Investitori dhe autori i njohur, Robert Kiyosaki, ka komentuar pas sulmit të fundit ndaj impiantit më të madh të gazit natyror në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar qytetarët për pasojat serioze në çmimet e energjisë, ushqimeve dhe karburantit. Në postimin e tij, Kiyosaki thekson se incidenti në kompleksin Habshan, operuar nga Abu Dhabi National Oil Company, duhet të alarmojë çdo person që paguan faturë energjie, blen ushqime apo mbush makinën me karburant.
Kompleksi Habshan, i cili ka një kapacitet prej 6.1 miliardë këmbë kub gaz në ditë, u detyrua të ndalojë operacionet pas një sulmi që shkaktoi zjarr, dhe ky është incidenti i dytë që e detyron atë të ndalojë që nga fillimi i luftës në rajon. Rëndësia e tij shtrihet edhe përtej gazit: Habshan është pika fillestare e tubacionit drejt portit Fujairah, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit dhe transporton rreth 1.5 milionë fuçi naftë në ditë, më shumë se gjysmën e eksporteve ditore të Emirateve.
Lexo edhe: Lufta është më shumë sesa thjesht… kriza e naftës!
Kiyosaki paralajmëron se kjo situatë është një rrezik serioz për ekonominë globale. Pas bllokimit të Hormuzit më 28 shkurt, tubacioni Habshan-Fujairah ishte një nga rrugët e pakta alternative për eksportin e naftës dhe gazit, duke siguruar afërsisht 70% të transportit të total të naftës së Emirateve. Por sulmi i fundit e ka vënë këtë “rrugë shpëtimi” jashtë funksionit, duke rritur tensionin në tregjet ndërkombëtare.
Eksperti financiar thekson gjithashtu se infrastruktura alternative nuk është projektuar për një konflikt të gjatë. Rezervat globale mund të zbusin ndikimin vetëm për një periudhë të kufizuar. Nëse konflikti vazhdon dhe korridoret kryesore mbeten të bllokuara, ekonomia globale mund të përballet me një tronditje energjetike të krahasueshme me krizën e viteve 1970, por në një kontekst shumë më të ndjeshëm ekonomik, duke përfshirë borxhet rekord globale, inflacionin post-pandemik dhe normat e larta të interesit.
Në këtë kontekst, Kiyosaki këshillon qytetarët të rrisin ndërgjegjësimin financiar dhe të marrin masa për të mbrojtur veten ndaj pasojave të mundshme të krizës globale të energjisë, duke e bërë këtë një çështje që prek direkt çdo familje, biznes dhe investitor në nivel global.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto