“Albanian ICT Awards” ka çelur edicionin e pestë. Ky eveniment ka si qëllim promovimin e projekteve inovatore, si dhe profesionistëve të suksesshëm në teknologji. Mbështetës i këtij evenimenti është për të pestin vit radhazi edhe Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha”.
“Përgjatë këtyre 5 viteve kemi arritur të sjellim një frymë të re, duke zgjuar ndjenjën e vërtetë të garës ndër më të mirët e këtij sektori, përmes një formule shumë strikte, ku fjalën kryesore e mban juria profesionale. Kemi bërë përpjekje për fuqizimin e grave në sektorin e ICT-së, jo thjesht për të drejta të barabarta, por sepse besojmë në hulumtimet akademike, se një gjë e tillë nxit ekonominë e çdo vendi. Është shumë e rëndësishme gjithëpërfshirja e shoqërisë në këtë sektor”, tha Kushtrim Shala, drejtues i “ICT Awards”.
Pjesë e kësaj nisme, përgjatë 5 viteve kanë qenë mbi 500 projekte të ndryshme individuale apo institucionale, nga Shqipëria dhe Kosova. Eventi ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të rëndësishëm shqiptarë dhe më gjerë, si dhe është vlerësuar me çmimin “Bleta e Artë” në kategorinë “ICT” për kontributin e çmuar në drejtimin e promovimit të sipërmarrjes dhe zhvillimit në këtë sektor.
Pjesë e këtij eventi ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili foli për mbështetjen që duhet t’i jepet projekteve inovatore dhe atyre në teknologji.
“Mungon elementi i financimit afatgjatë të startup-eve. Kjo nuk mund të jetë vetëm një gjë e qeverisë, me një projekt apo një tjetër. Unë njoh njerëz në këtë qytet, të cilët paguajnë një milion euro për një leje ndërtimi. Ky komunitet duhet të përdorë më mirë qasjen në financa private. Do të duhet të fusim këtë element, për të vrarë mendjen sesi një biznesmen shqiptar, i cili mund t’i ketë bërë lekët nga qendra tregtare, ndërtimi apo fasoneria, tani të mund të sfidohen në një fushë të tillë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Juria e “Albanian ICT Awards” është e përbërë nga personalitetet më të njohura të sektorit të Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri dhe Kosovë. Krahas 7 kategorive tradicionale, ky edicion do të ketë dhe një kategori shtesë “Cyber Security”, në kuadër të nismave për mbrojtjen nga krimi kibernetik. Mbrëmja gala e ndarjes se çmimeve “ICT Awards” do të zhvillohet në muajin prill.
burimi: Top-Channel
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.