"Avenirs" - Kur teknologjia bëhet busull për zgjedhjet jetësore të të rinjve - Business Magazine Albania

“Avenirs” – Kur teknologjia bëhet busull për zgjedhjet jetësore të të rinjve

Nga Eni Muça– Shumë të rinj në Shqipëri i hyjnë rrugës së shkollimit dhe karrierës pa një hartë. Mungesa e këshillimit profesional, presioni familjar, informacionet e fragmentuara,  të gjitha kontribuojnë në vendime që shpesh duken më shumë si rreshtim në një rrjedhë, sesa si zgjedhje të vetëdijshme. Këtë boshllëk e përjetoi personalisht Besnik Ligaçi, kur vajza e tij nisi të shtronte pyetjet e para për të ardhmen. Aty lindi ideja për Avenirs,  një platformë që nuk ofron thjesht orientim, por një udhërrëfyes të zgjuar që ndërton ura mes potencialit të brendshëm të të rinjve dhe mundësive reale në treg. E konceptuar nga vetë Besniku dhe bashkëthemeluesi Xhafer Rakipllari, Avenirs ndërton profile unike për çdo përdorues dhe propozon rrugë konkrete për edukim, karrierë, bursa apo sipërmarrje, duke përdorur teknologjinë, të dhënat dhe këshillimin profesional. Në këtë intervistë ekskluzive mësojmë se si Avenirs vjen si një zgjidhje që synon të transformojë mënyrën se si të rinjtë shqiptarë mendojnë për të ardhmen.

  • Cili ishte momenti vendimtar që ju frymëzoi të krijoni Avenirs? Përse ky problem ishte i rëndësishëm, veçanërisht për Shqipërinë?

Momenti vendimtar erdhi kur gjatë një bisede me vajzën time Aleksën, 15-vjeç, filluam të diskutojmë disa nga dilemat e mëdha për të ardhmen e saj, si shkollimi apo karriera. E kuptova që edhe pse jemi në një epokë ku informacioni është i bollshëm, udhëzimi i personalizuar mungon. Shumë prindër si unë investojnë në edukimin e fëmijëve të tyre, por shpesh pa një plan të qartë, të menduar mirë. Në Shqipëri, kjo mungesë është edhe më e theksuar për shkak të mungesës së qasjes në shërbime cilësore të këshiilimit dhe orientimit profesional, veçanërisht jashtë Tiranës. Por historia e vajzës sime është histori e mijëra të rinjve në vend. Shqipëria përballet sot me një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve dhe një mungesë të qasjes në këshillim profesional të standardizuar. Kjo ndikon drejtpërdrejt në largimin e të rinjve nga vendi dhe humbjen e potencialit të tyre në vend.

  • Çfarë problemi real donit të zgjidhnit kur nisët këtë projekt?

Së bashku me bashkëthemeluesin, donim të zgjidhnim problemin e pasigurisë dhe paqartësisë që ndiejnë të rinjtë kur duhet të vendosin për shkollimin apo karrierën. Shumë vendime merren në mënyrë të rastësishme, nën presionin e familjes apo shoqërisë, dhe jo mbi bazën e një vetëdijësimi të thellë dhe informacioni konkret mbi tregun e punës. Avenirs synon të mbushë këtë boshllëk.

  • Për ata që nuk e njohin Avenirs, si do ta përshkruanit me pak fjalë?

Avenirs është një platformë, “udhërrëfyes i zgjuar” për të rinjtë, që kombinon teknologjinë me psikologjinë, këshillimin, dhe të dhënat reale të tregut, për t’i ndihmuar ata të marrin vendime të informuara për të ardhmen e tyre, duke lehtësuar sa më shumë barrën financiare të familjeve të tyre. Misioni ynë është t’i ndihmojmë të rinjtë të kuptojnë veten, të zbulojnë mundësitë që i presin dhe të ndërtojnë një rrugë që iu përket atyre. Vetë emri që kemi zgjedhur, Avenirs, është shprehje e qëllimit të qartë të kësaj nisme.

Lexo edhe:Blerina Dhima Sanocki – 14 vite në Google dhe një mision për të fuqizuar të ardhmen!

  • Kush janë përdoruesit kryesorë të platformës?

Përdoruesit kryesorë janë nxënësit e moshës 15-18 vjeç, por gjithashtu prindërit që kërkojnë të mbështesin fëmijët e tyre, këshilltarët e karrierës që kërkojnë mjete më të mira për të ndihmuar nxënësit, dhe institucionet arsimore që duan të ofrojnë një shërbim cilësor këshillimi. Gjithashtu, jemi të hapur të bashkëpunojmë me kompani edtech dhe organizata që duan të investojnë në talentet e reja dhe të ndërtojnë lidhje të qëndrueshme me komunitetin arsimor.

