Mërgim Cahani: “Përderisa dikush vazhdon dhe nuk ndalet, atëherë suksesi është i pashmangshëm.” - Business Magazine Albania

Mërgim Cahani: “Përderisa dikush vazhdon dhe nuk ndalet, atëherë suksesi është i pashmangshëm.”


-Mesa njohuri kemi ne ju jeni startupi i parë shqiptar që arrin të marrë këtë vlerë investimi. Si u arrit kjo?

Sipas hulumtimeve tona dhe shumës së investimit, edhe ne mendojmë se jemi startupi i parë i cili ka marrë një shumë prej 2 milionë $. Mënyra se si e kemi arritur është pak histori e gjatë dhe nuk ka ndodhur brenda natës. Ka qenë një punë e zellshme që nga viti 2011. Domethënë për herë të parë ka filluar si koncept në 2011-ën përderisa unë ende isha në Nju Jork duke punuar për projektin final për master në Nju Jorku.

Më pas vazhdoi me hapat e parë dhe ku mora një risk të madh pasi unë lashë punën time shumë të mirëpritur dhe të mirëpaguar. I lashë të gjitha mbrapa pas 11 viteve në SHBA. Vendosa që të përcjell qëllimet e mia, objektivat e mia për të lançuar një motor kërkimi në gjuhën shqipe. Më pas, pasi jam kthyer në Kosovë kemi punuar shumë, kemi tentuar, jemi lançuar në shkurt të vitit 2013 dhe kam dështuar, sepse kam qenë i vetëm në atë kohë që kam punuar në këtë projekt. Pas kësaj vura re që pa ekip është vështirë të bëhet. Pastaj gjërat ecin një nga një, kështuqë nuk e kam një përgjigjie të shkurtër për këtë, mirëpo nëse duhet të them diçka se si është arritur janë 2 fjalë.

Po i them në anglisht dhe pastaj po mundohem t’i përkthej: Persistence dhe Perseverance, dmth Vendosmëria dhe Këmbëngulja, të cilat janë dashur për të arritur deri këtu.

-Duke u kthyer pak mbrapa te gjetja e emrit: Gjirafa. Pse Gjirafa?

Kemi patur shumë probleme me gjetjen e një emri që t’i përmbushte disa kritere. Kriteri i parë dhe kryesor, kriter i cili ka pasur të drejtën e vetos, ka qenë të ishte i lehtë dhe i gatshëm domaini .com dhe .al. Ky ka qenë kriteri kryesor. Pastaj kritere të tjera kanë qenë një emër për shembull, që të përshkruajë atë se çfarë është produkti, ose një emër i cili merr me vete disa tipare apo veçori të cilat e përshkruajnë ADN-në apo kriterin e vetë organizatës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të cilët janë në Gjirafë. Gjirafa.com përfshin kriterin e parë sepse ishte i gatshëm domain .com dhe .al., e dyta nuk e përfshin veprimtarinë e organizatës sonë, por përfshin karakterin e saj, që është e barabartë me karakterin e ekipit të organizatës. Dhe konkretisht ja se si. Gjirafa është njëra prej kafshëve që historikisht në aspektin e evolucionit, është adaptuar më së miri në ambjentin e saj, domethënë qafën nuk e ka pasur gjithmonë të gjatë. Është kafshë që kur lind brenda 10 minutave mund të ngrihet në këmbë, brenda 10 orëve mund të vrapojë. Domethënë në vete ka disa tipare të evoluimit shumë të veçuara. Gjirafa nuk ka ndonjë predator unik të saj apo nuk është predatore. Edhe pse është barngrënëse, nuk ka ndonjë kafshë për shembull si luani që mund ta sulmojë shpesh atë. Kështuqë adaptimi për ne pasi jemi në fushën e teknologjisë, teknologjia ndërron pothuajse brenda natës, dhe për ekipin tonë është shumë me rëndësi që të adaptohemi në rrethana të reja, në ndryshime të reja, dhe besojmë që ne duhet të kemi aftësi për t’u adapuar nëse duam të jemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

