Këshilli i Investimeve në Shqipëri dhe Agjencia e Investimeve të huaja AIDA, në një vlerësim krahasues, nxjerrin Shqipërinë si vendin me taksën më të ulët të ardhurave mbi koorporatat për kompanitë e IT. Gati një vit më parë, është vendosur që kompanitë e teknologjisë të paguajnë nga 15 %, vetëm 5 % Tatim mbi të Ardhura. Kur shumë sektorë po shkojnë drejt ngopjes, IT është fusha ku mund të tërheqë investime strategjike të huaja. Sokol Vladi, një nga ekspertët dhe njohësit më të mirë të industrisë në rajon, thotë se më shumë se ulja e taksave, vendit i duhet të rrisë kapacitetet e burimeve njërëzore. Ndërkohë, ulja e taksave në vetvete mund të rrezikojë të rrisë abuzimet, me fatura fiktike, dhe kompani të rritura fiktivisht.
Lexoni më poshtë intervistën me Sokol Vladin
Cili mendoni se është efekti më i drejtpërdrejtë i këtij vendimi?
Aplikimi i shkallës tatimore të reduktuar për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve është perceptuar si një hap pozitiv në mbështetje të sektorit të teknologjisë. Duke marrë parasysh që teknologjia luan rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin e çdo industrie, mund të themi që hapi i ndërmarrë mund të konsiderohet pozitiv për nxitjen e zhvillimit të tregut.
Ajo që pritet të shikohet dhe nuk mund të thuhet dot tani, është se sa i madh do të jetë efekti pozitiv i këtij vendimi në rritjen e volumit të biznesit dhe exporteve të shërbimeve në këtë industri.
A keni ndonjë koment nga ekspertet e fushës, partnerë apo sipërmarrës të vegjël në fushën e IT, lidhur me këtë vendim?
Në vitin 2018, kur qeveria lançoi iniciativën për reduktimin e shkallës tatimore për kompanitë e teknologjisë, të cilat bëjnë prodhim dhe zhvillim aplikacionesh apo software, e gjithë vëmendja u fokusua tek përcaktimi më i saktë i profilit të këtyre kompanive, pra tek llojet e shërbimeve që do të mund të përfitojnë nga ky vendim, pasi kjo do të përcaktonte më qarte se cili segment do të ishte në fokus.
Me listimin e kategorive dhe shërbimeve që do të përfitonin prej këtij vendimi, u kuptua që kjo lëvizje nuk është menduar të ketë një fokus të mirëfilltë strategjik vetëm rritjen e sektorit të zhvillimit të software, pasi gama e shërbimeve të përfshira si përfituese ishte shumë e gjerë.
Ajo shkon përtej të ashtuquajturave kompani të zhvillimit të software, duke përfshirë pothuajse çdo shërbim të fushës së teknologjisë dhe informacionit, instalim i rrjeteve kompjuterike, dizenjim, projektim dhe implementim i sistemeve të ndryshme të teknologjisë, si dhe shërbime të edukimit apo trajnimeve në këtë fushë.
Besoj që kompanitë, të cilat kanë filluar të shqyrtojnë mundësitë për të përfituar prej ketij vendimi, nuk janë vetëm ato në sektorin e IT por, ashtu sikurse ndodh me çdo lëvizje të shkallës tatimore, ata të cilët e nuhasin më shpejt mundësinë e përfitimeve janë kompanitë e mëdha, të cilat kanë dhe expertizë në politikat e fiskut dhe të ekonomisë.
Përllogaritjet zyrtare të qeverisë shqiptare, e nxjerrin sektorin me taksa më të ulëta në rajon. Si shihet nga këndvështrimi i sipërmarrjes duke llogaritur grupin e taksave në total?
Besoj që politikë-bërësit nuk kanë arritur të analizojnë dhe të kuptojnë specifikat e këtij sektori, por janë hedhur në veprim, duke ndjekur shembuj të vendeve të tjera, ndihmues në skemën lehtësuese tatimore.
Duhet të kuptojmë që, investimet strategjike në fushën e zhvillimit të softëareve dhe aplikacioneve ndryshojnë thelbësisht me investimin në industrinë fasone, e cila pati njohur rritje në vitet e fundit, kur në vend kishim tatim të sheshtë relativisht të ulët, papunësi të lartë e njerëzve me nivel edukimi të ulët, të cilat janë kriteret kryesore për lulëzimin e fasonerisë.
Në fushën e shërbimeve IT, shkalla tatimore është një element që ndikon në nxitjen e sektorit, por kurrsesi nuk mund të themi që është elementi primar.
Kjo pasi për të zhvilluar ekonominë në këtë sektor, nevojitet forcë punëtore me nivel edukimi të lartë, siç janë programuesit, inxhinierët e sistemeve, menaxhere të projekteve, etj.
