Në Samitin e Beogradit të “Open Balkan” janë firmosur katër marrëveshje dhe memorandume. Njëra ka të bëjë me sigurinë ushqimore në rajon, një plan veprimi për emergjencat civile dhe dy memorandume bashkëpunimi, i pari për minierat dhe energjinë dhe memorandumi i dytë ka të bëjë me prodhimin artistik dhe kinematografinë.
Sa i përket sigurisë ushqimore, marrëveshja do të ketë një kohëzgjatje 5 vjeçare dhe Serbia do të jetë pala përgjegjëse. Në të përcaktohet se vendet do të ndihmojnë njëra-tjetrën nëse do të kenë mungesa të produkteve agroushqimore, ku përfshihen: misri, gruri, vaji i lulediellit, qumështi dhe nënproduktet e tij, sheqeri, frutat, perimet dhe mishi.
Në dokument përcaktohet se asnjë vendi nuk i lejohet t’i rieksportojë këto produkte në vende të tjera, por të përdoren vetëm për qëllime të brendshme.
Lexo edhe: Stepja e Kosovës kundrejt “Open Balkan”
Pas nënshkrimit të marrëveshjes brenda 30 ditëve do të krijohet një grup pune i përbashkët mes vendeve, ku pjesëmarrës do të jenë kryetarët e dhomave të tregtisë, drejtuesit e doganave dhe të tjerë përfaqësues të vendosur nga qeveritë respektive. Vendet duhet të bashkëpunojnë për të përcaktuar se cilat janë sasitë e grurit që mund të magazinojnë brenda 90 ditëve.
Ndërkohë, memorandumi për minierat dhe energjinë përfshin bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes shteteve për studime gjeologjike dhe shfrytëzimin e mineraleve. Gjithashtu krijohet mundësia për investime në këto fusha, ndërsa tek sektori i energjisë pritet të ndërlidhen edhe më shumë sistemet e dy vendeve si edhe në fushën e gazit natyror.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.