  • Si i ndihmon Avenirs të rinjtë të orientohen për të ardhmen e tyre?

Avenirs mbledh të dhëna për interesat, aftësitë dhe preferencat e të rinjve dhe i kombinon ato me trende reale të tregut të punës dhe të arsimit. Kjo krijon një profil unik për secilin përdorues dhe jep rekomandime të personalizuara mbi rrugët më të përshtatshme të edukimit dhe karrierës, si dhe burime, shkolla, bursa, praktika apo ide për sipërmarrje. Për shembull, nëse një nxënës nuk është i sigurtë për zgjedhjen e drejtimit universitar, përmes profilizimit tonë mund të zbulojë prirjet dhe të orientohet drejt një programi studimi që përshtatet me interesat e tij dhe një karriere të suksesshme.

  • A ka ndonjë histori personale që ju frymëzoi për të ndërtuar këtë platformë?

Po, historia personale me vajzën time ishte katalizatori. Por gjithashtu, kur kujtoj adoleshencën time, ku zgjedhjet për të ardhmen i bënin prindërit dhe unë kisha shumë pak zë, e kuptova sa e rëndësishme është që fëmijët të kenë një busull të vetën. Avenirs është një përpjekje për të ndryshuar këtë realitet për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

  • Çfarë mendoni se mungon sot në mënyrën si orientohen nxënësit dhe të rinjtë në karrierë?

Po e nis nga më e rëndësishmja dhe më e dukshmja, mungojnë këshilluesit e karrierës. Në kushte normale ne do duhej të kishim 1 këshillues për 250 të rinj. Jemi shumë larg kësaj shifre, dhe orientimi mbulohet nga mësues të profileve të tjera, që pavarësisht se bëjnë më të mirën, nuk janë të specializuar për një proces kaq jetik. Mungon një sistem i personalizuar, i bazuar në të dhëna reale. Përveç se të pamjaftueshme si në sasi, ashtu edhe në hapësirë gjeografike, shumë orientime janë të përgjithshme, jo dinamike, dhe nuk marrin parasysh ndryshimet në tregun global të punës. Po ashtu mungon një proces që e bën të riun bashkëkrijues në rrugën e tij, jo thjesht një dëgjues pasiv. Dhe kjo situatë shkon përtej Shqipërisë, të njëjtat problematika vihen re edhe në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, apo edhe më tutje, në vendet europiane. Për më tepër, mungesa e njohurive mbi aftësitë e së ardhmes dhe evolucionin e tregut të punës e bën orientimin e sotëm jo vetëm të papersonalizuar, por edhe të papërgatitur për sfidat reale që do të përballen të rinjtë

  • Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha që keni përballuar deri tani?

Avenirs është akoma në fillesat e tij, edhe pas momentit fillestar të entuziazmit, realiteti të sjell sërish me këmbë në tokë edhe sheh që sfidat janë nga më të ndryshmet. Sfida më e madhe ka qenë të ndërtojmë diçka kaq të re në një treg që është ende në fazat e para të digjitalizimit, të arsimit dhe orientimit profesional. Sfidat përfshijnë ndërtimin e një ekipi të duhur, gjetjen e mbështetjes financiare, edukimin e tregut dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, prindërve dhe shkollave për rëndësinë e këtij shërbimi. Por, ne jemi të vetëdijshëm se çdo sfidë është një mundësi për të mësuar dhe për të krijuar një produkt më cilësor dhe të përshtatur për nevojat reale.

  • Çfarë keni mësuar gjatë këtij rrugëtimi si sipërmarrës?

Kemi mësuar që transformimi i vërtetë vjen kur kombinon teknologjinë me një qëllim të qartë njerëzor. Po ashtu, kemi mësuar që nuk ka rrugë të shkurtër për ndërtimin e besimit, sidomos kur punon me të rinj dhe prindër. Besimi ndërtohet me transparencë, dëgjim aktiv dhe zgjidhje që flasin vetë dhe ofrojnë vlerë të shtuar, çfarëdo tjetër është e pavlerë dhe tregu nuk e pranon.

  • Si e shihni të ardhmen e Avenirs? A do zgjerohet jashtë Shqipërisë?

Po, pa dyshim. Avenirs është ideuar edhe ndërtuar që në fillim si një platformë që mund të funksionojë kudo. Fillojmë në Shqipëri sepse këtu është nevoja më urgjente dhe sepse e njohim kontekstin, por qëllimi është të zgjerohemi më tej. Nevoja për një orientim të personalizuar është universale, dhe përdorimi i teknologjisë na mundëson kalimin e kufijve fizikë.

