Albana Theka, shqiptarja që u përzgjodh presidente e 60-të e Financial Women’s Association! - Business Magazine Albania

Albana Theka, shqiptarja që u përzgjodh presidente e 60-të e Financial Women’s Association!

Nga Eni Muça– Ajo është shembulli i gjallë që talenti, këmbëngulja dhe vlerat familjare mund të të çojnë nga një qytet  si Korça në majat e financës në New York. Albana Theka është zgjedhur Presidente e 60-të e Financial Women’s Association, një nga organizatat më me ndikim në SHBA që fuqizon gratë në sektorin financiar. Rruga e saj nga Shqipëria drejt pozicioneve drejtuese në sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor dhe financiar është një histori frymëzuese që vjen në kohën kur më shumë gra shqiptare po kërkojnë të çajnë përpara në skenën globale. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo ndan me ne fillimet, sfidat, rolin e rrënjëve shqiptare në lidershipin e saj, vizionin për të ardhmen dhe një mesazh të fuqishëm për të rinjtë që ëndërrojnë të arrijnë më shumë.

Na tregoni pak për fillimet tuaja. Si ka qenë rruga juaj nga Shqipëria drejt New York-ut dhe deri te pozitat drejtuese që mbani sot?

Jam lindur dhe rritur në Korçë, ku fillimisht kam ndjekur shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” dhe më pas gjimnazin “Themistokli Germenji”. Gjatë vitit të tretë të gjimnazit, dëgjova për nje program studimi në SHBA dhe menjëherë vendosa të aplikoj. Ia tregova prindërve të mi, dhe megjithëse ishte një vendim i vështirë për kohën, ata më mbështetën plotësisht.Në vitin 1999, u largova nga Shqipëria, në një periudhë tranzicioni të madh për vendin — pas luftes civile dhe në mes të krizës së refugjatëve nga Kosova. E dija se për të ndërtuar të ardhmen që ëndërroja, më duheshin mundësi që në atë kohë nuk ekzistonin në vendin tim. Zbrita fillimisht në New York për një orientim të shkurtër dhe më pas stacioni im i parë ishte Kentucky, ku jetova me një familje amerikane dhe përfundova vitin e fundit të gjimnazit. Përfundova në 10 më të mirët e klasës dhe mbajta fjalimin e valedictorian-it në diplomim. Pas gjimnazit vendosa të qëndroj dhe të vazhdoj studimet e larta. Fitova një bursë të plotë në St. Joseph’s College, gjë që më ktheu sërish në New York për universitetin. Gjatë universitetit punova në Ridgewood Savings Bank — fillova si punonjëse banke dhe u ngjita deri në pozicionin e menaxheres brenda pesë viteve. Në të njëjtën kohë ndoqa studimet per Master dhe u diplomova në administrim biznesi ekzekutiv.

Ëndrra ime ishte të punoja në investimet e Wall Street, por kriza financiare e vitit 2008 e bëri më të vështirë këtë rrugë. Megjithatë, pata shumë fat që CV-ja ime arriti në NYU Langone Health, një nga qendrat më të mëdha mjekësore akademike në New York. Fillova si analiste buxheti dhe gjatë 12 viteve arrita deri në Drejtoreshë e Planifikimit dhe Analizës Financiare. Në vitin 2020, vendosa të ndryshoj drejtimin profesional dhe të fokusohem në fushën e të dhënave dhe analizës, sepse gjithmonë më ka pëlqyer të zgjidh problemet përmes analizës së të dhënave. Fillova punë në NYC Health + Hospitals, ku drejtova analiste dhe inxhinjere për të mbështetur ekipin ekzekutiv me raportime dhe vendimmarrje. Sot, jam Drejtoreshë dhe Shefe e Departamentit të të Dhënave dhe Analizës në 32BJ Health Fund, ku kujdesemi që anëtarët tanë të kenë kujdes shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm, duke kontrolluar shpenzimet. Gjithashtu, kam privilegjin të jem Presidente e Financial Women’s Association,(Shoqata Financiare e Grave ne NY) një organizatë jofitimprurëse me bazë në New York, që mbështet dhe fuqizon gratë në sektorin financiar.

Lexo edhe:Xheneta Krasniqi, shqiptarja e renditur mes “Top Young Women Engineers in Germany 2025”

Çfarë ndikimi kanë pasur rrënjët shqiptare në mënyrën si udhëhiqni dhe punoni?

Rrënjët e mia shqiptare më kanë formuar thellësisht. Jam rritur në një vend që ka përjetuar komunizëm, tranzicion të vështirë, protesta, dhe sfida ekonomike. Kjo më mësoi që liria dhe suksesi nuk dhurohen, fitohen me mund, dije dhe guxim.
Gjithashtu, familja ime më ka mësuar që edukimi është çelësi për të ndryshuar jetën. Ky besim më shoqëron edhe sot si lidere: punoj fort, e trajtoj çdo bashkëpunëtor me dinjitet dhe përpiqem t’i frymëzoj të gjithë të besojnë tek vetja.

