UET takim me Bankën Raiffeisen për kurrikulat e Programeve Master - Business Magazine Albania

UET takim me Bankën Raiffeisen për kurrikulat e Programeve Master


Sfida e universiteteve sot është qasja e tyre me kurrikula dhe programe mësimore sa më afër kërkesave për profesionistë që ka tregu i punës. Në kuadër të përmirësimit dhe përditësimit të kurrikulave të reja Shkolla Master në UET realizoi ditën e premte një takim konsultativ me drejtues të Bankës Raiffeisen.

Nga UET morën pjesë Presidenti, prof. dr. Adrian Civici, zëvendës/rektori për Kërkimin Shkencor, dr. Selami Xhepa dhe drejtoresha e Programeve Master, dr. Orkida Ilollari, ndërsa nga Raiffeisein ishin të pranishëm disa nga drejtuesit kryesorë të saj, Valbona Zeneli, drejtoreshë e Burimeve Njerëzore, Delina Millona, Gentiana Gjino etj., si dhe përfaqësues nga Shoqata e Bankave. Gjatë bisedës mes palëve u fol mbi profilet që kërkon sot banka nga të diplomuarit dhe përfaqësuesit e bankës vunë theksin te nevoja e masterave profesionalë të profilizuar, si për shembull: audit bankar apo menaxhim risku. Përfaqësuesit e UET-it bënë të ditur hapat që shkolla Master po hedh këtë vit duke futur lëndë të reja në kurrikula dhe duke u lënë një hapësirë gati 20 % të tyre leksioneve drejtuesve dhe specialistëve që vijnë direkt nga bota e biznesit.

UET kërkon bashkëpunim me sektorin bankar
“Sfida jonë është t’i pajisim studentët jo vetëm me një diplomë por me aftësitë që duhet të kenë për një vend pune. Është shumë mirë dhe bukur që ne të marrin silabuset e universiteteve bashkëkohore në botë, por ajo çfarë ne kërkojmë është t’i pajisim këta studentë me këto njohuri të cilat i vlejnë tregut tonë dhe biznesit. UET e ka nisur këtë iniciativë vite më parë për faktin se qëllimi dhe synimi i tij ka qenë që të kthehej në universitet të biznesit. Ne kemi lançuar programin 250+ , i cili është program që është një lloj bashkëpunimi që ne do të kemi me bizneset, me industrinë financiare dhe me të gjitha korporatat më të mëdha në vend”, tha Ilollari në hapjen e këtij takimi. Në këtë kuadër ajo theksoi se UET kërkon bashkëpunim me sektorin bankar për të kuptuar se çfarë kërkoni ju nga Programet Master që ne t’i reflektojmë më tej në silabuset tona. “Ne e kemi nisur këtë tur me të gjitha bizneset dhe i pari takim që vjen në industrinë bankare është Raiffeissen Bank. Unë kërkoj nga ju që të thoni çfarë kërkoni nga akademia që dhe ne t’jua ofrojmë. Të ofrojmë një produkt i cili do të na vlejë në të ardhmen dhe mos të kemi këto ngërçet që ndodhin në treg”, tha ajo.

Civici: Sfida e arsimit për të nxjerrë profesionistë
Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, foli mbi sfidën që ka sot akademia për të nxjerrë nga bankat e shkollës profesionistë të aftë për tregun e punës. “Ne kemi një shqetësim dhe prandaj kërkojmë dhe këtë bashkëpunim, çfarë lloj studenti, me çfarë cilësish dhe çfarë duhet të dijë një student që mbaron Bachelorin, Masterin, Doktoraturën, që të jetë sa më i vlefshëm në këtë rast për sektorin bankar. Dhe këtu shumë nga ju kanë mbaruar një master ose po bëjnë një doktoraturë dhe gjithmonë shtrohet pyetja “Ia vlen ky master apo kjo doktoraturë që ti të thuash kam mbaruar ciklin e dytë ose të tretë”, -theksoi Civici. Sipas tij universitetet më shumë duhet të profesionalizojnë jo thjesht të japin kulturë dhe dije të përgjithshme që pasurojnë individin, por nuk e bëjnë më të mirë në tregun e punës.

Kërkim shkencor i orientuar nga problemet e tregut
Zëvendës/rektori për Kërkimin Shkencor në UET, dr. Selami Xhepa foli mbi nevojën e orientimit të studimeve që bëhen në universitete kah nevojat e sipërmarrjes private, si studime tregu apo studime të çështjeve e problematikave që lidhen me tregun. “Përveç kërkimit shkencor që bën vetë stafi ynë akademik dhe kërkimor, ne synojmë që të identifikojmë ato që përbëjnë shqetësimin e ekonomisë, në rastin konkret shqetësimin e industrisë bankare. Ajo çfarë ne mundet të bëjmë së bashku, është që shqetësimet e industrisë bankare të mund t’i konvertojmë në temat kërkimore, të cilat mund të jenë pjesë e programeve të doktoraturës, studimeve që bëjmë ne në universitet dhe në këtë mënyrë arrijmë që të prodhojmë një output që edhe ndihmon mësimdhënien dhe jep një dije konkrete që mund t’i shërbejë specialistëve dhe stafit”, u shpreh Xhepa.

Burimi: mapo.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0