BM: Alen, së fundmi keni lançuar një përditësim të projektit Dx Vision, a mund të na tregoni më shumë rreth këtij projekti? Çfarë risie do të sjell ?
Dx Vision është një algoritëm i cili përdor teknologjitë më të fundit në fushën e Machine Learning apo aftësisë së makinerive për të mësuar nëpërmjet Neural Netowrk. Qëllimi i Dx Vision është që të ndihmoj mjekët stomatolog në evidentimin e problemeve në grafitë dentare, ku këtë gjë deri më tani po e bën më së miri. Kemi punuar për versionin e dytë të këtij algorimti i cili ka rritur ndjeshëm saktësinë dhe sasinë e problemeve të cilat evidentohen brenda një grafie. Së shpejti do të krijojmë partneritete të rëndësishme me universitete të njohura ndërkombëtarisht për këtë projekt.
Momentalisht jemi duke biseduar me dy universitete, një në Australi dhe një në Kanada dhe mendoj se njëri ndër ta ose edhe të dy do të jenë partnerët tanë për ta zhvilluar këtë teknologji edhe më tej. Mundësitë e zhvillimit të këtij projekti janë të pafundme. Që nga aplikimi në fushën e onkologjisë ose diagnostikimin e kancerit oral që në fazat e herëshme deri tek matja e humbjes së kockës në nofull edhe gjithçka mund të bëhet vetëm me ngarkimin e një imazhi dixhital në platformën tonë. Inteligjenca artificiale për mendimin tim është fusha më emocionuese e teknologjisë në këto moment që ndodhemi tani.
Lexo: Dentem sjell Dx Vision – E ardhmja e njohjes së imazhit tashmë në çdo klinikë dentare
BM: Aktualisht Dentem është zhvendosur në Torono të Kanadasë. Pse keni zgjedhur pikërisht Kanadanë dhe cila është arsyeja e kësaj lëvizje ?
Ne zgjodhëm Toronton për disa arsye. Pasi shëtitëm pjesën më të madhe të Europës, vizituam Amerikën dhe pamë botën e inovacionit në vendet arabe ose më saktë në Dubai prapë anoheshim drejt Amerikës së Veriut. Një ndër arsyet më të rëndësishme është edhe tregu. Tregu më i madh për fushën në të cilën ne po punojmë ndodhet këtu dhe në Toronto kemi mundësinë ta shtyjmë më tej inovacionin tonë dhe më pas të futemi edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithmonë me synimin për t’u bërë një platformë globale, që deri më tani besoj se i kemi bërë hapat e parë strategjik për ta arritur. Një ndër arsyet e tjera të zhvendosjes sonë në Toronto është edhe investimi i konsiderueshëm që kemi marrë rishtazi me një vlerësim tejet të mirë të Dentem.
Vlerësimi aktual i kompanisë është 3 milionë $ dhe synimi ynë është ta dyfishojmë ose trefishojmë vlerën në 18 muajt e ardhshëm. Përpos të gjitha fakteve të përmendura më sipër më duhet të ndalem pak edhe tek ekosistemi i inovacionit. Toronto dhe një pjesë e mirë e qyteteve të Kanadasë janë lider në shumë drejtime të kerkimit edhe zhvillimit sidomos në fushën mjekësore. Duke qenë fizikisht këtu e ndjen të gjithë energjinë që rrezaton ekosistemi dhe ndjehesh më i motivuar për të ndryshuar botën.
BM: Le të kthehemi pak në kohë. Dentem para disa muajsh u bë pjesë e Station F, inkubatorit më të madh në Europë. Çfarë të mirash solli ky bashkëpunim dhe a vazhdon ende?
Lëvizja jonë në Paris ishte një ndër tentativat tona si startup në rritje për të gjetur një ambjent të përshtatshëm për të vazhduar rritjen. Ishte një ekperiencë shumë e mirë dhe mund të ketë qenë edhe shtysë për ne, për të ardhur në Toronto. Kampusi i Station F, në Paris është kampusi më i bukur që unë kam parë deri më sot (përfshi kampuse nga Silicon Valley, Dubai, Berlin, Ljubljana e shumë të tjerë) dhe është një ambjent i jashtëzakonshëm. Bashkëpunimi u ndërpre për vetë faktin se nuk mund të jemi gjithandej në të njëjtën kohë, sidomos në këtë fazë kritike të kompanisë tonë. Por kam përshtypjen se me Parisin do të vazhdojmë të kemi lidhje në botën e inovacionit por mbase në fushën e hardware. Më mirë këto t’ja lëmë të ardhmes.
Lexoni: Dentem i bashkohet “Station F”, inkubatorit më të madh të startupeve në Europë
Planet tona për të ardhmen janë të shumta. Një pjesë e tyre nga ana komerciale për kapjen e një pjese të tregut në Toronto dhe Ontario dhe një pjesë tjetër e tyre për zhvillimin e teknologjive të reja të kërkim zhvillimit dhe perfeksionimin e këtyre projekteve që kemi lançuar tashmë. Mbrapa nuk mbetet as vendi ynë. Duam ta kthejmë Tiranën në një hub për zhvillimin e produkteve dhe kemi ndërmend të investojmë edhe aty sidomos në burimet njerëzore. Siç shumë persona mund ta dinë se Dentem është kompani e suksesshme, jo sepse përdorim teknologjitë e fundit por sepse jemi një ekip me njerëz të apasionuar pas teknologjisë dhe që mund të ndërtojmë produkte shumë solide që mund të pushtojnë botën dhe këtë po e vërtetojmë dita ditës. Pra jemi një kompani e ndërtuar nga njerëz në rradhë të parë dhe ky është aseti ynë më i rëndësishëm dhe pikërisht në këtë pikë do t’i vazhdojmë investimet tona edhe në Tiranë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.