mërgim-cahani-profil-businessmag

Ka fjalë edhe më të mira të cilat e përshkruajnë. Ne kemi dëshirë të mendojmë se i kemi këto tipare dhe punojmë rreth mbajtjes së këtyre tipareve. Principet e punës dhe metodologjia e punës se si veprojmë ne si ekip është në ato rrethana. Ja të jap një shembull konkret. Ne çdo të shtunë kemi mbledhje ekipore ku vijmë në zyrë për 2-3 orë, hamë drekë së bashku, ku dhe diskutojmë se çfarë kemi arritur këtë javë, çfarë mundemi të arrijmë, dhe dëgjojmë idetë dhe sugjerimet e çdo njërit nga stafi. Dhe nëse ato janë të argumentuara mirë dhe kanë njëfarë logjike merren parasysh, domethënë nuk shkon vetëm ‘up-down’ hierarkia e strategjisë, por merret nga çdonjeri që është pjesë e stafit këtu te ne. Dhe çdonjëri prej tyre është aksioner në kompani, pa marrë parasysh pozitën e tyre.

-Duke ju dëgjuar i dhatë shumë rëndësi dhe theks fjalës ekip, staf. Dhe pjesa e parë që thatë se arsyeja e dështimit ishte se ishit i vetëm, aty kuptojmë që duhet ekip. Cilët janë anëtarët e ekipit dhe e konsideroni veten me fat që keni gjetur këta anëtarë?

Unë mendoj, në fakt nuk mendoj por e di, sepse ju tregova që në shkurt të vitit 2013 kam qenë vetëm, i kam bërë të gjitha vetë dhe nuk kam arritur, jo që jam me fat por është një nga kriteret kryesorë, së paku për ne pasi për një startup duhet një ekip i mirëfilltë dhe i diversifikuar. Mirëpo për ne ka qenë pothuajse vendimtare. Për momentin do t’ju tregoj disa vende kyçe të ekipit tonë.

Unë jam themeluesi, më pas kam marrë me vete 2 bashkëthemeluesë.

Njëri nga ata është Dr. Ercan Canhasi, i cili ka PhD në shkenca kompjuterike me fokus në NMP. Ai ka studiuar në Slloveni dhe Turqi, është me origjinë nga Prizreni. Me të jemi moshatarë. Dhe ka punuar në këtë drejtim shumë dhe është i publikuar ndërkombëtarisht në akademi, revista shkencore: Peer review journal.

Nëse ne duam të jemi më ndryshe, më mirë që të konkurrojmë në nivel global dhe rajonal duhet të jemi më ndryshe kur vjen puna te teknologjitë dhe algoritmet. Ai në kuadër të Gjirafës tashmë ka vetëm 2 publikime, disa algoritme të Gjirafës ne kemi menduar se është në rregull t’i publikojmë, ndërsa të tjerat që mendojmë se mund ta dëmtojnë kompaninë në këtë faze ende s’i kemi publikuar. Por kemi disa algoritme që janë shumë të mirëfillta për gjuhën shqipe.

Për shembull ne kemi Spellcheck për gjuhën shqipe që ne mendojmë se është më i miri që ekziston, por edhe atë nuk e kemi publikuar sepse na nevojitet në makinën tonë kërkimore, por së shpejti do ta publikojmë. Kështuqë ai është njëri prej tyre.

I dyti bashkëthemeluesi është Diogjen Elshani, të cilin e njoh prej shkollës fillore, domethënë është një shok shumë i mirë i imi që e njoh si në ditë të mira, si në ditë të vështira, i di kapacitetin etik të punës dhe aftësitë mendore, intelektuale dhe strategjitë afatgjata, por është njëri prej personave më etikë dhe të moralshëm që kam patur ndonjëherë mundësinë të takoj dhe të punoj. Ka studiuar menaxhim në Universitetin e Prishtinës, por ka punuar për një kohë shumë të gjatë në infrastrukturë të serverave, ka qenë në Eulex për një kohë të gjatë. Kështuqë ka një ndërthurje shumë të mirë edhe nga aspekti i menaxhimit të biznesit, por edhe nga aspekti i teknologjisë.

