Turizmi më i dhimbshëm ndër vite - Business Magazine Albania

Turizmi më i dhimbshëm ndër vite

Turizmi

Covid-19 është sprova më e madhe e turizmit në vend e në botë. Pasi dërgoi në kolaps fluturimet dhe udhëtimet ndërkombëtare, vera erdhi me fluksin e ulët të turistëve. Familja Baba, bloggers të turizmit këtë vit kanë parë një turizëm në vuajtje.

Intervistë me Flora Xhemani Baba 

Bashkë me familjen eksploron Shqipërinë nga veriu në jug çdo vit.  Si ka qenë ky vit krahasuar me një vit më parë? Çfarë është përmirësuar dhe çfarë është përkeqësuar këtë vit?

Nuk është përmirësuar asgjë, nëse i referohesh ecurisë së përgjithshme, pa futur në diskutim pandeminë. Situata e sivjetme është në “vendnumëro” ose siç pëlqen të thuhet sot, në stanjacion. Në infrastrukturë, të vetmet vende ku po punohet, por pa e matur dot ritmin dhe ecurinë e punimeve, është Rruga e Arbrit dhe Bypass-i i Vlorës. Por, për sa kohë akset nuk bëhen të kalueshme, ato nuk ndikojnë në ndryshim ose përmirësim të qarkullimit. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 18 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania.  Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Përsa i përket situatës së përgjithshme turistike përkeqësimi konsiston në faktin që bizneset jo vetëm nuk u ndihmuan, u lanë të mbijetonin vetëm e si të mundnin, por edhe u penalizuan me dyfishin e taksave të mjediseve të marra me qira, të cilat për me tepër u paguan paradhënie qysh në fillim të sezonit, ndërkohë që të gjitha detyrimet e tjera fiskale, u paguan një më një dhe në kohë. 

E vetmja gjë që u shty, ishte taksa e tatim-fitimit, ndihmë krejt e padobishme sepse asnjë biznes nuk ka patur fitim sivjet që të paguajë tatimin e tij. 

Për shkak të pandemisë, ky ka qenë viti më i dhimbshëm e më i trishtuar gjatë 17 viteve të udhëtimeve tona. Një situatë që nuk e kemi parë kurrë më parë e që shpresojmë të mos përsëritet në të ardhmen, edhe pse do të ketë pasojat e saj afatgjata. 

Shqipëria ka hotele dhe resorte të mëdha tashmë.  A mendon se këtë vit iu përgjigjën turistëve që çdo vit iknin jashtë? A mendon se turistët shqiptarë që shkonin në Turqi apo Greqi, do të kenë kompensuar disi të ardhurat e munguara nga turistët e huaj?

Pa dyshim, shqiptarët që qëndruan në Shqipëri ishin një ndihmë për sezonin turistik. Duke iu shtuar  numrit të pushuesve të përvitshëm shqiptarë, por sidomos numrit të pushuesve nga Kosova e Maqedonia, që ende përbëjnë shumicën, sezoni pati njëfarë fluksi, por sërish larg pritshmërive më pesimiste. 

Lexo: Ra kjo pandemi dhe njohëm turizmin vendas

Por, pritshmëritë e këtyre “turistëve të rinj” për tregun tonë, është pak e vështirë të përcaktohet nëse ishin pozitive apo negative, sepse ka gjithmonë turistë që ankohen. Ama di t`ju them se standardet e resorteve dhe hoteleve të reja, nuk qëndrojnë hiç më poshtë, se shumë prej kolegëve të tyre, së paku në rajon. Resortet e Turqisë janë tjetër gjë, sepse Turqia në këtë pikë është lider edhe në Europë. 

A na jep dot momente konkrete të zhvillimeve në këtë verë? Pra, çfarë thonë sipërmarrësit, administratorët apo stafi i strukturave pritëse?

Çfarë t’ju them? Lotët e tyre kur i takuam në prill e maj, kur gjithçka ishte e mbyllur dhe nuk dihej si do vente filli, nuk jua sjell dot këtu. As trishtimin e tyre, kur si biznes i lejuar të punonte, por që nuk priste dot klientë se ishte ndaluar qarkullimi i njerëzve, (ndërkohë që ishin të detyruar të paguanin taksat një më një dhe të mos pagueshin as ata e as stafi me paga lufte), sërish e kam të vështirë ta përshkruaj. E më pas edhe kur në qershor e korrik, me gjithë çmimet qesharake të ofertave, nuk qarkulloi as 10% e fluksit të përvitshëm. 

Pushteti, në vend që t`i ndihmonte të mbanin njerëzit në punë, u thoshte të shisnin jahtet. Nuk e sjell dot këtu revoltën e shkaktuar më shumë prej cinizmit sesa prej vështirësisë. 

U desh të vinte gushti – i pritshëm – që situata të ndryshonte disi, por jo aq sa për të siguruar mbijetesën për shumë prej tyre. Duhet të kujtojmë se shtatori është kritik. Nuk ka fluks përderisa nuk ka shumë turistë të huaj dhe pas shtatorit vjen një stinë e gjatë 9-mujore, e cila do të jetë prova e zjarrit edhe për ata që punuan disi. Mendo pastaj për ata që nuk punuan.

Nëse ka pasur subjekte që janë mbyllur, cilat janë ato, si formë biznesi? Të voglat, të mëdhatë?

Bizneset e mëdha kanë patur humbje kolosale, përjashtuar ndonjë rast, ku sezoni së paku është shpëtuar ose ka qenë me ecuri të kënaqshme. Pra nuk është diskutuar mbyllja. Ose së paku jo këtë vit. 

Nëse kjo histori vazhdon edhe vitin tjetër, atëherë shumë prej tyre do të ngrenë duart. Ato që e kanë pësuar më shumë, janë bizneset e vogla, individët e vetëpunësuar, udhërrëfyesit turistikë, agjencitë e vogla të udhëtimeve, detyrimet e të cilave janë të papërballueshme sepse ato nuk patën asnjë lloj aktiviteti deri në fund të korrikut, hotelet ose sipërmarrjet që kanë detyrime ndaj të tretëve, si qira objektesh ose këste kredish. Këto kanë qenë të detyruar të shpallin falimentimin ose thjesht nuk kanë punuar, ndërkohë që humbjet kanë vazhduar, pasi rezultojnë biznese aktive në QKR dhe janë të detyruar të paguajnë taksa. Kështu janë gati 30% e bizneseve të ligjshme në sektorin e turizmit.

Mendon se një paketë sado e vogël do ta ndihmonte turizmin, apo do ta frenonte të punonte?

Frenonte jo, absolutisht. Çdo ndihmë vetëm se do ta lehtësonte barrën, e cila ka qenë dhe është shumë e rëndë. Por, punën nuk do ta zgjidhte. Ky vit mund të zgjidhej me ndihma dhe kjo nuk u bë, sidomos për turizmin. Nuk e di pse, por ndihma nuk erdhi kurrë. Edhe pse është konsideruar gjithmonë prioritet, turizmi nuk është marrë asnjëherë seriozisht nga asnjë qeveri. Ka ndryshuar vazhdimisht emër dhe vend si ministri. 

As sivjet nuk u mor seriozisht. U la prapë në mëshirë të fatit dhe kush mundi mbijetoi në sajë të forcave të veta. Edhe ata që gjoja u ndihmuan me kredi sovrane, nuk patën asnjë favor, thjesht shtuan borxhet e tyre, për të paguar rrogat e stafit. 

Tashmë, këtej e tutje ndihmat me pikatore, nuk pijnë ujë. Duhen politika të mirëfillta, të cilat do të duhet të prekin gjithë sistemin fiskal, me lehtësi të mëdha, ulje ose reduktim taksash, shtyrje kredish të paktën një vit. Jo vazhdueshmëri të borxhit, por ngrirje të tij e operacione të tjera të kësaj natyre. 

Megjithatë, druaj se asgjë nga këto nuk do të ndodhë, sepse u pa situata që nuk kishte vullnet për të ndihmuar as biznesin, as fuqinë punëtore që mban gjallë familjet. 

Situata konsiderohet si një luftë që do të ketë viktimat e saj në shumë drejtime, varfërim të skajshëm të familjeve të mesme, skamje të plotë të familjeve të varfra, shtim të ndjeshëm të papunësisë, falimentim biznesesh dhe rënie të ardhurash. 

Kush do të mund të hidhet në bregun tjetër kur kjo histori të ketë mbaruar, do të konsiderohet i mbijetuar. Për të tjerët, historia mbaron aty. Do të dalin biznese të reja, që mezi po presin të hyjnë të treg dhe ja, kjo është jeta e një sipërmarrësi në Shqipëri. Një xhungël, ku secili lufton për vete dhe ku fiton më i forti.

Artikulli u publikua më parë në faqen 18 të numrit 24 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0