A i ndjekin të rinjtë lajmet? Pyetja është bërë klishe, por përgjigja është më e ndërlikuar sesa duket. Gjenerata e sotme e 18–24-vjeçarëve nuk është e shkëputur nga bota, as indiferente ndaj ngjarjeve që e formësojnë atë. Ata janë, ndoshta, gjenerata më e lidhur me informacionin në historinë njerëzore, por janë lidhur ndryshe. Instituti Reuters, një nga organizatat më me autoritet në studimin e medias botërore, ka publikuar edicionin e tij të fundit të Raportit për Lajmet Digjitale, një analizë gjithëpërfshirëse e bazuar në të dhëna nga mbi 48 vende dhe mbi një dekadë kërkimesh. Raporti hedh dritë mbi një transformim të thellë: mënyra si e konsumojnë lajmet të rinjtë e vitit 2025 nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët me atë të vitit 2015, dhe aq më pak me brezat e mëparshëm.
Ky artikull përmbledh gjetjet kryesore të atij raporti. Do të shohim si platformat sociale kanë zëvendësuar faqet e lajmeve, si TikTok dhe Instagram kanë rrëzuar Facebook nga froni, si krijuesit individualë po fitojnë besimin që dikur kishte gazetaria tradicionale, dhe si inteligjenca artificiale po bëhet mjet i ri i orientimit në botën e informacionit. Por do të shohim edhe diçka tjetër, arsyet pse shumë të rinj i shmangen lajmeve, ndjenjën e tyre se nuk përfaqësohen drejtë, dhe çfarë lloj gazetarie do t’i kthente ata.
1. Aksesi ndaj lajmeve: Nga Online-First te Social-First
Dhjetë vjet më parë, të rinjtë aksesoni lajmet kryesisht nëpërmjet faqeve të internetit të mediave. Sot, rrjetet sociale janë burimi kryesor i lajmeve për grupin 18–24 vjeç:
- Në 2015, vetëm 21% e të rinjve e konsideronin rrjetin social si burim kryesor të lajmeve. Sot kjo shifër është 39%.
- Faqet e lajmeve online janë rënë nga 36% në 24% si burim kryesor.
- Konsumi i lajmeve është bërë më pak i qëllimshëm dhe më rastësor, të rinjtë shohin lajme ndërkohë që janë në platforma për arsye të tjera.
- Konsumi ditor i lajmeve ka rënë me 15 pikë përqindjeje tek 18–24-vjeçarët që nga 2017, krahasuar me vetëm 5pp tek grupi 55+.
2. Qëndrimet ndaj lajmeve: Besimi, interesi dhe shmangja
Ndërkohë që sjelljet janë ndryshuar ndjeshëm, qëndrimet e të rinjve ndaj lajmeve nuk ndryshojnë aq shumë nga grupmoshat e tjera, por ka dallime të rëndësishme:
- Besimi në lajme: 37% e 18–24-vjeçarëve besojnë në lajmet e shumicës, 9 pikë përqindjeje më pak se grupi 55+. Ky hendek ka qenë konstant prej vitit 2015.
- Interesi për lajmet: Vetëm 35% e të rinjve janë ‘shumë’ ose ‘jashtëzakonisht’ të interesuar në lajme (krahasuar me 52% të grupit 55+). Interesi ka rënë me 25 pikë përqindjeje që nga 2013.
- Shmangja e lajmeve: 42% e 18–24-vjeçarëve shmangen ndonjëherë ose shpesh lajmet, shifër e ngjashme me grupet e tjera. Arsyeja kryesore: efekti negativ në humor. Por të rinjtë janë relativisht më të prirur të thonë se lajmet nuk janë relevante për ta ose i gjejnë të vështira për t’u kuptuar.
- Mbulimi i drejtë: Rreth 35% e 18–24-vjeçarëve mendojnë se mediat i mbulojnë grupmoshat e tyre në mënyrë të padrejtë. Gratë e reja janë edhe më skeptike: vetëm 39% prej tyre e konsiderojnë mbulimin të drejtë.