Diogjeni është COO dhe merret me gjërat operacionale ditore, ndërsa Ercani është CTO dhe merret me pjesën algoritmike apo shkencore të teknologjisë që ne kemi. Kështuqë këto janë dy pozitat kyçe. Gjithashtu ka një theks të veçantë te programuesit tanë, sepse nuk e di nëse e keni vënë re se për pozitat që tani për tani kemi të lira kërkesa minimale nuk është bachelor apo master, është mirë që të zotërohen por nuk është kyçe. Për ne është me rëndësi që ata të jenë të gatshëm që ata të kuptojnë strukturën e të dhënave dhe algoritmave dhe implementimi i tyre, pastaj vijnë të tjerat. Shumica e programuesve tanë janë shumë të rinj, prej moshës 21-25 vjeçarë dhe nuk e kanë domosdoshmërisht të përfunduar shkollën apo një mirëedukim formal siç e kemi ne, mirëpo janë shumë të aftë, kanë mësuar së bashku nga unë dhe bashkëthemeluesi Elgjani dhe sot kanë arritur një nivel që unë kam 15 vite, pjesa dërrmuese me programim, të më tregojnë se çfarë është më mirë nga aspekti i arkitekturës apo edhe i programimit. Arsyeja është se janë shumë të rinj dhe shumë të vullnetshëm dhe janë me teknologji në hapat e parë. Ata i dinë teknologjitë më të reja nga Amazon dhe Microsoft që në trial-in e tyre. Kur dalin nga Microsofti, ky grup është vetëm ‘up-to-date’ me to.

Kështuqë jam shumë i kënaqur që kemi një grup të pakrahasueshëm nga aspekti i zhvillimeve.

– Përgëzime sepse është pjesa më e vështirë gjetja e programuesve edhe këtu në Shqipëri.

Ja si ka funksionuar me tri programuesit e parë. Unë kam qenë edhe profesor në Universitetin publik të Prizrenit, gjithashtu edhe në një universitet privat në Prishtinë. Te universiteti publik vitin e parë kam dhënë leksion algoritmet dhe strukturën e të dhënave. Kam pasur diku te 300 studentë në një klasë, që është shumë. Dhe aty e kam cekur që ata që janë studentët më të mirë do të punoj me ta, do t’i marr me pagesë, por do të punoj me ta jashtë mësimit, do të jenë pjesë e kompanisë, do të kenë aksione.

Në fund të semestrit tre nga ata janë dalluar më së shumti, domethënë që e kanë përcjellë lëndën më së miri dhe asnjëri prej tyre nuk ka programuar më herët. Mirëpo kanë qenë shumë të aftë në matematikë dhe shumë të aftë në kuptimin e gjërave abstrakte, diçka që nevojitet sipas mendimit tim. Ata të tre më pas nga ajo kohë, prej 2 ose 3 vite, unë kam punuar shumë me ta, gjithashtu edhe bashkëthemeleuesi Ercani.

Kanë mësuar nga ne në mënyrën e duhur, sepse kur dikush studion shkenca kompjuterike dhe nuk e ka kurrikulën, profesorët ose materialin e duhur dhe e mëson gabimishit, më pas është e vështirë të kthehet në parimet e duhura. Eksperienca ime ku kam dhënë leksion në Amerikë në universitet për 2 vite e gjysmë dhe nga eksperienca e Ercanit që ka ligjëruar në Slloveni dhe Turqi, na ka lejuar neve të mundohemi t’ua shpjegojmë atyre në mënyrën e duhur dhe si duhet, sipas mendimit tonë. Dhe e kanë mësuar që nga fillimi mënyrën e saktë. Ne kemi shpenzuar në fillim ndoshta 2-3 javë me leksione, ka qenë gati si shkollë “Gjirafa” në fillim.

Mirëpo sot, unë e them me konfidencë të madhe se këta programuesë që kanë filluar që nga fillimi veçohen pothuajse sikurse të kishin përfunduar mastera, domethënë e kanë arritur atë nivel.

-Në Amerikë ju lindi ideja për të bërë një Google shqiptar, që qoftë se mund ta quajmë kështu?

Po në vitin 2009-2010, kur kam punuar në Universitetin e Nju Jorkut si projekt final të masterit. Kam punuar me një profesor Torsten Suel, i cili është një ndër profesorët akademikë më të cituar në botë në drejtim të web search engines, big data dhe në drejtimet të cilat janë të nevojshme për makinat kërkimore. Me të kam punuar për motorrin e kërkimit të Zelandës së Re, por ka qenë vetëm një projekt akademik, ku unë krijova një prototip shumë funksional për Zelandën e Re dhe mendova se mund ta përdorja atë kod për gjuhën shqipe. Por para se të vendosja të punoj në të, m’u nevojit të bëja një business case, a ia vlen apo jo. Teknologjia pati ekzistuar, pasi unë isha i ekspozuar në atë drejtim dhe më pas me kalimin e kohës vura re se ka buzisness case shumë të mirë për të krijuar një makinë kërkimore apo një Google për shqiptarët.

-Bëtë kërkim për këtë?

Po. Në atë moment kur kisha kodin për Zelandën e re mendova çfarë mund të bëj shqip. Para se të vendosja të bëja atë, ta shohim nëse Google, apo Yahoo-ja dhe të tjerët po e kryejnë punën si duhet. Pashë se ata po punonin shumë mirë, mirëpo kanë një mangësi. Mangësia është se emri shqiptar nuk është emër i avancuar, domethënë që nëse ti kërkon një analizë të një vepre të Kadaresë dhe nëse askush deri më tani nuk e ka shënuar këtë analizë, pa marrë parasysh nëse është Google, Yahoo apo Bing, nuk mund ta gjejë sepse nuk ekziston. Këtu vura re nëse mundem të identifikoj disa sektorë ose lloje të informatave, të cilat nuk ekzistojnë në Shqipëri. Pastaj nëse ne i krijojmë ato informata në një mënyrë apo tjetër, atëherë ne mund t’i kërkojmë ato. Kështuqë aty lindi ideja për të krijuar makinën kërkimore duke u munduar që të dixhitalizojmë apo të avancojmë informatat në gjuhën shqipe që janë në internet, që këto të fundit të mund të gjenden më lehtë.

-Deri tani sa faqe shqiptare keni aktualisht të listuara?

170 milionë faqe, jo domain. Këto 2-3 muajt e fundit kemi bërë avancime më të mëdha. Së paku 20-30 mijë.

-Këto 2-3 vite që kur jeni krijuar në 2013-ën, mund të quhen si 2-3 hapat e parë të Gjirafës së vërtetë e cila ka nisur vrapin e saj? Çfarë ju ka motivuar, pavarësisht shumë vështirësive sepse e dimë që në Shqipëri dhe Kosovë ka shumë vështirësi duke filluar që nga mungesa e mendjes së hapur, mungesë ekosistemi? Çfarë ju ka shtyrë ju që të vazhdoni pavarësisht vështirësive?

Besimi që mund t’ia arrijmë cakut të qëllimit, që mund ta bëjmë, që kemi kapacitet për ta bërë dhe do ta bëjmë. Në fillim kemi pasur shumë, edhe tani i kemi, njerëz të profesionit që unë i respektoj shumë, që kanë menduar se një ide e tillë nuk mund të ecë duke marrë parasysh rrethanat. Mirëpo frika nga dështimi na ka mbajtur që të jemi 100% të fokusuar që të arrijmë atë që kemi vendosur përpara. Kështuqë nuk ka pasur ndonjë motivim medoemos të jashtëm, të gjitha kanë qenë të brendshme. Por këto të brendshmet, na kanë dhënë shpresë dhe mbështetje më tepër.

Vitin e kaluar ne kemi fituar ICT Awards. Por duke ditur se si funksionojnë organizatat te ne që nuk do të ecë si duhet, domethënë nuk do të fitojmë, nuk kishim besim. Dhe kjo jo për shkak të ekipit, por sepse menduam se gjërat shkojnë ashtu si ne shqiptarët jemi mësuar rëndom.

Edhe kur ne fituam thamë: ‘OK, edhe te ne në Kosovë apo në Shqipëri po funksionon siç duhet,’ pasi nuk patëm asnjë ndërhyrje apo diçka tjetër. Dhe kjo na dha një besim shumë të fortë, sepse edhe te ekipi ka ndikuar shumë pozitivisht, por edhe nga pikëpamja nga jashtë. Kemi pasur disa “angel investors” që janë të njohur në botë, për shembull Esther Dyson, e cila njihet si femra më e suksesshme në botë nga aspekti i impaktit të saj në teknologji dhe inovacion, e cila pati investuar te ne. Domethënë, një person i atij rangu botëror që ka mbi 50-60 startupe, duke përfshirë Flickr, Facebook, Yandex etj., ajo e vlerësoi idenë me një nivel krejt tjetër. Jo se ne nuk besonim në idenë tonë por kur të vjen nga dikush me atë lloj background, për ne ka qenë diçka e madhe. Ndodhitë e tilla sado pak të vogla, apo të mëdha kanë qenë si ushqim për ekipin që të ecim përpara dhe të mos ndalojmë punën.

-Një pyetje përsa i përket pjesës së investitorëve engjëj? E keni pasur të lehtë apo të vështirë për t’iu afruar?

Kjo është një bisedë interesante por asnjë nga ata, kemi pasur diku 10 prej tyre, nuk ka qenë shqiptar. Mua më vjen shumë keq që me investitorët shqiptarë kemi biseduar shumë por asnjë nuk kemi pasur. Dhe me disa prej tyre kam shpenzuar muaj të tërë duke u shkruar, rishkruar, edituar, profilizuar business planet dhe në fund janë bërë oferta, mirëpo janë bërë oferta “qesharake” që ne nuk i kemi pranuar.

Mirëpo me investitorët e huaj ne kemi qenë në Kӧln, në një akselerator Startup Yard. Dhe pasi kemi shkuar atje ne kemi marrë “ëngjëj investime” shumë lehtë, për shembull, njëri prej investitorëve të hershëm prej 15 minutave, gjatë një mëngjesi që e patëm një takim, ai vendosi se do të investojë në Gjirafë si engjëll dhe të nesërmen unë i dërgova dokumentat legale, të pasnesërmen i kemi pasur fondet në bankë.

/Intervista e plotë e Mërgim Cahanit për Business Mag Albania. Artikullin mund ta lexoni gjithashtu edhe në faqen nr. 57 të nr. 9 të revistës. Për ta shfletuar të plotë Business Mag Albania klikoni këtu.

Kështuqë 15 minuta diskutim (pitching), 30 minuta pothuajse që dokumenti të dërgohej dhe pastaj 5 minuta për të shikuar fondet. Sepse ajo është puna e angels, të jenë të shpejtë. Dhe më pas gjatë qëndrimit në Pragë për 6 muaj morëm diku te 5-6 ëngjëj.

Pasi u kthyem këtu shoqëria e atyre ëngjëjve me të cilët bëmë marrëveshjen, edhe ata na kontaktuan sepse donin të merrnin pjesë. Me 2 nga ëngjëj investors vetëm në telefon kam biseduar pasi kam pasur referenca se cilët investitorë të tjerë kanë ikur. Dhe ka ndikuar që jemi të regjistruar këtu në SHBA.

-Ju jeni të regjistruar në SHBA?

Për shkak të investimeve, sipas mendimit tim është gati e pamundur të merren investime për biznese të regjistruara në Kosovë apo Shqipëri pasi e kanë shumë të paqartë aspektin legal dhe implememntimin e tyre. Legjislacioni ynë është i mirë por ekzekutimi i tyre dhe puna në gjykata nuk ka nevojë ta komentojmë.

Nuk ka qenë SHBA në mënyrë të rastësishme që e kemi zgjedhur. Edhe në Angli funksionon. Unë kam qëndruar në SHBA për një kohë të gjatë. Pjesa dërrmuese e investittorëve janë nga SHBA-ja. Kemi njërin prej pjesëtarëve të kompanisë që është shqiptar, por jeton dhe punon në SHBA, Edmond Demaj. Kështuqë ka pasur logjikë që të kemi një person fizik full-time në SHBA, i cili merret me pjesën legale dhe dokumentacionin që ekziston atje.

– Mendoni se mos-funksionimi ende siç duhet i ekosistemit në Shqipëri dhe Kosovë, është arsyeja sepse asnjë investitor shqiptar nuk ka arritur te ju?

Ekosistemi është pak i dobët, opinion personal. Unë mendoj që kemi hyper-ide dhe njerëz të zellshëm për punë dhe që mund t’ia arrijnë. Kam takuar shumë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Mirëpo problemi kryesor është qasja në financa. Kemi investitorë, apo ata të cilët i thonë vetes investitorë, por ka edhe investitorë seriozë. Mendimi për arsye se ekosistemi i startupeve, si në Kosovë, si në Shqipëri nuk është ende në atë nivel ku kuptohet që brenda një 15 minutëshi mund ta mbyllësh një investim, ka mangësi të mëdha. Unë nuk kam ende besimin se investitorët shqiptarë në parim munden, pavarsëisht se kanë të holla dhe munden të investojnë, pasi kërkojnë pjesën dërrmuese të aksioneve dhe gjëra të tilla.

Ata nuk e njohin, nuk e kuptojnë industrinë. Ata që e kuptojnë industrinë dhe kanë fonde me siguri janë duke investuar në tregje më të zhvilluara, sepse risku është ndoshta më i vogël. Nuk besoj se tregu ynë nga aspekti i investimeve është ende i zhvilluar si duhet.

-Duke u rikthyer pak te shifra, 2 milionë dollarë. Duket shumë, por kemi përshtypjen se ju ia keni gjetur vendin se ku do investoni dhe për çfarë do të shërbejnë dhe do të vijë një moment që do të duhen të tjera.

2 milionë dollarë, unë dëshiroj ta krahasoj këtë shifër me një formë kuantitative me investime të tjera në botën më të zhvilluar, dhe në fund mendoj të të jap përgjigjie nëse është shumë apo pak.

Ne jemi përafërsisht, sipas hulumtimeve tona, së paku 12 milionë shqipfolës në tërë botën. Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, një pjesë të Malit të Zi, duke përfshirë ndoshta edhe pak Greqinë ne jemi diku rreth 6 milionë shqipfolës. Me një penetrim të internetit mesatar mund të supozojmë se diku te rreth 4-4.5 milionë shqiptarë kanë qasje në internet, apo një shifër shumë realiste është 4 milionë.

Dhe nëse ne kemi marrë 2 milionë dollarë për këtë treg, domethënë ne kemi marrë diku rreth 50 cent për çdo njeri që përdor interentin, që është tregu ynë. Tani nëse e krahasojmë me shtetet e zhvilluara, në SHBA që ka 300 milionë njerëz, ky investim është ekuivalent nëse është 150 milionë dollarë si instrument krahasimi që është një shumë (fjala për paratë) shumë e madhe për SHBA-në.

gjirafa-portali-businessmag

 

Mirëpo medoemos në SHBA, prodhimi kombëtar për frymë banorë është normale në krahasim me mesataren në Kosovë që është diku te rreth 3-4 mijë. Kështuqë duke bërë një dallim aty ne mendojmë që kjo shumë është e mjaftueshme dhe e nevojshme për të dalë në hapin tjetër.

