SyncLab, startup-i i vetëm shqiptar i fokusuar në fushën e realitetit virtual - Business Magazine Albania

SyncLab, startup-i i vetëm shqiptar i fokusuar në fushën e realitetit virtual


SyncLab është startup-i më i ri në fushën e AR/VR dhe ndoshta i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës dhe në Shqipëri. Megjithëse në hapat e parë, ai ka qenë pjesëmarrës në emisionin televiziv Startups Battle, i cili u zhvillua në televizionin Klan Kosova, ku kaluan në finale. Midis 350 aplikimeve, ata janë përzgjedhur në Top 60 për të qenë pjesë e një ndër akseleratorëve më të mëdhenj në Europë, në Startup Hub Warsaw.

Lexo: Aplikoni me startup-in tuaj në “Startup Hub Warsaw (SHW17)”

Përveç kësaj, ata janë ftuar të marrin pjesë në konkursin global “Startup World Cup” që zhvillohet në Pragë të Çekisë. Themeluesit e këtij startup-i janë Shkumbin Kabashi dhe Labinot Bajrami, ku me këtë të fundit patëm kënaqësinë të zhvillojmë një intervistë.

BM: Përshëndetje Labinot! Para se të flasim për pjesëmarrjen tuaj në Startups Battle dhe në Startup Hub Warsaw 2017, a mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të vetes tuaj?

L: Përshëndetje, unë jam Labinot Bajrami nga Prishtina, kam përfunduar studimet në degën e Inxhinierisë Softuerike dhe gjithashtu jam student i Fakultetit të Fizikës në Universitetin e Prishtinës. Jam njëri nga themeluesit e startupit “SyncLab” në Prishtinë, me të cilin kohët e fundit kemi arritur sukses mjaft të madh.

BM: Çfarë është SyncLab? Cila është risia që ka sjellë në treg platforma juaj duke qenë se AR/VR janë në hapat e para në Republikën e Kosovës dhe në Shqipëri?

L: SyncLab është një startup i themeluar në Prishtinë nga unë dhe shoku im Shkumbin Kabashi dhe jemi nga kompanitë apo startupet e rralla që bëjnë zhvillimin e teknologjive Augmented/Virtual Reality. Me platformën “SyncLab” kemi arritur që të krijojmë shumë kontakte të forta me njerëz që janë të njohur në botën e teknologjisë, ku njëri nga këshilltarët tanë është Alan Greenberg (Former Education i Apple).

Risia që ne kemi sjellur është se në trojet tona një platformë e tillë nuk ekziston. Duke e ditur që kjo teknologji ka shtrirje mjaft të mirë në marketing, ne shpresojmë se populli ynë e sidomos kompanitë e mëdha do ta mirëpresin. Fokusi ynë është tregu global dhe diçka e tillë si SyncLab nuk ekziston në tregun global. Ka shumë platforma të ngjashme por ne kemi disa pika të forta nga ku dallojmë nga të tjerët.

Lexo: Facebook lançon aplikacionin e saj të parë dedikuar realitetit virtual, Facebook 360

SyncLab

BM: Sa kohë ka që është lançuar? Cilat janë disa nga shërbimet që ju ofroni?

L: Produkti nuk është lançuar ende, ai është në fazën e zhvillimit, për shkak të llojit të teknologjisë dhe platformës tonë, ky lloj produkti merr më shumë kohë se sa disa nga projektet e zakonshme.

Shërbimi kryesor që ne ofrojme është se çdonjeri që ka qasje në internet, edhe nëse nuk ka njohuri rreth programimit ose Augmented Reality, do të jetë në gjendje që afërsisht përrreth 1 minutë ta krijoj aplikacionin e tij me këtë teknologji.

BM: Megjithëse projekti nuk është lançuar akoma në treg, a mund të na përmendni disa nga projektet që keni realizuar deri më tani?

L: Shumica e projekteve tona janë bërë për kompani të cilat i përdorin ato për përdorim të brendshëm si përshembull për trajnime në disa sektor specifik ku përmes saj ulet kosto e trajnimeve etj. Ndërsa kemi zhvilluar dhe një projekt për një nga figurat kryesore politike në trojet tona, por se kush është ai do të kuptohet pas lançimit të produktit nga vetë ai.

BM: Cili është ekipi që po punon për SyncLab?

L: Për momentin ekipi ynë përbëhet nga 8 persona:

Labinot Bajrami – Co Founder & iOS Developer
Shkumbin Kabashi – Co Founder & AR/VR Developer
Veton Thaqi – Android Developer
Pajtim Selimi – AR/VR Developer/Backend Developer
Emin Emini – iOS Developer
Alban Hoxha – UX/UI Artist
Drilon Balaj – Internship (17 Vjeç)
Alan Greenberg – Konsulent & Këshilltar

BM: Startup Battle është një program televiziv për bizneset e reja inovative, të cilat garojnë mes tyre për çmimin e madh prej 10.000 euro. A e patë si një mundësi për t’u promovuar apo kishte ndonjë arsye tjetër që ju shtyu të bëheshit pjesë?

L: Duke e ditur rëndësinë e pjesëmarrjes në ngjarje të tilla do të thoja se qëllimi ynë kryesor ka qenë promovimi duke mos e anashkaluar dëshirën për ta fituar garën. Mendoj se ngjarje të tilla japin shumë fryte dhe besojmë se vetëm nga paraqitja në televizion dhe njohja e njerëzve me platformën tonë është një fryt që do ta vjelim në të ardhmen.

Lexo: PunPun-Startups Battle, TV show më interesant për sipërmarrjen

SyncLab

BM: Duke qenë se startup-i juaj ka të bëjë me inovacionet e reja si realiteti virtual dhe realiteti i shtuar si e shihni të ardhmen e tyre, a ka premisa për t’u zhvilluar më tej? A mendoni se do të revolucionarizojë përmbajtjen në website apo aplikacione?

L: Sa i përket tregut global, atye dhe ku jemi të fokusuar ne si startup, mund të them lirisht se këto dy teknologji, sidomos AR do të jetë njëra nga teknologjitë më të përdorura në botë, nga çdo lloj biznesi.

Sipas një analize nga Business Insider thuhet se deri në vitin 2020, në këto dy teknologji do të investohen më shumë se 162 miliarda $. Kjo teknologji sapo ka filluar revolucionarizimin e web dhe aplikacioneve mobile, sidomos në edukim, mjekësi dhe automotivë.

BM: Ju jeni përzgjedhur si një nga 60 startup-et që do të merrni pjesë në Startup Hub Warsaw 2017. Na trego më shumë rreth këtij programi akselerimi për startup-et e reja. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

L: Startup Hub Warsaw është një nga “Hub-et” me peshë dhe rëndësi të madhe në Europë. Gjithsej kanë qenë 350 aplikime edhe ne jemi përzgjedhur në Top 60 që do të trajnohemi dhe monitorohemi për 10 ditë në Warsaw, pastaj është Top 30 dhe Top 3. Duke e ditur se produkti ynë është tejet inovativ, pritshmëritë tona janë që të jemi në Top 3.

BM: Çfarë planesh keni për të ardhmen?

L: Synimi ynë kryesor është zhvillimi i të gjithë platformës si dhe gjetja e një bashkëpunëtori ose investitori me të cilin do ta çojmë këtë platformë aty ku duhet. Së fundmi, na është bërë ftesa edhe nga “Startup World Cup” që mbahet në Pragë të Çekisë, që të marrim pjesë pasi sipas tyre projekti ynë ka potencial që të fitoj çmimin e madh prej 1 milionë euro.

BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese të mëtejshme!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0