Aldo Hako: "Bashkë ngjisim malet" - Business Magazine Albania

Aldo Hako: “Bashkë ngjisim malet”

Aldo Hako

Aldo Hako, në krye të kompanisë së marketingut BoldCrest, udhëhiqet nga motoja e bashkëpunimit: bashkë ngjisim malet, një mesazh ky i vlefshëm për klientët, stafin, bashkëpunëtorët dhe me siguri për lexuesin.

Kur ishte adoleshtent donte të bëhej doktor, por i pëlqenin gjithashtu edhe lëndet sociale. Aldo Hako, sot drejton kompaninë e marketingut me cool në Tiranë, BoldCrest, e cila dallon me identitetin dhe  karakterin e saj, përmes punëve të kryera për klientët.

Në një intervistë për ne, Aldo tregon rrugëtimin dhe sfidat, që nuk i sheh të tilla. Gjithçka nis me një konkurs në shkollë për të bërë reklamë për një stilolaps. Ai gjen dy miq të tij, realizon filmimet, montazhin dhe ua tregon punën prindërve. Babai i thotë që ka talent dhe premisa në marketing, ndaj,  sipas tij, duhej të fokusohej këtu. “Si adoleshtë dhe si i gjithëditur që mendoja se isha, thashë: Jo”, tregon Aldo Hako.

Por, kjo ide filloi të kultivohej në mendjen e tij. Fitoi konkursin, ndonëse mori 9 në lëndë. Pas kësaj, bën një internship, duke u angazhuar tek revista Living dhe e gjithë platforma e Tring. “Unë isha pikërisht para ribrandimit të Tring, ku pashë fushatat dhe promocionet, si dhe të gjitha zhvillimet teknologjike, që po ndodhnin në atë kohë. Mësova shumë për strategjinë, design dhe zbatimin e fushatës. Më tej angazhohem tek Hako, ku më kërkuan të bëja një website për dy javë. Aty ngeca. Gjatë verës kam ndjekur promocionet. Fillimisht punova duke e shkelur të gjithë Shqipërinë, më tej u mora me organizim. Merresha me kalendarin, me digjitalin, me çdo iniciativë. Mamaja ime më ka drejtuar dhe më ka lënë shumë të lirë të eksperimentoja dhe të bëja prova”, tregon Aldo.

Studimet për design në bachelor e nxisin për të ribranduar kompaninë e familjes. “Bashkë me Xhulion, ortakun që kemi ndërtuar BoldCrest, kemi ndërtuar logon e Hakos. Kemi nisur kështu sipërmarrjen. Kishim një shërbim që mund ta bënim dhe u bëmë bashkë. Kemi nisur 5 veta që në fillim. Gjatë rrugës filluam të kuptojmë ku kishim pikat tona të forta dhe të dobëta”, thotë ai.

Nëse ndiqni me vëmendje fushatat dhe krijimet në fushën e marketingut, do të dalloni një finesë, pastërti imazhi dhe mesazh të qartë, kur pas tyre ndodhet dora dhe mendja e ekipit të BoldCrest. I pyetur për këtë, Aldo tregon se, “ekipi synon të kurojë detajet, çdo pikë, çdo rresht, çdo imazh. Tendenca e design sa vjen e thjeshtohet. Konsumatorët kanë gjithnjë më pak kohë për të lexuar, për të marrë mesazhet. Ndaj, thjeshtësia maksimale dhe mesazhi i drejtpërdrejt, është synimi ynë kryesor”.

Sipas tij, çdo gjë e mbingarkuar e komplikon mesazhin. Ai sjell në mendje, mesazhin e pedagogut të tij të nderuar Agron Mesi, sipas të cilit, “design është 80% kompozim dhe 20% shije personale”. Kur një imazh është i kompozuar dhe ka një radhë leximi, në varësi të çfarë duam të përcjellim, konsumatorit do t’i pëlqejë, tregon Aldo. 20% varion mes ngjyrës dhe imazhit. Ka detaje të vogla që ndikojnë, siç mund të jetë edhe distanca nga dy cepat e logos”.

Punët më të rëndësishme Aldo i nisi me brandimin e kompanisë së familjes, por sa sfiduese është të punosh për familjen?! “Ti kërkon të bësh gjithnjë diçka të re dhe përfundon ndonjëherë duke e gjetur veten tek skanimi i gjërave që janë bërë, të cilave edhe po t’u rikthehemi për t’i aplikuar, mund të kenë një ndikim. Por, Hakos i kam bërë dhe padrejtësi, pasi duke qenë kompania e familjes, dhe duke pasur një lloj tolerance, edhe mund ta kem lënë në dorë të dytë. Por, tashmë ka skuadra, të cilat merren me format e reja të komunikimit, duke testuar zgjedhje të reja. Duke qenë se punojnë në ekip dhe me dinamikën e skuadrës, e vëmë punën në shina dhe me t’u marrë vendimet, bëhemi dinamikë në implementim”.

