashkuara, me projekte lokale për refugjatët, me projekte për nisma në shkencat kompjuterike dhe këtë vit u zgjodha udhëheqësi i Global Teen 2017 nga Fondacioni “We Are Family” dhe bashkëpunova me Drejtoreshën Ekzekutive të Fondacionit Clara Lionel për të sjellë në jetë International Scholarship Effort, që është version ndërkombëtar i ASE. Më pas shkova në New York për një trajnim një javor nga ky fondacion, i themeluar nga Rihanna. Ata kanë bërë një punë shumë të mirë me arsimin.

Më kryesorja është që të gjitha këto që unë përmenda më sipër, i kanë bërë dhe studentë shqiptarë në të gjithë botën, të cilët kanë arritur shumë gjëra fantastike. Asgjë nga këto nuk është e pamundur për studentët që janë këtu në Shqipëri. Unë do iki në universitet dhe nuk do paguaj asgjë për 4 vitet e ardhshme, pra do jetë çdo gjë me bursë. Ka gjimnaze dhe universitete që mbulojnë çdo gjë, për sa kohë është përgatitja, për sa kohë është ajo ambicia personale, kurioziteti intelektual për të qenë shumë aktiv në nivelin lokal, çdo shqiptar mund të iki pasi ka bursa që jepen që 12 apo 13 vjeç. Ne më shumë sugjerojmë që të ikin për 2 ose 3 vitet e fundit. ASE dëshiron t’i heqi mitet që është e pamundur, pasi për të patur sukses jashtë Shqipërisë duhet të jesh ose “gjeni”, ose shumë “special”.

BM: Pse mendon se ekziston ky mentalitet?

B: Nuk e di në të vërtetë unë personalisht kërkova në Google dhe dërgova email-e. Për shumë studentë këtu mendoj se kur nuk e dinë që ekziston diçka e tillë nuk kanë sesi ta kërkojnë. Nuk ke sesi të lidhesh. Ne jemi akoma në fazën që jo vetëm tregojmë sesi ta bëjnë, por edhe iu tregojmë që ekziston kjo në realitet, ekziston një bursë e plotë. Mund të përgatitesh dhe nuk ke nevojë të jesh gjeni. Me punë arrihet çdo gjë. Në realitet është një balancë që gjithçka është e mundur, por duhet shumë punë. Unë kam qenë në shumë vende këto vitet e fundit si në Madagaskar, Tajlandë, Laos, në Republikën Domenikane dhe fola me shumë studentë dhe një nga gjërat interesante është se kur je në shtetet që janë në zhvillim, studentët thonë se në shtetin tonë ne mund të studiojmë dhe punojmë shumë fort, por në fakt nuk bëjnë asgjë. Ka shumë probleme klasike si korrupsioni, nepotizmi që të dekurajojnë kur punon shumë dhe nuk arrin asgjë, prandaj dhe ne fillojmë me studentë nga mosha 10-15 vjeç, sepse ajo është mosha më e butë dhe më e thjeshtë për ne.

ASE nuk punon me studentë universiteti, sepse është shumë e vështirë, të pengon mentaliteti. Kur flas me studentët ju jap një listë portalesh dhe ju them që 20 minuta në ditë lexo kështu lloj artikulli, nuk ka rëndësi se për çfarë ka të bëjë. Thjesht duhet të lexosh dhe të mbushësh mendjen me sa më shumë informacion, sepse në të ardhmen edhe ASE do të ketë si kriter që ata që aplikojnë të kenë projekte lokale, të bëjnë diçka në nivelin lokal. Ata duhet të punojnë vetë të pavarur dhe duhet të na e vërtetojnë punën e kryer, këtu nis bashkëpunimi.

BM: Çfarë është Albanian Scholarship Effort dhe cili është qëllimi i saj?

B: ASE është një iniciativë që ndihmon të rinj shqiptarë nga mosha 10-15 vjeç që të marrin bursa nëpër gjimnazet më prestigjoze në botë dhe qëllimi tjetër është që të ndihmojë në krijimin e Elitës Intelektuale Shqiptare në të ardhmen.

BM: Na trego pak për projektin që po bën me “Clara Lionel foundation”. Me çfarë ka të bëjë projekti?

B: Projekti që po punoj me këtë fondacion quhet International Scholarship Effort. Është njësoj si ASE, por version ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara çdo 15 vite nxjerrin qëllimet kryesore që janë: Jo urisë, Jo varfërisë, Jo diskriminimit gjinor dhe qëllimi kryesor është arsimi. Një nga pikat e fondacionit është që të rrisi numrin e bursave për vendet në zhvilllim. Unë e pashë krej rastësisht në Facebook që Vatikani dhe Kombet e Bashkuara bënin një lloj eventi në Nëntor që ftonin njerëz nga e gjithë bota, ku të jepnin ide projektesh dhe më pas ua prezantonin jurisë në Kombet e Bashkuara. Aty isha më i riu në të gjithë eventin dhe ISE u zgjodh mes 10 ideve më të mira. Ideja në bazë është shumë e thjeshtë. Shkollat në Amerikë janë duke dhënë shumë bursa. Problem nuk është se nuk ka studentë të talentuar si nga Madagaskari apo vende të tjera, problemi është i gjithi tek informacioni. Nuk ka asnjë informacion njësoj si me ASE. ISE së bashku me universitetet më të mira do të zhvillojnë panaire bursash, pra panaire informacioni.

BM: Po përsa i përket ASE a keni menduar që të bëni një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit? Keni delegatë tuaj apo përfaqësim në çdo shkollë përveç paltformës online?

B: E kam menduar. Këtë verë, është hera e parë që do jemi disa delegatë dhe disa konsultues këtu në Shqipëri që do flasim dhe do ketë një sërë referendumesh. Para se të bëhen konsultimet, bëhet një selektim paraprak online dhe më pas plotësohet një Google Form me notat dhe nivelin e anglishtes. Që aty bëhen selektimet dhe shihet kush student është i interesuar. Ne jemi gjithsej 12 konsultues dhe çdo konsultues i rri në kokë çdo studenti. Të gjithë studentët që kemi janë shumë të rinj. Unë kam ndihmuar shumë njerëz personalisht që kanë marrin bursa në Zvicër dhe Amerikë. Këtë verë do jetë një takim dhe do shohim se çfarë do bëjmë në vazhdim.

BM: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Po për të ardhmen e ASE?

B: Unë mora një vit pushim pas gjimnazit. Veprova kështu sepse u bëra pjesë e Këshillit Europian. Para këtij viti e kisha ndarë mendjen që do të studioja shkenca financiare, do punoja në banka, me bursat, por kam kuptuar që nuk dua të bëj atë punë. Nuk jam shumë i sigurtë sesi do jetë e ardhmja, sepse ka shumë opsione.

Një nga synimet kryesore për ASE për 3-4 vitet e ardhshme është që ajo të jetë e qëndrueshme vetë. Ne që tani kemi studentë që kanë marrë bursa, të cilët ikin nëpër gjimnaze jashtë dhe kanë marrë role leadershipi në ASE. Ata vijnë me ide të ndryshme për të përmirësuar ASE-në dhe ne këtë duam, duam që në 3-4 vite studentët që janë duke ikur jashtë të vazhdojnë misionin e ASE, të ndihmojnë sa më shumë të rinj të tjerë që të marrin bursa. Idealisht do të doja që kjo të ndodhte në sa më shumë vende në zhvillim, jo vetëm këtu në Shqipëri, që rinia të marri rolin kryesor në krijimin e një elite intelektuale.

Dëgjojmë shumë që thonë që të rinjtë të mos ikin nga Shqipëria. Unë nuk e imagjinoj dot sikur mos kisha ikur nga Shqipëria. Unë nuk do të kisha bërë asgjë nga këto. Gjëja kryesore që dua është që të gjithë studentët e ASE që ikin të kthehen dhe të kontribojnë në vendin e tyre. Unë besoj se vullnetarizmi është një gjë që të edukon dhe të aftëson. Në Zvicër ne e kishim të detyrueshme që duhet të bënim disa orë në javë punë vullnetare. Kjo gjë mua më ndihmoi shumë. Në fillim e bën sepse të thonë ta bësh, por më pas e bën me dëshirë. Shqipëria nuk i ka burimet që t’i ofrojë zhvillimin intelektual studentëve që rrinë këtu.

BM: Po përsa i përket konsulentëve që ka ASE? Sa veta janë dhe si mund të bëhesh konsulent i ASE?

B: Tani janë 12 konsulentë dhe mund të bëhet çdo person që ka ikur jashtë me bursë në universitetet më të mira në botë.

Mesazhi im për të gjithë studentët është: “Çdo gjë është e mundur.”

BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese të mëtejshme!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0