Cili është vizioni juaj si Presidente e FWA dhe cilat janë prioritetet që keni vendosur për këtë mandat?
Si Presidente e FWA, vizioni im është të rrisim ndikimin tonë për të fuqizuar më shumë gra në sektorin financiar. Për këtë kam vendosur tre prioritete:
1. Të rrisim anëtarësinë me 20%
2. Të sjellim të paktën katër partneritete të reja korporative
3. Të forcojmë prezencën tonë dixhitale dhe brandin tonë në treg.
Këto nuk arrihen vetëm — kërkojnë angazhimin e çdo anëtari, sepse FWA është një komunitet ku duke punuar se bashku, idetë bëhen realitet.

No alternative text description for this image

Si i shihni sfidat dhe mundësitë për gratë në financë sot, në krahasim me kur ju keni nisur karrierën tuaj?
Kur unë fillova, gratë në financë shpesh nuk kishin mbështetje, mentorë apo mundësi të barabarta. Sot gjërat kanë ndryshuar, por sfidat mbeten: mungesa e përfaqësimit në nivele të larta, pagat e pabarabarta, balancimi i karrierës me jetën familjare.
Megjithatë, sot kemi më shumë aleatë, më shumë rrjete si FWA, dhe një vetëdije më të lartë për të luftuar paragjykimet. Jam optimiste që brezi i ri do ta çojë këtë betejë përpara dhe do ta fitojë.

Keni përmendur qëllimin për ta çuar FWA drejt 70-vjetorit me ndryshime strategjike, çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Kjo do të thotë që FWA nuk do të mbetet thjesht një organizatë tradicionale, por do të transformohet në një platformë moderne, dixhitale, gjithëpërfshirëse, ku gjenerata të ndryshme gjejnë zë, mundësi dhe një komunitet që i mbështet në çdo fazë të karrierës.
70-vjetori është një moment reflektimi dhe rinovimi — do të krijojme komitete strategjike, do të forcojmë partneritetet dhe do të sjellim ide inovative që FWA të vazhdojë të ketë ndikim për dekadat që vijnë.

Si ndikon të qenit një lider femër në një sektor tradicionalisht të dominuar nga burra?
Për mua, të jesh grua lidere në financë është një përgjegjësi dhe një mundësi. Kam mësuar të flas hapur, të kërkoj tavolinën time, dhe njëkohësisht të hap dyer për të tjerët.
Sfida më e madhe është të ruash autencitetin: të jesh e fortë, por edhe e ndjeshme; të udhëheqësh me vizion, por edhe me përulësi. Besoj që diversiteti në drejtim sjell perspektiva të reja dhe rrit suksesin për të gjithë.

Çfarë do t’i këshillonit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndërtojnë karrierë ndërkombëtare në financë apo menaxhim?
Së pari, të besojnë tek vetja, pa frikë nga sfidat. Së dyti, të investojnë në dije — arsimimi nuk zë vend kot. Së treti, të kërkojnë mentorë, të ndërtojnë rrjete dhe të mos kenë turp të kërkojnë ndihmë.
Dhe më e rëndësishmja: të mos harrojnë kurrë nga kanë ardhur, sepse rrënjët janë forca më e madhe për të ecur përpara.

A jeni e angazhuar në mënyra konkrete për të mbështetur zhvillimin e Shqipërisë përmes rrjeteve të diasporës?
Po, gjithmonë përpiqem të jem një urë lidhëse mes diasporës dhe atdheut. Përmes FWA, përmes mentorimeve individuale dhe projekteve, unë i mbështes të rinjtë shqiptarë që duan të rriten profesionalisht. Mendoj se diaspora ka një rol shumë të madh për të dhënë për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Dy vjet me pare erdha per vizite ne Shqiperi dhe bera nje prezantim para American Chamber of Commerce, ku shkembyem experienca me anetare dhe biznese te ndryshme.

A mendoni se ka ardhur momenti që shqiptarët në diasporë të krijojnë një strategji të përbashkët për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe inovacionin në vend?

Absolutisht po! Tani më shumë se kurrë, kemi talente të jashtëzakonshme jashtë vendit që mund të kontribuojnë me eksperiencë, investime dhe ide. Një strategji e përbashkët do të ishte një mekanizëm konkret për të kanalizuar këtë potencial në projekte që sjellin ndryshim të qëndrueshëm në Shqipëri.

Në tri fjalë,  si do ta përshkruanit misionin tuaj në këtë fazë të jetës dhe karrierës suaj?

Frymëzim. Optimizm. Bashkim!

 

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Një ide është e mirë vetëm nëse mund ta zbatosh.”
— Mark Cuban
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0