Burimet njerëzore të kualifikuara janë shtylla kryesore që përcakton kapacitetin e rritjes apo zhvillimit të këtij sektori. Ndaj mund të them që vendi ynë ka një avantazh me të rinjtë tepër ambiciozë dhe me vullnet të larte për të studiuar, të cilët arrijnë në nivele maksimale të profesionalizmit edhe në kushtet kur sistemi i edukimit në vend, nuk e ka gjithnjë një kapacitet të tillë.
Lexo: Piramida do të jetë “Pallati i Pionierëve” për Teknologjinë e Informacionit
Në zemër të kësaj industrie, janë expertët (programuesit apo developers) aktualisht më të mirë-paguarit në të gjithë globin. Konkurrenca për t’i tërhequr ata është tepër e madhe dhe nuk njeh kufij, por për fat të keq Shqipëria e ka ulur aftësinë konkuruese që me vendosjen në fuqi të tatimit progresiv, i cili rëndon deri në 23% në pagat e këtij profili punonjësish, kundrejt një tatim-fitimi prej 10% që aplikon Bullgaria, e cila ka aktualisht dhe numrin më të lartë të programuesve në rajon dhe të exporteve të shërbimeve në këtë fushë.
Investitorët strategjikë në këtë sektor, studiojnë me imtësi katër aspekte kryesore: burimet njerëzore, kapacitetin e sistemit edukativ të vendit, strategjinë e zhvillimit të edukimit në këtë fushë dhe shkallën tatimore të vendit për këtë industri.
Rasti i kompanisë Lufthansa, e cila prej disa vitesh ka vendosur një prej qelizave të departamentit të zhvillimit të softwareve në Shqipëri, përpara se ky vendim të futej në fuqi, është një tregues i qartë që investimet në këtë fushë janë strategjike dhe jo domosdoshmërisht të kushtëzuara nga niveli i shkallës së tatimit të fitimit. Ky është një rast, i cili duhet sudiuar me imtësi për të kuptuar specifikat e investimeve në këtë fushë.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sektorit sot?
Mund ta them që dy janë pengesat kryesore që sipas mendimit tim do ta mbajnë të kufizuar sektorin e IT në vend edhe në kushtet e një shkalle tatimore tepër favorizuese.
E para, që mendoj se është faktor që mban të gjithë ekonominë të kufizuar, ka të bëjë me penetrimin tepër të ulët të teknologjisë në çdo sektor të biznesit në vend. Çdo industri në vend duhet të përdorë më shumë teknologji për të rritur aftësinë prodhuese. Nuk mund të pretendojmë të kemi zhvillim të agroindustrisë në kushtet kur toka vazhdon të punohet me plug.
E dyta: është kapaciteti i limituar i burimeve njerëzore të kualifikuara në këtë fushë, që lidhet ngushtë me sistemin e edukimit në vend dhe me një strategji të suksesshme për reduktimin e emigrimit të expertëve të teknologjisë. Kjo e kufizon në maksimum mundësinë për eksportim të shërbimeve jashtë vendit si mundësia e vetme për të rritur biznesin dhe përfitimet nga ofrimi i këtyre shërbimeve.
A keni dijeni për investime të reja në këtë fushë falë uljes së taksës?
Duke qenë se ky vendim është marrë vitin e kaluar, duhet të presim për disa statistika të reja nga INSTAT për vitin 2019 për të parë ndikimin e tij, por siç përmenda më lart, lëvizja në këtë industri diktohet kryesisht nga burimet njerëzore, pasi duhen specialistë me nivel të mesëm dhe të lartë edukimi.
Ne mund të pretendojmë për rritje reale të investimeve dhe të kësaj industrie në tërësi kur statistikat e institucioneve të edukimit të tregojnë që mijëra programues, data analysts, ing kompjuterash apo Ing artificial Inteligence, po mbarojnë studimet dhe po i shtohen tregut çdo vit. Ky do ishte lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe për investitorët e kësaj industrie.
Ajo që mendoj ka mundësi të ndodhë më shpejt, është rritja fiktive e industrisë si pasojë e lëvizjeve inteligjente e kompanive për të përfituar sa më shpejt prej këtij vendimi, duke krijuar kompani si-motra apo satellite, nga të cilat në mënyrë të menjëhershme fillojnë të marrin shërbime të kushtueshme zhvillimesh software, apo mirëmbajtjesh të sistemeve të IT si një rrugë e re e kanalizimit të fitimeve të tyre. Në këtë mënyrë, të gjithë bizneset nga çdo industri, arrijnë të përdorin këtë vendim që “të shkarkojnë” fitimet e tyre me normën më të ulët të fitimit. Këtë artificë mund ta përdorë çdo kompani që vepron në secilën industri, kuptohet përveç atyre që nuk kanë asnjë kompjuter në inventor, siç mund të jenë, psh.furrat e bukës.
Një aspekt me tepër rëndësi që do të kërkonte vemendje të lartë nga institucionet e vendit është edhe vendosja e kontrolleve specifike, të cilat do të shmangin mundësinë e keqpërdorimit të industrisë së zhvillimit të software për shkak të specifikave të saj si një ambjent i përsosur, tani edhe me shkallë tatim fitimi të reduktuar për interesa të pastrimit të parave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.