Sot, marketingu digjital ka marrë një rol të rëndësishëm në rrjedhën e biznesit dhe kompanitë duhet të jenë në avantazh për ta arritur atë. Boost është kompania e specializuar në marketingun digjital, brandim dhe dizajn. Ekipi ofron zgjidhje të avancuara për klientët.
Për të hedhur dritë mbi rrugëtimin dhe arritjet, ne biseduam me themeluesin e Boost Shpk, z. Ingrid Shyti, i cili na ofroi një vështrim në historinë dhe vizionin e tyre.
“Nëse do të më kishit pyetur për një moment të veçantë në udhëtimin tonë prej më shumë se 10 vitesh, do të thoja se lançimi i platformës sonë të marketingut, Boost, ishte një pikë kulmore për ne,” tha Shyti.
“Mbaj mend ende 2 klientët e parë që po testonin shërbimin tonë. I gjithë ekipi qëndronte përpara kompjuterit, duke ndjekur reklamat e para, shikimet, mediat ku shfaqeshin, e të gjithë elementët e analitikave të marketingut digjital. Sot ne kemi klientë nga i gjithë rajoni, duke përmendur veçanërisht Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kroacinë e deri në Slloveni”.
Por, krahas sukseseve, ekipi përballet me sfida të vazhdueshme, veçanërisht në një treg të vogël si ai i Shqipërisë.
Hapësirat promovuese digjitale prej dekadash zhvillohen me një shpejtësi që sa vjen e rritet dhe lehtësuesit për menaxhimin e këtyre hapësirave si Boost AL, u duhet të qëndrojnë në krye të ndryshimeve teknologjike. Ndaj, kompania po aplikon në punën e saj edhe Inteligjencën Artificiale (AI) dhe machine learning, për të rritur performancën e reklamave dhe për të përshtatur ofertat me nevojat e klientëve.
“Faktori më i rëndësishëm është ndërthurja e projekteve tona me Inteligjencën Artificiale, i cili ka marrë edhe fokusin tonë më të madh këto 2 vitet e fundit”, thotë Shyti.
Përtej kufijve vendas, shfaqen sfida të tjera, si ulja e buxheteve të marketingut, për shkak të pandemisë, apo edhe nevoja për edukim të tregut mbi vendosjen e objektivave dhe pritshmërive reale për fushatat. Z. Shyti theksoi se edukimi i klientëve është thelbësor. “Marketingu ka kufij dhe kosto të caktuara që nuk mund të shmangen”, tha ai. Për të adresuar këtë, Boost e bën procesin e reklamimit më të lehtë dhe më të drejtpërdrejtë për klientët.
Shyti tregon tendencat në horizont lidhur me marketingun dhe reklamat digjitale. Përpjekjet janë kundrejt qëllimeve të tilla si: personalizimi i përvojës së konsumatorit, përdorimi i video marketingut dhe automatizimi nëpërmjet AI – Inteligjencës Artificiale, të cilat përbëjnë disa elementet e fokusit në të ardhshmen e afërt.
I pyetur për konkurrencën, ai pranon se në rajonin ku operojnë, ka platforma të njohura ndërkombëtare, por Boost është pionier në Shqipëri dhe ka avantazh të ndjeshëm.
Kompania po përgatitet për zhvillimet e ardhshme dhe vazhdon të investojë në inovacion dhe cilësi për të ruajtur pozicionin e saj në treg.
Boost po vendos theksin në marrëdhëniet e ngushta me klientin dhe investimin e vazhdueshëm në inovacion, si lokomotiva që e bën këtë biznes të qëndrueshëm dhe lider në industri.
Nga Prishila Gjoka
Artikulli u publikua më parë në faqen 70 të numrit 34 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 34 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.