Shqiptarja Artiona Bogo na tregon eksperiencën e saj në Davos gjatë javës së Forumit Ekonomik Botëror - Business Magazine Albania

Shqiptarja Artiona Bogo na tregon eksperiencën e saj në Davos gjatë javës së Forumit Ekonomik Botëror


Mbi 3000 njerëz me ndikim nga e gjithë bota dhe përfaqësues të sferave të ndryshme si biznesi, politika, shoqëria civile, akademia, arti, kultura e media u mblodhën në Davos të Zvicrës javën e kaluar në datat 22 – 25 Janar. Mbledhja vjetore e Forumit Ekonomik Botëror është e vetmja që mbledh rreth maleve magjike plot dëborë të Davos-it krerë shtetesh si Angela Merkel, Shinzo Abe, Giuseppe Conte, Erna Solberg me përfaqësues të biznesit apo muzikës e artit si Bill Gates, Tim Cook, aktoren Robin Wright, Princin William apo kengëtarin Bono. Tema e mbledhjes këtë vit ishte: Globalizimi 4.0 –  Qasja ndaj një arkitekture globale në kohën e Revolucionit të Katërt Industrial.

Artiona Bogo, inxhiniere software-i dhe drejtuese biznesi në kompaninë SAP pati privilegjin të shkojë për herë të dytë radhazi në Davos e na tregon më shumë për BusinessMag mbi çfarë u diskutua.

Lexoni: Ekspertet e IT. Ja tri vajza shqiptare që po shtrojnë rrugën e suksesit në botë

Cilat janë përshtypjet tuaja për organizimin e këtij viti? Çfarë patë ndryshe nga viti i kaluar?

Interesi dhe pjesëmarrja ime në Davos janë të lidhura ngushtë me rolin e teknologjisë në jetët e njerëzve. Te SAP ne besojmë se përmes teknologjisë mund të përmirësohet jetesa në tokë. Edhe këtë vit, u diskutua masivisht se si teknologjitë thelbësisht transformuese si Inteligjenca Artificiale, Blockchain, Internet of Things mund të ndihmojnë në krijimin e rrjeteve bazuar mbi besim dhe transparencë.

Një vëzhgim i përforcuar këtë vit lidhet me atë që bota si e tërë është duke u përfshirë në një valë të madhe paqëndrueshmërie shkaktuar nga faktorë politikë e gjeo-ekonomikë, por edhe me mënyrën si është përdorur teknologjia. Në këto kushte, duhet tepër kujdes se si rryma e globalizimit të motivohet e orientohet drejt njerëzve, të jetë sa më gjithëpërfshirëse, por edhe e qëndrueshme në afate më të gjata kohe.

Sheryl Sandberg, drejtuesja operative e Facebook, foli në recepsionin e organizuar nga gjermania Die Zeit se si ajo dhe Mark Zuckerberg janë duke u përpjekur të rifitojnë besimin e njerëzve (Kujtojmë skandalin me Cambridge Analytica në fillim të 2018, por edhe raste të tjera ku Facebook është akuzuar për shpërndarje të të dhënave të përdoruesve ndaj palëve të treta).

Mendoj se ndryshe nga viti i kaluar, kishte doza më të mëdha shqetësimi mbi keqpërdorimin e teknologjisë, por edhe mbikonsumin. Ky i fundit lidhur ngushtë me aspekte të ngrohjes globale.Në mjediset e Davos House, Artiona Bogo në të djathtë të CEO-s së SAP – Bill McDermott – Copyright SAP

Çfarë mesazhesh morët nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos?

Shumë u tha e u diskutua mbi aspekte të ndyshme të jetës në tokë, por duke qenë se unë u fokusova te fjalimet apo panelet me natyrë teknologjike, po ndaj disa prej mesazheve që më impresionuan më shumë:

  • Jack Ma, themeluesi i Alibaba, tha se nuk ka ekspertë të së ardhmes, vetëm të së djeshmes. Kjo rikonfirmon qasjen e përgjithshme se mendimi kritik si dhe aftësia për t’u përshtatur janë nga aftësitë më të rëndësishme drejt natyrës së re të vendeve të punës, që mund të krijohen për shkak të inteligjencës artificiale.
  • Bill McDermott, CEO i SAP, tha se edhe pse bota është më tepër e ndërlidhur se më parë, shoqëritë civile e grupet e interesit janë më të përçara se kurrë; se pasojat direkte të dixhitalizimit apo rrjeteve sociale kanë rezultuar në atë që aftësitë për të komunikuar kanë evoluar më shpejt se aftësitë për të dëgjuar e kuptuar. Po të dëgjojmë, do të kuptojmë se të njëjtat mesazhe po rikonfirmohen në mënyra të ndryshme: shqetësimet mbi mjedisin e ngrohjen globale, barazinë gjinore e diversitetin, mungesën e besimit. Institucionet duhet të veprojnë dhe bashkarisht të ecin në të njëjtët vektorë.
  • Bill Gates, themeluesi i Microsoft, u përqëndrua mbi shëndetin global dhe punën e bërë nga fondacioni Bill dhe Melinda Gates. Gates tha se bota është shumë më tepër e shëndetshme se në dy dekadat e para të shekullit 21. Gjithsesi, kur diskutohet për shëndetin global duhet pasur një strategji globale dhe jo fokus në të tashmen imediate. Kjo është arsyeja që sistemet e kujdesit për shëndetin (healthcare) aktualisht janë në fakt sisteme kujdesi për sëmundjen (sick care).
  • Mbi Sheryl Sandberg, drejtuesen operative e Facebook – edhe pse unë jam një fanse shumë e madhe e Sheryl, sidomos pas leximit të librit të saj Lean In – pati një dakordësi që fjalimi i saj mbi privatësinë e të dhënave nuk ishte i bindshëm dhe Facebook ka humbur besimin e njerëzve. Sheryl foli mbi një plan me 5 etapa për rifitimin e besimit. Plani përfshin: i. investime në siguri dhe mbrojten e përdoruesve ii. mbrojtjen ndaj ndërhyrjeve me natyrë politike/zgjedhore iii. zbulimin dhe eliminimin e llogarive falso si dhe informacionit fals iv. kontroll të plotë të njerëzve mbi të dhënat e tyre dhe ato çfarë ata zgjedhin të ndajnë v. më shumë transparencë.

Lexoni: A është Bitcoin një skemë Ponzi?

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0