Shqipëria rikthehet sot ( nga 3 deri më 5 mars,) në ITB Berlin duke prezantuar veten si destinacion autentik mesdhetar, pas vitit 2025, kur pritshmëritë për zhvillimin turistik ishin të larta. Në stendën përfaqësuese të Shqipërisë do të qendrojnë rreth 30 turoperatorë dhe disa bashki shqiptare
Me një territor të vogël, por jashtëzakonisht të larmishëm, Shqipëria synon të pozicionohet në segmentin e turizmit të qëndrueshëm: Alpet Shqiptare për aventurë dhe turizëm malor, riviera për turizëm bregdetar, qytetet historike për kulturë, dhe fshatrat për agroturizëm dhe gastronomi autentike. ITB Berlin 2026 e vendos theksin pikërisht tek këto forma turizmi, larg modelit të masës dhe turizmit industrial.
Megjithatë, pas “bumit” të turizmit në vitet e fundit, realiteti në terren është më kompleks. Sipas INSTAT, hyrjet e të huajve kaluan 12 milionë në 2025, ndërsa të ardhurat nga qiratë e përkohshme të shtëpive arritën mbi 130 milionë euro sipas AirDNA. Por kjo rritje e shpejtë ka krijuar sfida serioze: informalitet në tregun e qirave, mungesë strehimi të përballueshëm për banorët lokalë, presion mbi infrastrukturën, rritje çmimesh dhe rrezil për degradim të zonave natyrore. Aktivitetet zinxhir në tregti, hoteleri, bare dhe restorante nuk kanë arritur të shpërndahen në mënyrë të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah mungesën e planifikimit strategjik dhe mbrojtjes ligjore të resurseve turistike.
Lexo edhe: Flora Sali: Mjalti i Bedunicës, një specialitet shqiptar, por me sfida për eksport
ITB Berlin 2026 ofron mundësi për partneritete dhe promovim, por nuk fsheh faktin se turizmi shqiptar ka ende hapa për tu konsideruar i qendrueshëm. Pa një planifikim strategjik, mbrojtje ligjore dhe zhvillim të infrastrukturës, rritja e shpejtë mund të shndërrohet në një problem afatgjatë: kapacitete të pamjatueshme, mungesë fuqie punëtore, presion mbi mjedisin etj. Rikthimi në Berlin nuk është vetëm një promovim; ai duhet të shërbejë si alarm për politikat publike: si të menaxhohet rritja turistike pa dëmtuar natyrën, kulturën dhe komunitetet lokale. BusinessMag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto