Ekspertet e IT. Ja tri vajza shqiptare që po shtrojnë rrugën e suksesit në botë


 Në fakt asgjë nuk duhet të mendoni. Kodimi, po zbulohet si një pasion për djem e vajza dhe duket një rrugë shumë e mirë për sukses. Është pikërisht ajo fushë ku një i ri shqiptar mund të studiojë njësoj si një i huaj, të vërë pasionin dhe orët e nevojshme për të siguruar sukses.

Vetëm disa javë më parë, një nga vajzat shqiptare Rina Binxhiu u shfaq për një ditë të tërë në Times Square (bashkë më kaçurrelat e saj), si një vajzë model në fushën e inxhinierisë informatike.

Rina Binxhiu, tregon për Businessmag se sapo ka nisur karrierën e saj. Ky është vetëm fillimi thotë ajo. “Do të vazhdoj të shkollohem dhe të punoj, të jem pjesë e botës së shkencës dhe teknologjisë”. Rina shpreson që në një të ardhme të afërt, të ketë mundësi të flasë me nxënësit e shkollave të mesme dhe t’i drejtojë në rrugën e shkencës dhe ndikimin që ata mund të bëjnë në të ardhmen e teknologjisë. “Do të doja të punoja me kompanitë në Kosovë-Shqipëri për t’i avancuar të rinjtë shqiptar me pasion për teknologjinë”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

Rina është rritur në një periudhë të vështirë në Kosovë. Por, prindërit arritën të ruanin prioritetin e shkollimit të vajzave. Amerika iu premtua nga prindërit me kusht të siguronte sukses në shkollën në Gjakovë. Në Amerikë vazhdoi studimet në Univeristetin e Illinois në Chicago në degën Inxhinieri kompjuterike (Electrical and Computer Engineering).

E diplomuar në Maj të këtij viti, Rina punon sot në kompaninë “Dell”, si Inxhiniere sistemesh.

Paraqitja e Rinës në Times Square ishte si përfaqësim i femrave inxhiniere në industri. “Më ftuan të jem një shembull për vajzat që dyshojnë se mund të kenë sukses në një industri të dominuar nga meshkujt”, thotë ajo. Ajo vetë është e bindur se shumë vajza kanë kanë potencial në këtë drejtim.Artiona Boga punon në Berlin tek skuadra Blockchain e kompanisë SAP. Ajo është njëkohësisht në kontakt të vazhdueshëm me klientë të mëdhenj (zakonisht kompani Fortune 500, Fortune100, Fortune 50) dhe për këtë arsye i duhet shpeshherë të udhëtojë.

“Puna shkon shkëlqyer”, thotë ajo për Businessmag.al. Artiona tregon se, së fundi përfaqësoi kompaninë në Konferencën e Teknologjisë për Gratë “Grace Hopper” në Houston, TX – konferenca më e madhe për gratë në teknologji.

Por mendja e këtyre vajzave “fluturon” lehtësisht drejt Shqipërisë. Ne lidhje me Shqipërinë e rajonin, Artiona tregon se, në Prill ishte në Summit-in e parë dixhital për vendet e Ballkanit dhe, “online jam aktive përmes shkëmbimit të mendimeve dhe sugjerimeve në grupin e krijuar “Blockchain Western Balkans”.

Artiona kohën e lirë e shpenzon për pak sport. Por, një vajzë programuese, është e rezervuar dhe nuk jep shumë detale për kohën e saj të lirë. Ndërkohë janë rrjetet sociale të tyre që flasin pak më shumë e tregojnë sa dinë të argëtohen vajzat e IT.

Brigite Peposhi, aktualisht punon si programuese për një nga kompanitë më të fuqishme në Gjermani e në tregje ndërkombëtare. Kompania operon në fushën e RPA (Robotic Automation Process) dhe AI. “Eksperienca këtu është shumë e vlefshme për mua pasi po më ndihmon shumë në formimin profesional dhe jo vetëm”, thotë Brigite. Duke konsideruar gjithashtu se RPA dhe AI janë e ardhmja e teknologjisë, e konsideroj shumë të rëndësishëm zhvillimin dhe fokusin tim në këtë drejtim, thotë ajo.

Brigite e di që profesioni në vetvete është sfidues ashtu si edhe teknologjia e re. Ndaj i ka kushtuar më shumë kohë dhe energji punës. Ajo zbulon për Businessmag se po punon për një projekt, i cili do të vijë së shpejti në formën e një blogu. “Do të prezantohet në formën e postimeve dhe tutorialeve për të inkurajuar vajzat e vogla, të cilat kanë pasion shkencat dhe teknologjinë, ta ndjekin atë si zgjedhje për karrierën e tyre”. Materialet synojnë të jenë të përshtatshme për moshën e tyre, orientuese dhe ndihmuese. “Është një projekt që e kam nisur që në Shqipëri dhe qëllimi është ngushtimi i hendekut gjinor që ekziston në këtë lloj profesioni; gjë që evidentohet shumë dhe këtu në Gjermani”, thotë ajo.

Çfarë bën Brigite në kohën e lirë?! “Së fundmi kohën e lirë e kam kaluar duke studiuar dhe lexuar libra lidhur me profesionin, por gjithashtu jam përpjekur të balancoj qëndrimin ulur me aktivitete sportive, ecje apo frekuentimin e ambienteve sportive”. Ka shumë objektiva për të ardhmen në aspektin profesional. Brigite punon gjithnjë me objektiva me afat kohor të ndryshëm.

“Kthimi në atdhe në një periudhë jo shumë të largët dhe investimi i njohurive dhe energjive të mia në Shqipëri është një nga objektivat më të rëndësishëm që i kam vënë vetes”, thotë ajo. Padyshim ka plot të rinj shqiptarë mjaft të suksesshëm në këtë profesion e të tjera profesione. “Ju uroj të gjithëve suksese dhe shpresoj që dhe ata, ashtu si unë ta konsiderojnë dhe dëshirojnë kthimin në atdhe, duke e parë dhe si një mision për të ndihmuar sadopak në zhvillimin e vendit. Kontributi i tyre me përvojë e njohuritë që marrin jashtë do të vlejë për një Shqipëri më të mirë për ne dhe brezat që do të vijnë”, thotë Brigite.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

 

 

 

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale