Viva Fresh finalizon blerjen e Spar Albania për 36.4 milionë euro - Business Magazine Albania

Viva Fresh finalizon blerjen e Spar Albania për 36.4 milionë euro

Kompania nga Kosova Viva Fresh ka finalizuar javën e kaluar blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, Spar Albania. Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, grupi BALFIN ka përfituar 36.4 milionë euro për shitjen e kuotës së plotë të aksioneve të Spar Albania.

Në pjesën më të madhe, transaksioni u financua me një kredi që kompania nga Kosova mori nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). BERZH i akordoi Viva Fresh një kredi në shumën totale të 25 milionë eurove, me qëllim financimin e hyrjes së saj në tregun shqiptar të shitjeve me pakicë, nëpërmjet blerjes së Spar Albania.

Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.

Vlerësohet se për vitin e kaluar, Spar Albania ishte kompania më e madhe në tregun e shitjeve me pakicë për nga xhiroja e realizuar. Spar Albania raportoi një xhiro prej 12 miliardë lekësh, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, fitimi para tatimit ra lehtë në 402 milionë lekë, 1% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, në klasifikimin si franchise (duke përfshirë edhe xhiron e kompanive që përdorin më të njëjtën markë, por që kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga palë të tjera) Spar Albania vlerësohet të jetë rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market.

Sipas informacionit më të fundit në faqen zyrtare të Spar Albania, rrjeti i saj përbëhej nga 92 markete dhe katër hipermarkete.

Për grupin Balfin, të kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane, kjo është shitja e dytë e rëndësishme në tregun e retail.

Në vitin 2007, Mane e shiti rrjetin e tij të shuitjeve me pakicë Euromax te kompania serbe Delta maxi Group, për 29 milionë euro. Kompania ndryshoi kontroll më vonë pasi grupi serb u ble nga kompania belge Delhaize Group dhe më pas nga një joint venture greko-francez, nën markën e grupit Carrefour.

Lexo edhe: Samir Mane zgjeron investimet në Austri, blen godinën ikonike në zemër të Vjenës

Megjithatë, ish-rrjeti Euromax ndoqi një trajektore rënëse, derisa në vitin 2015 Carrefour u tërhoq përfundimisht nga tregu, duke ia shitur rrjetin e dyqaneve me pakicë grupit Balfin të Samir Manes.

Në vitin 2016, Balfin lidhi një marrëveshje me grupin me qendër në Hollandë, Spar, duke marrë ekskluzivitetin e franchise dhe produkteve të Spar për Shqipërinë.

Investimet nga Kosova kanë arritur në 422 milionë euro

Blerja e Spar Albania është një ndër shembujt më përfaqësues të rritjes së pranisë së bizneseve nga Kosova në tregun shqiptar.

Vitin e kaluar, pronari i Viva Fresh, Rexhepi bleu nëpërmjet kompanisë së tij SMA Holding edhe Top Shop (Studio Moderna), kompaninë më të hershme të shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit) në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Këtë vit, kompania tjetër me kapital nga Kosova, Albi Holding, arriti marrëveshjen për blerjen po nga grupi Balfin të rrjetit të shitjes me pakicë të veshjeve, Fashion Group Albania.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2024 investimet nga Kosova në Shqipëri arritën vlerën e 96 milionë eurove, me një rritje prej 32% krahasuar me të një vit më parë.

Deri në vitin 2020, flukset e investimeve direkte nga Kosova ishin në shifra relativisht modeste. Pas këtij viti, duket se ka një rritje të konsiderueshme, që është reflektuar qartë edhe në stokun total të investimeve direkte prej subjekteve me kapital Kosovar.

Në fund të vitit 2024, stoku i investimeve kosovare raportohej në vlerën e 422 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2023.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në fund të vitit të kaluar në Shqipëri vepronin 582 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova, duke përfshirë edhe ato me kapital të përbashkët.

Numri i ndërmarrjeve me kapital nga Kosova është rritur me 12% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, në harkun e dekadës së fundit numri i këtyre bizneseve është rritur me 130%.

Në harkun e një dekade, pesha e ndërmarrjeve me kapital kosovar është rritur nga 5% në 8.3% të numrit total të bizneseve të huaja.

Nga 582 ndërmarrje me kapital nga Kosova, shumica e tyre, 458, janë të angazhuara në sektorin e shërbimeve, ndërsa 124 prej tyre kanë aktivitet në prodhimin e mallrave.

Numri i bizneseve dominohet nga ato mikro, me më pak se katër të punësuar, që përbëjnë më shumë se 82% (481 ndërmarrje) të numrit të përgjithshëm të tyre. Bizneset me 5-9 punonjës përbëjnë rreth 10% (48 ndërmarrje) ato me 10-49 të punësuar përbëjnë rreth 7% (43 ndërmarrje), ndërsa më pak se 2% e tyre (gjithsej 10 ndërmarrje) kanë më shumë se 50 të punësuar.

Rritja e pranisë së bizneseve nga Kosova konfirmohet paralelisht edhe nga ecuria e investimeve, që po shfaqin një tendencë të qartë në rritje gjatë viteve të fundit.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0