Transparenca për fondet IPA në Shqipëri - Business Magazine Albania

Transparenca për fondet IPA në Shqipëri

Transparenca

Lindita Komani

Viti 2021 përbën një fillim për periudhën e re të kuadrit shumëvjeçar financiar të Bashkimit Europian 2021-2027. Me një buxhet prej mbi 1 trilion euro, ai do të ofrojë mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe shoqërisë europiane duke nxitur ndërveprimin dhe integrimin e mëtejshëm. Pikërisht për këtë arsye ky është një vit të rëndësishëm për vlerësimin e punës që është bërë në periudhën e mëparshme 2014-2020.

Databazat e projekteve po përditësohen dhe qytetarët e BE-së mund të ndjekin me transparencë sesi janë shfrytëzuar taksat e tyre dhe cilat kompani, organizata, universitete, qeveri dhe individë kanë qenë përfitues të tyre. Në mes të gjithë këtyre projekteve, ata që janë zhvilluar në Shqipëri, nga ose me pjesëmarrjen e subjekteve shqiptare, përbëjnë një përqindje shumë të vogël të së përgjithshmes, e mbase për një publik ndërkombëtar nuk ka ndonjë interes të madh për to, por për ne ka dhe duhet të ketë, sepse në një vend të varfër si i yni çdo fond që hyn në të mirë të zhvillimit ka rëndësi. Për më tepër, sikurse do të shohim në vijim, nuk bëhet fjalë për shuma aq të pakonsiderueshme për standardet tona ekonomike.

Delegacioni Europian në Shqipëri zhvilloi para pak ditësh një fushatë promovuese për të shfaqur para publikut shqiptar se si dhe sa kontribuon BE në Shqipëri. Me këtë rast dëgjuam që BE ka dhënë mesatarisht rreth 100 milion euro në vit ose 1.5 miliardë euro në 15 vitet e fundit për zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme. Por ky informacion publik i paraqitur në formë reklame nuk u shoqërua me bërjen transparente të destinacionit fundor të këtyre fondeve. Një kërkim në faqen e Delegacionit Europian në Shqipëri tregon se aty bëhen njoftime për projekte që mund të jenë në zhvillim ose mund të jenë duke u hapur, por nuk raportohet dhe nuk paraqitet një listë e plotë përfituesish të fondeve. Nëse hulumtohet pak më shumë, në faqen e Komisionit Europian, më konkretisht atë që ka të bëjë me asistencën IPA II për Shqipërinë për vitet 2014-2020, paraqitet një raport përmbledhës në formë tabelare. Në të lexojmë:

Në periudhën 2014 – 2020, Shqipërisë i është akorduar si asistencë para anëtarësimit një shumë totale prej 639.5 milionë euro. Nga kjo shumë:

Lexo: Historia e miliarderit më të ri në Poloni, kryeministrit të vendit

  • për linjën e Demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës mbështetja ka qenë me 342.5 milionë euro (nga këto: për demokracinë dhe qeverisjen – 208.7 milionë euro dhe për shtetin e së drejtës – 133.8 milionë euro);
  • për linjën e Konkurrueshmërisë dhe Rritjes ekonomike mbështetja ka qenë me 297 milionë euro (nga këto: mjedisi dhe energjia – 30.2 milionë euro, transporti – 24 milionë euro, konkurrenca dhe inovacioni – 182.8 milionë euro, edukimi – 60 milionë euro).

Përse është me rëndësi transparenca lidhur me fondet?

Së pari, transparenca është e nevojshme bazuar në standardet ndërkombëtare të llogaridhënies dhe sigurimit të transparencës për të shmangur abuzimin dhe politizimin e asistencës që BE e jep për gjithë shqiptarët. A ka subjekte që kanë përfituar shumë herë nga këto fonde? A qëndrojnë subjektet përfituese pranë ndonjë partie të caktuar? Çfarë vlerësimi është bërë për projektet dhe subjektet që i kanë zbatuar ato dhe çfarë mësimesh janë nxjerrë për të ardhmen? A janë arritur qëllimet e projekteve? A janë bërë subjektet më konkurrues në kuadër të këtyre projekteve? A u janë afruar më shumë standardeve europiane? Çfarë vlerësimi është bërë për menaxhuesit e fondeve dhe paanshmërinë e tyre politike? Sa të prirur janë ata drejt rezultateve dhe arritjes së qëllimeve në bazë të programit IPA II? Në parashtrimin e IPA II, një nga risitë e shpallura ishte fokusi strategjik dhe përqasja sektoriale e cila synonte të promovonte reformën strukturale që do të ndihmonte në transformimin e një sektori privat dhe ngjitjen në standardet e BE-së.

Së dyti, transparenca është e nevojshme për të ditur se cilët janë subjektet – kompani, organizata, universitete, individë – të cilët janë aftësuar për të konkurruar për fonde të Bashkimit Europian në të tashmen dhe të ardhmen dhe kjo është një temë me rëndësi sepse buxheti i BE-së është i lartë dhe subjektet shqiptare duhet me shpejtësi të ngrenë standardet e tyre për të qenë të aftë për të konkurruar në nivel europian me subjekte nga vendet e tjera anëtare dhe të asociuara. Kjo pikë ka një vlerë të veçantë për të tashmen dhe të ardhmen e pranisë shqiptare në programe si Horizon Europe, Creative Europe, Erasmus+ e të tjera që janë të hapura që para anëtarësimit në BE.

Konkretisht, nëse hidhet një vështrim mbi ecurinë e suksesit shqiptar në programin Horizon 2020, që është një nga programet e hapura për konkurrim edhe për vendet që kanë status “vende të asociuara” sikurse e ka edhe Shqipëria, shihet që subjektet shqiptare kanë ende një rrugë shumë të gjatë përpara për të arritur në nivelet e një vendi të rajonit tonë si Serbia, për të mos folur pastaj për vendet e Bashkimit Europian. Më konkretisht, subjekte nga Shqipëria kanë qenë të pranishme në 48 projekte të Horizon 2020, ndërkohë që subjekte nga Serbia kanë qenë të pranishme në 554 projekte. Fondet e BE-së të përfituara nga subjektet shqiptare në këto projekte kanë qenë 5.06 milionë euro, ndërsa nga subjektet serbe janë përfituar 127.3 milionë euro. Mjaftojnë këto të dhëna për të kuptuar sesa e lartë është diferenca në aftësi përthithëse fondesh.

Nisur nga sa më lart, kërkesa për transparencë në adresë të zyrës së Delegacionit Europian është me rëndësi dhe legjitime. Ajo është baza për të gjithë grupet e interesit, për të bashkëvepruar më mirë si me Delegacionin Europian ashtu edhe me Ministrinë e Jashtme si ministria e linjës që menaxhon marrëdhënien me BE-në, për të mundësuar përthithje më të lartë fondesh nga subjektet shqiptare dhe për të bërë gjithashtu të mundur që në vijimin e vet programi IPA në Shqipëri të realizohet një alokim më i mirë i fondeve që e afron Shqipërinë më shumë me standardet e BE-së.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0