Për mua personalisht, komunikimi është ajo me të cilën merrem çdo ditë, dhe pavarësisht kësaj, për të shkruar për këtë temë jam matur shumë dhe shpesh e kam shtyrë si proçes. Edhe të shkruarit është një formë komunikimi, ndaj mbase ishte pikërisht “obligimi” për të trajtuar këtë temë sa më profesionaisht që më mbante larg kompjuterit.
Megjithatë disa ditë në shtrat për arsye shëndetësore, më mbajtën paksa larg detyrave të përditshme në punë duke më krijuar më shumë kohë për të ndjekur lajme në TV apo në internet dhe njëkohësisht kohë për të reflektuar nën endjen e mendimeve të mia.
Me pult në dorë kalova disa kanale televizive me lajme çdo minutë dhe gjithçka që munda të shikoja ishte aksidente me pasojë vdekje, plagosje për motive të dobëta, çfarë tha Basha, Selami apo Rama… si zakonisht të njëjtat lajme pavarësisht nga ekrani.
Lexo: Gerti Boshnjaku: Me punë duhet të sfidojmë kohën
“Ky është komunikimi nëpërmjet massmedias”, pëshpërita me veten. Ndërkohë mendova se çfarë mund të përmirësohej në këtë aspekt pasi shumë gjëra janë të thjeshta të thuhen por të vështira të realizohen. Nëse do të isha një nga mediat në TV, do të fokusohesha më shumë tek personat që më ndiqnin, do të dëgjoja më shumë prej tyre dhe mbi bazën e informacioneve që të do të mblidhja, do krijoja programe që do t’i shërbenin atyre.
Vërej se pak e bëjnë… pak e pyesin konsumatorin se çfarë do të donte të shikonte, prandaj shohim ato që shohim në TV.
Këtu është një pikë ku merr vlera komunikimi, duke mos qenë vetëm nga një krah. Por duke u formësuar në një dialog ku disa palë japin dhe marrin informacione nga njëri tjetri. Kaq e thjeshtë, kur tjetri flet ti e dëgjon dhe e anasjellta.
Fraza që më ka shqetësuar gjithmonë tek lajmet kronike dhe vazhdon të më shqetësojë është “vrasje apo plagosje për motive të dobëta”… dhe fakti që më duket sikur këto trajtohen si krime të lehta. Për mendimin tim këto janë krimet që duhen dënuar më rëndë, pasi pasoja është shumë herë më e rëndë se sa shkaku dhe këtu ligji duhët të ndërhyjë fort për t’i shmangur. Vërtet dhemb kur një jetë largohet nga kjo botë… pa motiv, pa arsye të shëndoshë, mbase për një fjalë goje të thënë kur nuk duhej… Dhemb!
Edhe këtu fakti që nuk komunikojmë siç duhet është shkak i kaq shumë ngjarjeve të tilla. Shumë shpesh, sidomos në vitet e gjimnazit jemi hasur me shprehjen
“Çfarë ke që shef?”
Lexo: Krizat e komunikimit në organizatë, si t’i përballoni dhe të bëheni më të fortë pas tyre?
Dhe nga kjo shprehje, kanë degraduar shumë situata problematike ku ka pasur të lënduar, të plagosur apo dhe pasoja fatale. Asnjë argument në botë nuk mund ta justifikojë veprimin më sipër, megjithatë nëse do të mund të konunikohej më mirë, më butë, më njerëzisht, shumë prej këtyre ndodhive do të ishin shmangur.
Komunikimi i mangët shfaqet si zanafillë e problemeve por ndërkohë që një komunikimi i mirë mund të jetë në shërbim të zgjidhjeve.
Mbase, duhet t’i mëshojmë më tepër komunikimit që në kopshte, shkolla, familje, ambjente publike apo në transmetimet në media.
Në çdo fushë, sektor apo në sjelljen e çdo njeriu të thjeshtë apo ligjvënësi, komunikimi është baza e marrdhënieve që ne ndërtojmë. Ne jemi të ndërgjegjshëm që marredhëniet ndërtohen mbi bazën e besimit, prandaj duke komunikuar, ne transmetojmë besim apo mosbesim, emëtojmë energji pozitive apo negative tek të tjerët dhe orientojmë situatat drejt zgjidhjeve apo rrugëve pa krye.
Ndonjëherë mendoj se ne si shqiptarë kemi një problem komunikimi në çdo instancë. Dhe problemi më i madh është që nuk e dallojmë, pasi nuk kemi të promovuar modelet e komunikimit të mirë. Mjafton të shohim një TV show në Prime Time, debatet politike apo sjelljet në publik të personave që pushtojnë ekranet dhe përbëjnë modelet.
Lexo: Si frymon komunikimi marketing brenda organigramave?
Besoj se do të kishim një polici më të mirë, nëse punonjësit e policisë së shtetit do të percillnin normat e një komunikimi të mirë. Dhe komunikim këtu nuk i referohem thjesht fjalëve të duhura në një dialog, por edhe integritetit dhe rigorozitetit me të cilin bëjnë detyrën. Në trajtimin që i bëjnë çdo situate, pa ndikime dhe në mënyrë të barabartë.
Ne komunikojmë jo vetëm me fjalë, por me gjeste dhe sjellje. Procesi i komunikimit është pjesë e pandarë e perceptimeve që të tjerët krijojnë për ne, duke vëzhguar çdo veprim apo mosveprim tonin në lidhje me ta apo me të tretë.
Besoj se do kishim qeverisje më të mirë nëse politikanët do të merrnin mundimin të vlerësonin komunikimin në thelb, jo thjesht në sipërfaqe. Janë politikanët që na bërtasin çdo ditë në vesh, nëpërmjet çdo kanali apo mediumi të mundshëm, por ata nuk na komunikojnë. Ata flasin dhe flasin, bëjnë zhurmë, fyejnë, ofendojnë, gënjejnë dhe nuk i qëndrojnë atyre që thonë, pa më të voglin shqetësim dhe pa iu skuqur fytyra. Edhe skuqja e fytyrës është komunikim, por ata nuk e shohin të tillë, pasi nuk komunikojnë. Për dreq, është problem i madh ky komunikimi, pasi modeli i këtyre sjelljeve me komunikim të mangët, përcillet tek brezat e rinj, nga zhuzhëritja e tyre në media, nga mësuesit që fillojnë punë duke paguar rryshfet deri tek gjykatësit që marrin vendime të padrejta duke e ditur se të kanë në dorë jetën.
Po sikur… sikur të komunikonim pak më mirë?
Unë besoj se do ndryshonim shumë gjëra nëse kjo do të ndodhte. Po ti që po e lexon këtë artikull, çfarë mendon?
Nëse ke diçka për të komunikuar, mos hezito të komentosh opinionin tënd.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.