Si ka ndikuar Brexiti në turizmin britanik - Business Magazine Albania

Si ka ndikuar Brexiti në turizmin britanik

Britania u largua nga BE më 31 janar 2020. Ky ndryshim ndikoi në shumë sektorë, përfshirë edhe atë të turizmit. Ja se si ka ndryshuar industria e turizmit dhe çfarë u duhet të dijnë evropianëve që udhëtojnë në Britani.

Më 23 qershor 2016, një shumicë me diferencë të vogël votash e votuesve britanikë vendosi që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Evropian.

Më 31 janar 2020, Mbretëria e Bashkuar u nda me marrëveshje nga ky bllok. Pasojat e kësaj ndarjeje kanë pasur shtrirje të madhe, duke ndikuar mbi një numër të madh fushash, përfshirë imigracionin, tregtinë dhe turizmin.

Sidoqoftë, shumë nga pasojat afatgjata nuk janë shfaqur ende krejtësisht dhe do të bëhen më të dukshme në muajt dhe vitet që vijnë.

Për qytetarët e BE-së, kalimi i pushimeve në Britani është komplikuar më shumë. Ndërkohë që në të kaluarën kushdo që kishte një kartë kombëtare identiteti të një vendi të BE-së mund të hynte lirshëm në Britani, që nga 1 tetori 2021, kjo mundësi ekziston vetëm për ata që kanë një pasaportë të Bashkimit Europian. Një dokument që mesatarisht e kanë vetëm dy të tretat e qytetarëve të BE-së.

Ka rënë numri i përgjithshëm i vizitorëve

Një raport publikuar nëntorin e kaluar nga autoritetet britanike të turizmit, në VisitBritain tregon se në vitin 2022 numri i përgjithshëm i vizitorëve në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë më pak se një të tretat e nivelit të vitit 2019, vitit para pandemisë së virusit Corona, e cila shkaktoi ulje të madhe të udhëtimeve globale dhe rënie të turizmit. Megjithëse rënia e numrit të vizitorëve është e konsiderueshme, ajo nuk zbulon medoemos sa i madh ka qenë ndikimi i vetë Brexitit, për shkak të ndërprerjes së udhëtimeve nga pandemia e COVID-19.

Në fakt, shifrat e VisitBritain thonë se 8 milionë vetë, mes të cilëve 5 milionë qytetarë të BE-së, kanë vizituar Britaninë në prill, maj dhe qershor të 2022, një shifër që nuk ndryshon shumë nga numri i vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit 2019.

Me pak fjalë, është e paqartë nëse kjo tendencë pozitive ka të bëjë me heqjen e kufizimeve të COVID-it për udhëtarët, apo ka ardhur nga normalizimi gradual i situatës dhe pranimi i rregullave post-Brexit, për udhëtarët.

Rritja e çmimit mund të trembë turistët

Disa nga operatorët europianë të udhëtimeve të specializuar me organizimin e pushimeve në Britani thonë se janë duke luftuar me rritjen e çmimeve të sektorit britanik të turizmit. Një sipërmarrës gjerman, i cili preferon të mbetet anonim në mënyrë që të mos dëmtojë biznesin e tij, i tha Deutsche Welles se rritja e çmimit të dhomave të hoteleve britanike dhe rritja e çmimit të shërbimeve të tjera për vizitorët, e ka detyruar edhe atë që të rrisë çmimet.

Ky sipërmarrës ka pas organizuar që nga mesi i viteve 1990-të, pushime në Skoci për pushues me kërkesa të veçanta dhe me para, që vijnë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra. Ai i tha Deutsche Welles se katër ose pesë vjet më parë, një udhëtim dhjetëditor për dy vetë u ka pas kushtuar klientëve të tij 6 deri 8 mijë euro (6,500 deri 8,700 dollarë me kursin aktual), ndërkohë që sot, atij i duhet të kërkojë dyfishin.

“Udhëtimet janë të njëjtat, por ne nuk jemi duke fituar asnjë qindarkë më shumë,” thotë ai dhe shton se “hotelet britanike kanë dyfishuar, madje trefishuar çmimet dhe çdo gjë është bërë më e shtrenjtë.”

Analistë nga qendra akademike, London School of Economics and Political Science, kanë vërejtur se Brexiti ka shtuar sasinë e shkresave që duhen për të bërë biznes me vendet europiane, gjë që kontribuon në inflacionin në rritje të Britanisë së Madhe. Rritja e inflacionit ndikon në rritjen e çmimit të shërbimeve për vizitorët e huaj dhe për ofertat turistike, megjithëse në rritjen e çmimit rol luajnë edhe faktorë të tjerë si për shembull rritja e çmimit të energjisë. Në fund të vitit 2022, inflacioni britanik arriti nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit.

Brexiti ashpërson problemin e mungesës së personelit në hotele, bare dhe restorante

Këto probleme janë shoqëruar nga mungesa e personelit në sektorin britanik të turizmit. Ndërprerjet e punës për shkak të pandemisë detyruan shumë shërbyes, kamarierë, personel kuzhinash dhe punonjës hotelesh që të kërkojnë punë në sektorë të tjerë, ose të kthehen në vendet e tyre, që janë anëtare të Bashkimit Europian. Sektori britanik i turizmit mbështetej kryesisht tek punëtorët me paga të ulta që vijnë nga vendet e BE-së. Por duket se ato ditë nuk vijnë më. Shifrat e mbledhura nga vëzhguesi i migracionit të Universitetit të Oksfordit, Oxford University’s Migration Observatory, tregojnë se nga qershori 2019 deri në qershor të 2021, numri i punonjësve që vijnë nga vendet e BE-së dhe punojnë në sektorin britanik të turizmit ka rënë me 25 përqind.

Mediat thonë se mungesat e personelit janë të mëdha. Një artikull botuar kohët e fundit në The New York Times tregon se për shkak të mungesës së personelit restorantet londineze janë të detyruara të ulin numrin e orëve të hapjes, duke përmendur se 11 përqind e vendeve të punës të këtij sektori, ka mbetur pa punonjës.

Firma që dikur punësonin në stafin e shërbimit italianë, spanjollë dhe grekë, nuk mund të trokasin tani aq lehtë në tregun europian të punës, sepse Brexiti i ka dhënë fund lirisë së lëvizjes së punonjësve. Rregullat e reja të migracionit pas Brexitit e kanë vështirësuar futjen në tregun britanik të punës të qytetarëve të pakualifikuar të BE-së. DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0