Aldo duket i pasur me liri. Ai tregon se nuk është penguar asnjëherë të bëjë diçka, edhe pse mund t’i jenë bërë të qarta situatat, ose i janë dhënë mendime. “Shkolla e design, më joshi dhe u futa, por në ditën e parë nuk më pëlqeu. Megjithatë, në bisedë me babain, bëmë marrëveshje që do ta vazhdoja për 6 muaj dhe nëse nuk do të më pëlqente, mund të shkëputesha. Ndodhi që brenda 6 muajsh, u bëra president Senati, u angazhova në rrjetet sociale dhe bëra shoqëri, duke e bërë atë një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë, pasi më ka dhënë bazën, njohjen e bazës së marketingut, për të vazhduar më tej me master në Business Administration”.

I lirë për të bërë zgjedhje, ai tregon se duhej t’i argumentonte gjithnjë zgjedhjet e tij. “Argumentimi më ka ndihmuar edhe mua për të kuptuar nëse vërtetë e doja diçka apo jo”.

Në fushën e marketingut, sipas tij, diferencën e bën shkuadra. “Të gjithë kanë të njëjtat shërbime. Ajo çka i dallon është skuadra. Agjensitë kanë nivelin më të lartë të kostumizimit të shërbimit dhe pavarësisht se çfarë pakete ke për të ofruar, diferencën e parë e bëjnë njërëzit. Grupi ynë sot është krijuar mes njohjeve në shkollë, me të përbashkët: pasionantë të mëdhenjtë, detajistë dhe gjithmonë të pakënaqur/të uritur. Vendimi ynë më i mirë është zgjedhja e individëve që e kanë parë BoldCrest si shtëpinë e tyre. Ne synojmë të njohim në detaj klientin. Futemi në kompani, për të njohur stafin, proceset. Nëse nuk njohim klientin në bazë, nuk mund ta marketojmë. Për rastet e kompanive me shërbime financiare, kemi kërkuar të trajnohemi nga klienti para se t’i futemi punës. Duke i studiuar në detaj dhe duke personalizuar shërbimin, ne bëhemi si pjesë e kompanisë. Sot kemi klientë që na ftojnë në festat e tyre, na urojnë për ditëlindje, pasi edhe ne e bëjmë këtë”.

BoldCrest ka sot edhe klientë të huaj, por stafi e bën ndjeshëm dallimin mes kompanive ndërkombëtare që kanë ritme dhe procese të tjera krahasuar me kompani më të vogla. Ekipi i BoldCrest, gjen shumë interesante shumë kompani në vend, të cilat po krijojnë identitetin e tyre, janë ambicioze dhe vizionare. “Kompanitë multinacionale, janë të standardizuara në të gjitha nivelet dhe pjesa më e madhe e punës është aplikative ose për të përshtatur komunikimin e kompanisë me kulturën lokale. Kompanitë e mëdha kanë procedurat e tyre dhe e mira është që kanë strategji që i ndjekin dhe nuk i ndryshjnë gjatë gjithë vitit”.

Aldo vlerëson faktin se kompanitë shqiptare janë bindur se marketingu duhet berë nga profesionistët e duhur.

Çfarë nuk shkon në marketing dhe duhet shmangur me patjetër?! Sipaj tij janë dy fakte: marrja e gjërave shabllon dhe marrja e shembujve të huaj.

Lexo: 4 mënyra për të ndërtuar një markë të fortë në internet

1-Shabllon, kur e sheh një mesazh që të sjell në mendje dhjetëra kompani, i tillë është mesazhi: Kompani lider në treg, me x vite eksperincë, me staf të kualifikuar dhe me standard ndërkombëtare. Kjo është një recetë që ende e shohim në treg. Një tjetër fenomen për t’u shmangur është imitimi masiv i lëvizjes që bën një kompani. Sapo ajo e bën, në çdo industri, kompanitë e tjera e ndjekin këmba këmbës. Kompania që ndjek në këtë rast, po përforcon mesazhin e konkurrentit, pasi nuk ka mesazh të saj.

2- Shembulli. Si e do reklamën? Si Apple! Pra, një kompani lokale e re, merr për model një kompani të madhe, shumëvjeçare, që është rritur me kohën. Nuk mund të kërkohet as diçka e ngjashme me të, pasi brandi në vetvete ka nevojë për një rrugëtim. Çfarë po i thua konsumatorit? A nuk është objektivi yt, të dallosh nga të tjerët?!

Kërkesës sonë për një mesazh ndaj të rinjve dhe atyre që duan të angazhohen në fushën e marketingut, Aldo u përgjigjet,Mashtrimi i madh i Tik Tok, Work-Life Balance nuk ekziston. Puna është jeta. Kur vendos të punosh dedikohu, mos shih oraret dhe pushimin e drekës, pasi do të mbetesh në nivel bazik ose në rastin më të mirë në nivel mesatar. Ne nuk do të shpikim rrotën. Ajo tashmë është shpikur. Unë me kolegët e mi kalojmë së paku 10 orë në ditë dhe shkruhemi edhe në mbrëmje vonë, madje nuk u shkruaj unë. Më shkruajnë!

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0