“Gjumë të Ëmbël”, platforma që po sjell një eksperiencë të personalizuar për fëmijët përmes AI-së - Business Magazine Albania

“Gjumë të Ëmbël”, platforma që po sjell një eksperiencë të personalizuar për fëmijët përmes AI-së

Një bisedë e thjeshtë familjare për përrallat e fëmijërisë u kthye në pikënisjen e një platforme që sot synon të ndryshojë mënyrën si fëmijët përjetojnë historitë para gjumit. Për Serena Priftin, këto kujtime nuk ishin thjesht nostalgji, por një ide konkrete për të ndërtuar diçka me vlerë.

“Unë jam një software engineer dhe themeluese e Chartsy (https://chartsy.app), një platformë për analizimin e të dhënave. Edhe pse puna ime konsiston në zhvillimin e Chartsy-it, herë pas here kam dëshirën të eksploroj ide të reja si në rastin e https://gjumeteembel.comIdeja lindi rastësisht gjatë një bisede me familjarët e mi, ku po kujtonim sa të bukura kanë qenë përrallat që më tregonin kur isha e vogël,” tregon ajo. “Duke reflektuar për këto momente, mendova se do të ishte shumë interesante t’u jepja të njëjtën eksperiencë edhe shumë fëmijëve të tjerë.” 

Previewing Image attachment

“Gjumë të Ëmbël” është një platformë që u jep prindërve dhe kujdestarëve mundësinë të krijojnë përralla të personalizuara për fëmijët e tyre. Qëllimi nuk është vetëm të krijohen histori, por të ndërtohen momente. “Platforma synon të ndihmojë prindërit, gjyshërit ose edukatorët të krijojnë përralla të personalizuara bazuar në interesat e fëmijës, duke e bërë kohën para gjumit më të lehtë dhe më të veçantë,” shpjegon ajo. “Në të njëjtën kohë, synoj të forcohet lidhja midis kujdestarëve dhe fëmijëve.”

E gjithë kjo mbështetet mbi një bazë teknologjike të ndërtuar me inteligjencë artificiale. Por ndryshe nga shumë produkte të tjera që përdorin AI, këtu fokusi nuk është te teknologjia si qëllim në vetvete, por si mjet për personalizim. “Procesi fillon kur përdoruesi vendos disa detaje të thjeshta si emri i fëmijës, mosha dhe interesat,” shpjegon Serena. “Këto të dhëna i jepen si input një modeli të inteligjencës artificiale për të krijuar një histori të re nga zero.” Ajo thekson se “nuk janë histori të parapërgatitura, çdo përrallë gjenerohet në moment dhe është unike.

Një aspekt që Serena e konsideron thelbësor është cilësia dhe përshtatja e përmbajtjes. “Kam një fokus të veçantë që përmbajtja të jetë e përshtatshme për moshën, e kuptueshme dhe me një rrjedhë të qetë për lexim para gjumit,” thotë ajo. Përveç kësaj, platforma sjell edhe një element lokal që e diferencon: “Për përdoruesit shqiptarë kam shtuar opsionin për të përfshirë elemente nga mitologjia shqiptare, në mënyrë që historitë të jenë jo vetëm të personalizuara, por edhe të lidhura me kulturën tonë.”

Reagimi nga përdoruesit ka qenë një nga treguesit më të fortë për potencialin e produktit. “Reagimi i parë ka qenë shumë pozitiv, si nga prindërit ashtu edhe nga fëmijët,” thotë Serena. Ajo vëren se përdoruesit nuk e provojnë vetëm një herë, por rikthehen. “Shumë prej tyre jo vetëm që e kanë provuar platformën, por janë rikthyer ta përdorin përsëri, gjë që për mua ka qenë një sinjal shumë i mirë.” Një detaj interesant sipas saj është se “disa përdorues e kanë përdorur edhe për veten e tyre, mesa duket dëshira për përralla të personalizuara nuk ka limit moshe.”

Ajo që vlerësohet më shumë nga përdoruesit është personalizimi. “Fakti që historitë përfshijnë elementë që lidhen direkt me interesat e fëmijës i bën ato më tërheqëse dhe më të veçanta për ta,” shton ajo.

Sa i përket zhvillimit të mëtejshëm, Serena është e qartë për drejtimin. Edhe pse fokusi i saj kryesor mbetet te startup-i Chartsy, ajo e sheh “Gjumë të Ëmbël” si një projekt me potencial për t’u rritur. “Për shkak të feedback-ut shumë pozitiv, kam filluar të mendoj edhe për disa zhvillime të reja,” thotë ajo. Ndër funksionalitetet që po konsiderohen janë leximi me zë i përrallave dhe krijimi i imazheve të animuara. “Synimi është që eksperienca të bëhet sa më tërheqëse për fëmijët.”

Në planin më të gjerë, Serena e sheh produktin edhe si një mënyrë për të kontribuar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. “Fokusi kryesor për momentin është tregu shqiptar dhe diaspora, ku prindërit kërkojnë mënyra të thjeshta për t’i afruar fëmijët me gjuhën shqipe,” shpjegon ajo. Megjithatë, ajo shton se “produkti është i disponueshëm edhe në anglisht dhe mund të përshtatet lehtësisht edhe në gjuhë të tjera.”

Në thelb, “Gjumë të Ëmbël” nuk është thjesht një platformë për të krijuar histori. Është një mënyrë për ta bërë teknologjinë më njerëzore dhe më të afërt me përditshmërinë. Siç e përmbledh vetë Serena: “Inteligjenca artificiale më lejon ta kthej një input shumë të thjeshtë në një eksperiencë të personalizuar për çdo fëmijë, duke e bërë çdo histori më të veçantë dhe më afër botës së tyre.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0