Dmth ne e kemi quajtur “Series A” ku Seria A do të përdoret për Growth, “C” përdoret zakonisht për validim të idesë dhe të tregut. Seria A ka për qëllim që të ketë edhe breakeven (pikën e thyerjes ku fitimi është zero.) Kështu që sipas parashikimeve tona ky investim është i mjaftueshëm që ne të arrijmë cakun e breakeven dhe të jemi të përfitueshëm, mirëpo në të njëjtën kohë me investime të cilat nuk i kemi publike janë për të zhvilluar ekosistemin, të cilat ndodhin paralel në të njëjtën kohë.
Dhe për të zhvilluar ekosistemin 2 milionë nuk janë të mjaftueshme, as që i afrohen. Mirëpo 2 milionë janë të mjaftueshme të fokusohemi në 2-3 sektorë specifikë të webit shqip.

Ne po dëshirojmë të fokusohemi në 1) market place, 2) dixhitalizimin e të gjitha bizneseve dhe e-commerce. Por jo mbase tradicionalisht si Amazoni në e-commerce por një pjesë e e-commerce. Kështuqë e-commerce është në axhendën tonë. Kemi filluar të ekzekutojmë diçka dhe jemi të lidhur me një supply chain nga jashtë që është tepër konkurrues nga aspekti i kohës dhe kostos.

-Dhe një pyetje të fundit. Revista jonë Business Magazine, është një media dixhitale shqip por thellë-thellë misionin e saj ka edukimin e të rinjve drejt sipërmarrjes dhe frymëzimin e tyre me raste suksesi siç është ky i juaji. Tani meqënëse ju kam këtu, çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve shqiptarë nisur nga përvoja jote? Nëse do të ishit sërish i ri në këtë kohë çfarë do të bënit ndryshe?

Ka shumë. Nëse kanë një qëllim, sepse ëndrrat janë për t’u ëndërruar, të vazhdojnë atë qëllim me ato dy fjalë që nisa në fillim: Persistence dhe Perseverance (Këmbëngulje dhe Vendosmëri). Në asnjë moment të mos humbet kjo, mirëpo kjo tingëllon shumë më lehtë seç është, sepse ne kemi pasur, kemi dhe do të kemi ditë të mira dhe ditë të vështira. Kemi ditë ku ti mendon: “Pse jam duke humbur gjithë këtë kohë, kur në fund asgjë nuk ka për të dalë në dritë?”, por kemi ditë kur themi: “Jemi duke e marrë botën përpara.”, dhe ditë normale. Vetëm në rastin nëse ekziston këmbëngulësia dhe vendosmëria për të ecur përpara pa marrë parasysh rrethanat apo ambjentin nga të tjerët, të vazhdojnë ëndrrën e tyre dhe do të ketë sukses.

Unë mendoj se dështimi ndodh vetëm atëherë kur ndërmarrësi jep dorëheqjen. Përderisa dikush vazhdon dhe nuk ndalet, atëherë suksesi është i pashmangshëm.

Këto janë të dyja fjalët që kam mundur të përmbledh prej eksperiencës sime. Ajo ku kemi mbërritur deri tani nuk është sukses, është journey (rrugëtim), është një hap përpara që na lejon për të shkuar në sukses, por nuk është sukses në vete. Është mjeti drejt suksesit por nuk është suksesi vetë (means to the success but is not the success). Ajo që kemi arritur ne, është sukses mbi investimin por nuk është sukses në vetvete.

 

/Intervista e plotë e Mërgim Cahanit për Business Mag Albania. Artikullin mund ta lexoni gjithashtu edhe në faqen nr. 57 të nr. 9 të revistës. Për ta shfletuar të plotë Business Mag Albania klikoni këtu.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0