  • Çfarë dëshironi që Avenirs të arrijë në pesë vitet e ardhshme?

Dëshirojmë që Avenirs të jetë emri i parë që të rinjtë dhe prindërit kanë në mendje kur mendojnë për planifikimin e të ardhmes. Duam të ndikojmë dhe të përmirësojmë mënyrën si merren vendimet për edukim dhe karrierë, të përfshijmë mijëra përdorues, dhe të ndërtojmë partneritete me shkolla, profesionistë, institucione dhe biznese që ndajnë të njëjtin vizion.

  • Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që janë të pasigurt për të ardhmen e tyre?

Mos kini frikë nga paqartësia. Është pjesë normale e rritjes. Por mos rrini pasiv. Filloni të njihni veten: çfarë ju frymëzon, eksperimentoni, kërkoni praktika apo punë vullnetare që ju ndihmojnë të mësoni dhe të kuptoni më mirë çfarë ju pëlqen, çfarë jeni të mirë në të përditshmen tuaj. Më pas kërkoni ndihmë, informohuni dhe veproni me mendje të hapur, duke kërkuar për më shumë mundësi se ato që ju ofron sistemi tradicional.

  • Dhe për prindërit, si mund të jenë mbështetës pa ushtruar presion?

Duke dëgjuar më shumë dhe gjykuar më pak. Patjetër që ne si prindër gjithmonë duam më të mirën, por në përpjekjen për ta siguruar atë, jo gjithmonë kemi informacionet e sakta që na duhen për të marrë vendimit e duhura, dhe e vëmë fëmijën nën presion të pa merituar. Roli ynë duhet të jetë si mentorë dhe jo si drejtues të timonit. Mbështetja e vërtetë është t’i japësh fëmijës besim për të bërë zgjedhje, jo t’ia ofrosh ti zgjedhjen. Një komunikim i hapur, ku prindi dëgjon dhe pyet pa gjykuar, krijon besim dhe vetëbesim fëmija, duke i dhënë forcën për të ndjekur rrugën e vet.  Nëse jeni një i ri apo e re, që kërkon udhëzimin e duhur, një prind që dëshiron të mbështesë fëmijën e tij, apo një institucion arsimor që dëshiron të sjellë më shumë vlerë për nxënësit e tyre, ju ftojmë të vizitoni www.avenirs.co  Regjistrohuni FALAS për të qenë pjesë e brezit që do të marrë vendime të zgjuara, me ndihmën e teknologjisë, pasionit dhe vizionit për të ardhmen. Platforma është e thjeshtë për t’u përdorur dhe do t’ju ndihmojë të zbuloni veten, të eksploroni mundësitë dhe të ndërtoni një të ardhme që ju përket vërtet.

#forthefuture

——————————————

  • Kush janë bashkëthemeluesit e Avenirs.co

Besnik Ligaçi është themelues i Avenirs, dhe aktualisht drejton departamentin e Përfshirjes Ekonomike pranë UNHCR Romania. Ai është një pjesëmarrës aktiv në ekosistemin e startupeve në Shqipëri, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin e projekteve dhe iniciativave lokale që mbështesin sipërmarrjen dhe inovacionin, veçanërisht duke ndihmuar grupet e margjinalizuara. Me mbi një dekadë eksperiencë në menaxhimin e projekteve për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, Besniku ka punuar me organizata të njohura ndërkombëtare si FAO, UNHCR, dhe Helvetas Swiss Intercooperation. Fokus i tij ka qenë gjithmonë ndërlidhja mes politikave zhvillimore dhe ndikimit konkret tek komunitetet lokale, veçanërisht përmes qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Xhafer Rakipllari është bashkëthemelues i Avenirs dhe aktualisht mban postin e Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës Shqiptare për Zhvillimin e Karrierës (ACDA). Me përvojë të gjerë në fushën e këshillimit profesional në institucione arsimore amerikane dhe europiane, ai zotëron certifikime prestigjioze në këshillim karriere dhe lidership ekzekutiv nga Universiteti i Harvardit, Gallup, Inc. dhe Center for Credentialing and Education (CCE) në SHBA. Gjithashtu, Xhaferi, shërben si ekspert kombëtar për këshillimin e karrierës për Shqipërinë pranë CEDEFOP dhe është vlerësuar si “Future Skills Expert” nga European Training Foundation (ETF). Nëpërmjet hartimit të programeve dhe trajnimeve, si dhe këshillimit individual, ai ndihmon studentët dhe të rinjtë për të identifikuar potencialin e tyre, zhvilluar aftësitë e nevojshme dhe përgatitur për kërkesat në ndryshim të tregut të punës.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0