- Neutraliteti: Të rinjtë mbeten pro-paanshmërisë, por 32% prej tyre (krahasuar me 19% të grupit 55+) mendojnë se ka çështje, si racizmi ose ndryshimet klimatike, ku neutraliteti ‘nuk ka kuptim’.
3. Çfarë duan të rinjtë nga lajmet?
Të rinjtë nuk kanë braktisur lajmet, ata kanë një qasje tjetër ndaj tyre, me preferenca të ndryshme tematike dhe formatesh:
- Janë më pak të interesuar për lajmet politike (radhitur e 9-ta) dhe më shumë për lajmet argëtuese dhe ‘fun news’ (radhitur e 5-ta).
- Burrat e rinj preferojnë shkencën, sportin dhe politikën; gratë e reja preferojnë shëndetin mendor, krimin dhe argëtimin.
- Rreth gjysma e të rinjve mendojnë se është e rëndësishme që mediat t’i argëtojnë dhe t’i bëjnë të ndihen mirë, jo vetëm t’i informojnë.
- 19% e të rinjve thonë se mediat nuk bëjnë punë të mirë në t’i bërë të ndihen mirë me botën.
4. Rënia e Facebook dhe ngritja e TikTok, Instagram, YouTube
Ndryshimi i platformave sociale midis të rinjve është dramatik:
- Facebook: Nga 47% në 2014 te vetëm 16% sot për lajme tek 18–24-vjeçarët. Konsiderohet ‘gjë e të moshuarve’.
- Instagram mbizotëron me 30%, YouTube me 23%, TikTok me 22% (për lajme). TikTok përdoret çdo javë nga 47% e të rinjve për çdo qëllim.
- Të rinjtë përdorin mesatarisht 4.6 platforma çdo javë, krahasuar me 3.4 te grupi 55+.
- 73% e 18–24-vjeçarëve shikojnë video lajmesh të shkurtra çdo javë, krahasuar me 60% të grupit 55+.
- Podkastet janë shumë të njohura te të rinjtë (59% dëgjojnë çdo muaj), por podkastet e lajmeve specifike zënë vetëm rreth 1/3 e konsumit total të podkasteve të tyre.
5. Krijuesit individualë dhe Inteligjenca Artificiale
Dy burime relativisht të reja, krijuesit individualë dhe AI, po fitojnë terren, veçanërisht tek të rinjtë:
- Krijuesit vs mediat tradicionale: 51% e 18–24-vjeçarëve i kushtojnë më shumë vëmendje kreatorëve/personaliteteve sesa mediave tradicionale për lajme. Tek grupi 55+, situata është e kundërt.
- Shumë krijues të suksesshëm u ofrojnë të rinjve shpjegime të lajmeve në formate të aksesueshme, ata ‘përkthejnë gazetat’ për audienca të reja.
- Inteligjenca Artificiale për lajme: 15% e 18–24-vjeçarëve e përdorin AI-n çdo javë për të aksesuar lajme, krahasuar me vetëm 3% të grupit 55+.
- 48% e të rinjve që përdorin AI e kanë shfrytëzuar atë për ta bërë një lajm më të lehtë për t’u kuptuar, shumë më tepër se grupi i moshuar (27%).
- 30% e 18–24-vjeçarëve janë të qetë me lajme të prodhuara kryesisht nga AI; 43% janë të qetë me ndihmën e AI-t në prodhimin e lajmeve.
- Shqetësimet: 60% e të rinjve janë të shqetësuar rreth përmbajtjes false dhe manipulimit online, por gjithashtu janë më të prirur t’i drejtohen AI-t për verifikimin e fakteve.
Raporti i Reuters nuk paraqet një histori të largimit të plotë të të rinjve nga lajmet, por një transformim thelbësor në mënyrën si ata i konsumojnë, i kuptojnë dhe i vlerësojnë ato. Të rinjtë janë të lidhur ngushtë me informacionin digjital, por me kushte dhe formate të ndryshme. Sfidat kryesore për industrinë e lajmeve janë: si t’i arrijë të rinjtë atje ku janë (platformat sociale dhe audiovizuale), si t’u ofrojë lajme relevante dhe të kuptueshme, dhe si të ndërtojë besim e besnikëri me një audiencë që nuk ka ndjenjë besnikërie të brendit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto